FIFA, dyshime edhe për Botërorin Francë ‘98

0

Po shembet si një shtëpi prej rëre, ditë pas dite mbretëria e Josep Blaterit. Tashmë ish-numri një i FIFA-s, pas dorëheqjes së njoftuar para dy ditësh për përfshirjen në skandalin e fundit të krahut të tij të djathtë, Zherom Valske (ku kishte pranuar ryshfete për organizimin e Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut, pëson një goditje të re. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bien dyshimet edhe për Botërorin 1998 të organizuar në Francë. Kështu zbulon Çak Bleizër, ish-drejtuesi i FIFA-s, i cili ka pohuar se ka “pranuar ryshfete së bashku me persona të tjerë, rreth vitit 1992 për lejimin e organizimit të Kupës së Botës 1998”. Bleizër ka shtuar: “Nga 2004 e tutje, unë së bashku me anëtarë të tjerë të FIFA-s, kemi marrë zarfe për Botërorin e 2010-s në Afrikën e Jugut”. Sipas Blejzërit, janë dhënë ryshfete edhe në raste të veprimtarive të tjera futbollistike të FIFA-s dhe në shpërndarjen e të drejtave televizive. Blejzër, personazh kyç në hetimet e fundit, (ka qenë ish-sekretar i përgjithshëm i CONCACAF-it, Konfederata e Amerikës së Veriut), ka pranuar se ka marrë miliona dollarë në formë ryshfeti. I sëmurë nga tumori në zorrën e trashë, ai ka vendosur të tregojë gjithçka. Në dokumentin e transkriptuar, të cilin e citojnë mediat ndërkombëtare, prokurorët i referohen FIFA-s dhe strukturave përbërëse të saj si “një organizatë zhvatjesh dhe korrupsioni”. Përveç Botërorëve të së ardhmes, ata të Rusisë dhe Katarit, tani projektorët janë drejtuar edhe mbi kampionatet e kaluar botërorë të futbollit. Ndërkohë, ish-zv.presidenti i FIFA-s, Xhek Uorner, i akuzuar për skandalin e korrupsionit që ka përfshirë organizmin më të madh të futbollit botëror, ka deklaruar se së shpejti do të rrëfejë gjithçka. Me këtë deklaratë, Uarner ka lënë të kuptojë se do të bashkëpunojë me drejtësinë për t’i shkuar deri në fund skandalit që ka tronditur botën e futbollit në javët e fundit. Në të vërtetë, Uorner është mes 14 personave të akuzuar nga FBI-ja amerikane për korrupsion dhe pastrim parash në FIFA. Ai akuzohet se ka autorizuar tërheqjen e 10 milionë dollarëve nga buxheti i FIFA-s në mënyrë që të blinte dy vota në favor të Afrikës së Jugut për organizimin e Botërorit 2010. 72-vjeçari nga Trinidad Tobago u bë zëvendëspresident i CONCACAF në vitin 1983 dhe menjëherë u bë pjesë e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s. Nga viti 1990, deri në vitin 2011, ai ishte president i CONCACAF, ndërsa nga viti 1997, deri në vitin 2011, ai ishte zëvendëspresident i FIFA-s deri në vitin 2013. “Nuk do të vazhdoj të mbaj sekrete për persona që kanë tentuar të shkatërrojnë vendin tim, – ka thënë Uorner. – Kam të drejtë të frikësohem për jetën time. Kërkoj falje që nuk kam zbuluar gjithçka më përpara mbi gjithçka që dija për gjëra të tilla, por tani nuk do të kem më sekrete. As vdekja nuk do të ndalojë ortekun që po vjen. Nuk do të bëj hapa pas”.

GOLI I HENRIT

Drejtori ekzekutiv i Federatës Irlandeze të Futbollit, Xhon Delanei, ka treguar se ka pranuar 5 milionë euro ryshfet nga FIFA, për të mos ndjekur hapat ligjorë në lidhje me faullin e famshëm me dorë të Tierri Henri gjatë ndeshjes kualifikuese të Botërorit, Francë-Irlandë.

sh

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here