Floriana Garo, vajza që si e vogël i improvizonte me letra ëndrrat e saj e që tash i përjeton në të vërtetë

0

Vetëm pjesën mondane të Floriana Garos e përcjellë ekrani. Ajo që nuk zbulohet është pasioni i saj për avanturën, natyra sportive dhe të qenit shpirtërore.  Autorja e njohur e emisionit “Jo vetëm modë” në një intervistë për portalin Onlinë tregon se ajo karrierë prej volejbollisteje nuk bëri, por nga ky sport mori virtyte: puna në ekip, ambicia për të fituar dhe forcimi mendor. Garo tregon që kur ishte e fëmijë e luante ëndërrën për të marrë pjesë në një garë të madhe bukurie, duke ndërtuar vetë skena e kurora, ndërsa kur ndodhi më 2012 vërtetë më Kinë e kishte përjetuar shumë. Ajo thotë se janë disa personalitete që i pëlqejnë në botë, kryesisht gra të forta që arrijnë të menaxhojnë mirë karrierën dhe jetën familjare. Njërëzit e Kosovës i quant ë mrekullueshëm dhe mendon që ta eksploroj më shumë Kosovën nëpermjet emisionit “Jo vetëm modë”, meqë ka informacion se ndiqet mjaftueshëm. Garo ka folur edhe edhe për Tiranën, librin, Shqipërinë, burrin ideal…

 

Kush është Floriana Garo jashtë ekranit televiziv?

Pa dyshim ajo që shfaqet edhe në ekran. Jam kurioze dhe e interesuar për shumë gjëra, energjike, pozitive, dhe e vendosur. Natyrisht ekrani arrinë të transmetojë vetëm një pjesë tënden – në rastin tim, atë pjesën disi mondane e cila përcillet nëpermjet emisionit “Jo vetëm modë”. Por ajo që fshihet është pasioni im për avanturën, natyra sportive, dhe te qenit spirituale.

Pse vendosët të studioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe a shpreheni ndonjë mendim ndonjëherë nga kjo fushë?

Vendosa të studioj Marrëdhënie ndërkombëtare pasi më tërheq kjo fushë, por mbi të gjitha, sepse mendoja se me këtë degë do të ishte më e thjeshtë të gjeja një punë në Amerikë. Nuk e kisha menduar ndonjëherë seriozisht që do të kthehesha në Shqipëri dhe do të isha autore dhe drejtuese e një programi televiziv. Megjithatë mendoj se të gjitha gjërat, në të cilat investon në jetë, bëhen të dobishme në një moment të caktuar, ndaj mendoj se studimet e mia do të më vlejnë edhe më shumë në të ardhmen.

A ju ka ngelur merak që nuk e vazhduat karrierën prej volejbollisteje?

Volejbolli nuk ka qene kurrë karrierë për mua. Ka qenë një pasion shume i madh, i cili më ka mësuar të punoj në ekip, të kem ambicie për të fituar, më ka mbajtur në formë, dhe më ka bërë të fortë mendërisht. Ka qenë një kapitull dymbëdhjetë vjeaçar i jetës time, i cili u mbyll me nder dhe me kujtime të mrekullueshme.

Çka konsideroni sukses më të madh në botën e modës?

Arritja ime më e madhe në fushën e modës ishte pa dyshim pjesëmarrja në Miss Ëorld 2012 në Kinë. Që e vogël kam ëndërruar të isha në një skenë të tillë, ndërkohë që bëja fasha dhe kurora prej letre dhe pretendoja se po e përjetoja vërtetë atë ekperiencë. Kur u bë e vërtete ishte magjike dhe e kam shijuar shumë.

Si ndiheni me “Jo vetëm modë”?

E përmbushur.  Është programi që vë në dukje më së miri atë që unë jam dhe pëlqej, dhe ndihem e lumtur që e bëj sipas mënyres time. Duhet të theksoj se kam një staf shumë të mirë, që më mbështetë dhe që kontribuon në suksesin e emisionit. “Jo vetëm modë” është një nga gjërat e mia, që më bëjnë më shumë krenare dhe kur njerëzit i pëlqejnë specialet që ne trajtojmë dhe i komentojnë pozitivisht, është komplimenti më i madh që mund të më bëhet.

Keni një idol?

Nuk kam një, janë disa njerëzit që unë vlerësoj. Kryesisht gra të forta që arrijnë të menaxhojnë mirë karrierën dhe jetën familjare. Angelina Jolie, Gisele Bundchen, Ivanka Trump, Sheryl Sandberg, Anderson Cooper për të përmendur disa.

A iu pëlqen Tirana dhe a do ta ndërronit me një qytet tjetër?

Tirana më pëlqen sepse këtu kam punën dhe njerëzit e mi të dashur, por New Yorkun e ndjej gjithashtu si qytetin tim. Kam jetuar atje vetëm pesë vjet, por ai qytet të bën për vete, të formon, dhe të ndryshon krejtësisht këndvështrimin për gjërat. Mua më ka ndikuar shumë dhe ndjej kënaqësi dhe emocion sa herë rikthehem.

Cili është libri i fundit që e keni lexuar dhe a i kushtoni kohë leximit?

Tani po lexoj librin e Steve Jobs, të cilin nuk pata rastin t’a lexoj kur u botua. Më pëlqejnë biografitë e njerëzve të suksesshëm; ndjej se frymëzohem dhe mësoj nga eksperienca e tyre. Lexoj gati çdo mbrëmje. Pak faqe nese jam e lodhur, por mendoj se është e nevojshme për të gjithë për t’u shkëputur disi nga bota sipërfaqësore e internetit dhe stresi ditor.

Çfarë nuk të pëlqen në Shqipëri dhe për çfarë e do Shqipërinë?

Nuk më pëlqen këndvështrimi negativ dhe pesimist i shumicës së njerëzve. Mendoj se të gjithë duhet të përpiqemi të kemi më shumë dhembshuri, mirënjohje dhe t’a vlerësojmë të mirën e të bukuren. Ndërkohë që në anën tjetër, e dua Shqipërinë për natyrën dhe klimën e mrekullueshme, kujtimet që kam e që vijoj të krijoj këtu, dhe për faktin që këtu ndodhen njerëzit që unë dua më shumë.

A ke qenë ndonjëherë në Kosovë dhe çfarë vendi dhe çfarë njerëz të duken shqiptarët e Kosovës?

Kam qenë në Prishtinë së fundmi dhe në Ferizaj kur isha më e vogël, por po mendoj të bëj një tur të gjatë gjithë Kosovës në të ardhmen e afërt. Mendoj që t’a eksploroj më shumë nëpermjet emisionit “Jo vetëm modë” meqë kam informacion se në Kosovë ndiqet mjaftueshëm. Shqiptarët e Kosovës janë të mrekullueshëm; të gjithë ata që unë kam njohur më janë dukur të emancipuar, dashamirës dhe të drejtpërdrejtë.

Si është një burrë ideal në mendjen tuaj?

Me një pasion dhe ambicje të madhe për jetën, karrierën dhe lidhjen dashurore. Një njeri i fortë por i ndjeshëm në të njëjtën kohë, që e ushqen përditë dashurinë dhe bën ç’mos për të qenë interesant e për të më bërë krenare.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Unë bëj më të mirën time çdo ditë dhe shijoj të tashmen. Të ardhmen e mendoj dhe bëj plane me veten, por duke qenë disi supersticioze, preferoj të mos i shprehë ato që kam në mendje deri sa t’i realizoj.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here