Fitorja psikologjike e Shqipërisë është humbje futbollistike e Serbisë

0

URAN KRASNIQI

Futbolli është një lojë ku komponentët kryesorë janë ana taktike, fizike dhe psikologjike. Ndërsa jo vetëm në sport po në të gjitha fushat bota e brendshme e njeriut është faktor determinant për sukses të caktuar të jashtëm. Dikush mund të jetë shumë taktizues si dhe shumë i përgatitur fizikisht, por kur nuk ndihet mirë shpirtërisht dhe manifeston sjellje të keqe, atëherë në rastin më të mirë progresi mund të jetë i kufizuar, ndërsa në rastin më të keq nuk ia del që të ketë asfarë suksesi po dështim të suksesshëm. Gjendja e keqe emocionale në aspektin taktik ndikon që të mos kesh fare taktikë ndërsa në rrafshin fizik që të ndihesh i pafuqishëm. Historia njerëzore është e mbushur me raste e raste në shumë sfera kur është përqafuar disfata për shkak të pranimit të udhëzimeve të paarsyeshme.

Ndeshja e Shqipërisë me Serbinë në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2016 që mbahet në Francë është shumë e ngarkuar në aspektin psikologjik. Tek të dyja kampet, te njëra më shumë e te tjetra më pak, vërehet rëndesa dhe kjo jo vetëm te skuadrat po edhe tek institucionet e edhe te popujt.

Pa u thelluar në mbushjen e këtij kazani të madh që është histori e vjetër, do të ndalem vetëm tek korriku i këtij viti. Kur KAS me qendër në Zvicërr i dha fitoren Shqipërisë doli kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me deklarata në drejtim të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, se “do të vijmë në Shqipëri dhe do t’iu mposhtim”. Pas tij nënkryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë, Savo Millosheviç, se “ndeshja me Shqipërinë është bërë çështje nacionale”. Më pas lojtarët e Kombëtares së Serbisë se “fitorja ndaj Shqipërisë është detyrim për komin serb”. Qasja e serbëve është thua ti se fjala është për një betejë që do përcaktojë fatin e kombeve jo vetëm në sport po në të gjitha poret e jetës dhe se lufta duhet të bëhet për jetë a vdekje. Në fakt nuk është ashtu. Çështja është vetëm tek një ndeshje futbolli, ku fitorja i duhet vetëm Shqipërisë për shkak të suksesit gjatë ndeshjeve të mëhershme dhe kualifikimit, ndërsa për Serbinë është një ndeshje me rëndësi vetëm të përgatitjes së skuadrës për fazën eliminatore të Botërorit të vitit 2018 që mbahet në Rusi. Pra atyre fitorja iu duhet vetëm për të thënë se i mposhten shqiptarët.

Ngarkesë e madhe është edhe në kampin tjetër, atë shqiptar, por nëse do të më duhej ta definoja situatën më shkurt do të përmendja pikërisht përgjigjen e Ramës për Vuçiçin kur ai i thoshte se do “do të vijmë në Shqipëri dhe do t’iu mposhtim”, ku kryeministri shqiptar ja kthente se: “ thuaj do të vijmë të luajmë e mos thuaj se do të fitojmë se nuk ke asgjë në dorë”.  Pra përjashto shikuesit të cilët nga dëshira thonë që do të fitojmë, eksponentë të institucioneve duken më të matur dhe se nuk bëjnë “hop pa e kërcyer gardhin”. Shqiptarët më shumë janë të dhënë pas asaj që ndeshja të mos ndërpritet në ndonjë mënyrë, gjë e cila Shqipërinë do ta nxirrte jo vetëm të dështuar në organizim po do të mund edhe t’i kushtonte me përjashtim nga gara. Parë nga ky kënd Shqipëria është më mirë të humb me rezultat të thellë në fushë se sa të dështojë si organizator. Humbja eventuale nga Serbia mund të ndikojë që Shqipëria të luajë në barazh (me një Kombëtare tjetër të një Grupi tjetër që është në vendin e tretë) dhe nuk ka gjë të keqe nëse mbetet Shqipëria edhe në barazh. Në Francë shkojnë Kombëtaret që e meritojnë, kështuqë duke shkuar përmes barazhit, përmes një pengese shtesë, Shqipëria do të tregonte që e ka merituar plotësisht kualifikimin.

Me fjalë të tjera, Kombëtarja e Shqipërisë duhet ta përjetojë Kombëtaren e Serbisë në fushë vetëm si një rival sportiv dhe ta trajtojë atë si çdo kundërshtar tjetër. Nuk ka asnjë arsye që ta shohë si një përfaqësuese të një shteti armik. Gjithashtu tifozët duhet ta dinë që lojtarët e Kombëtares serbe mund të mos kenë qëndrime korrekte në raport me shqiptarët sepse edhe ata janë prodhim i një konteksti historik sikurse pjesa tjetër e shoqërisë, por faktikisht ata janë vetëm sportistë dhe asnjë nga ta nuk është kriminel lufte. Të gjithë ata kanë qenë të fëmijë kur kanë ndodhur luftrat në ish-Jugosllavi dhe asnjë nuk ka përgjegjësi për ato që kanë ndodhur.

Ndeshja është shumë mirë që të fitohet nga Shqipëria, por sporti njeh edhe pozicione të tjera si barazimi e humbja, çka asnjëra nuk janë të turpshme kur i ndodhin një ekipi si dhe nuk sjellin fundin e botës për një skuadër e as për vendin prej nga vjen ajo.

P.S.

Kam çka të them edhe për anën fizike dhe taktike, por ndihem shumë jokompetent t’i tregoj një trajneri si  Giovanni De Biasi se si duhet që të veprojë. Në fakt ky është komenti i parë që e shkruaj për futboll, se edhe nuk është fusha ime, por e bëra kur u kombinua pasioni për këtë sport nga fëmijëria si dhe specifikat e ndryshme të ndeshjes Shqipëri-Serbi me takimet e tjera.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here