Flet akademiku Abdylmenaf Bexheti:”Në mes Prishtine krisi pushka e Ali Ahmetit”

0

Akademiku Abdylmenaf Bexheti ka komentuar mënyrën se si i trajton Tirana dhe Prishtina shqiptarët e Maqedonisë dhe politikanët këtu. Ai e ka dhënë një mesazh të qartë në një postim në Facebook: Tirana dhe Prishtina, nëse nuk na qortoni së paku mos na lavdëroni pa meritë!

Bexheti e ka nisur tekstin duke përmendur diplomacinë dhe traditën kombëtare të cilat nuk lejojnë të kritikohet publikisht “vëllezërit e mëdhenj”. Por, si duket e lyp nevoja e momentit, ka shkruar ai.

“Gjithmonë kemi nevojë për ‘përkujdesje nga vëllezërit tanë, si nga Tirana aq më tepër nga Prishtina, por paternalizmi i sinqertë duhet të rezultojë me efikasitet. Në të kundërtën mjaft na ‘mbrojtët’ se na u thyen brinjët duke na përkëmbur nga regjimet e papërgjegjshme vendore, që ju i pritni nëpër sallonet tuaja”, ka shkruar Bexheti, transmeton SHENJA.

Sa herë që duhet të defokusohet vëmendja nga dështimet e regjimit në Maqedoni, e pësojnë fshatrat ndërkufitare, nga Rajca me Shqipërinë  e deri te Gushinca, Breza, Malina në kufi me Kosovën, ka theksuar Bexheti. Pas çdo maltretimi të shqiptarëve këndej kufirit, pushtetarët qeveritar ia mësyjnë qendrës më të afërt-në këtë rast Prishtinës, po shumë herë edhe Tiranës!

“Edhe bilbilat në degë e dinin se Aliu së shpejti do shkonte në Prishtinë me të njëjtat refrene që irritojnë deri në ekstrem, për relativizim të situatave tragjike. Në mes të Prishtinës, edhe një herë krisi pushka e Alisë. Ai tha se është mendim individual i vetëm një ministri(e) dhe jo i Qeverisë!!! Thjesht i një ministre, që na quan indian, fise të egra dhe na monton skenarë për të na nëpërkëmbë si dinjitetin ashtu edhe ekzistencën fizike, kurdo që i kujtohet dhe i duhet asaj. Aliu po ashtu kërkoi të mos fajësojmë tërë qeverinë se aty është edhe vet ai! Policët janë njerëzit tanët po çka se nën komandën absolute të regjimit”, ka shkruar Bexheti.

Akademiku u është drejtuar politikanëve të “krahut të luftës” në dy shtetet shqiptare. “Vërtet Aliu ka qenë shoku juaj i luftës, për çka i mbetet merita, por ama neve po na shndërrohet në tmerr i paqes. Prandaj të ndajmë shapin nga sheqeri!”.

Prishtina me shqiptarët gjithandej ka hallet e shtetbërjes, për të cilën u sakrifikuam të gjithë. Tirana sot është pjesë e sistemit më të fuqishëm të sigurisë kolektive (NATO), kurse shqiptarët në Maqedoni, në këtë konstelacion kohe dhe hapësire nuk mund më tepër të pajtohem më me pozitën e prioritetit të tretë në doktrinën kombëtare.

“Një çerek shekulli në këtë pozitë është tepër. Ka ardhur koha pak ju të prishni rehatinë tuaj për vëllaun e tretë! Përndryshe si të mbajnë ‘ymytin’ vëllezërit tjerë në këtë varg kombëtar….?”, ka shkruar Bexheti.

Në vazhdim, akademiku shkruan se skenat që i shohim janë trishtuese për kohën dhe vendin, në mes të Evropës së shek. XXI!

“Shyqyr Zotit, për më pak se dy dekada shqiptarët janë vetëdijesuar shumë mbase edhe teknologjia informatike ka bë të veten. Popullata lokale, nënat dhe motrat shqiptare, jo vetëm më të arsimuar por edhe shumë më të vetëdijesuar, po befasojnë edhe skenaristët e aktorët më të sprovuar në këto skena! Mediumet, sado të shtypura po bëjnë të veten, ne veçanti Alsat-M, Lajm, Portalet…Ju lumtë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here