FIBA e pranon Kosovën

0

“Po” i ka thënë Federata Ndërkombëtare e Basketbollit kërkesës së Federatës së Basketbollit të Kosovës për të qenë anëtare e saj.

Kjo ka ndodhur të premtën.

FBK kishte aplikuar për anëtarësim në FIBA më 5 shkurt dhe pas shqyrtimit të aplikacionit, ka ardhur edhe përgjigjja pozitive nga Gjeneva, ku tashmë konfirmohet se FBK është federata e 215-të anëtare e FIBA-s.

“Federata e Basketbollit e Kosovës me këtë rast dëshiron të falënderojë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FIBA-s, Sekretarin e Përgjithshëm të FIBA-s, z. Patrick Baumann, Kryetarin e FIBA Evropës, TurgayDemirel, si dhe të gjithë zyrtarët e organizatës botërore të basketbollit që kanë kontribuar në marrjen e këtij vendimi”, thuhet në komunikatën për medie të dërguar nga FBK-ja.

Në komunikatë thuhet se FBK zotohet se do të jetë federatë shembull për zbatim të rregullave dhe rregulloreve të FIBA-s dhe do të vejë në dispozicion të FIBA-s dhe trupave të saj, tërë potencialin e saj njerëzor dhe sportiv,me qëllim të dhënies së kontributit në FIBA dhe fuqizimit të familjes botërore të basketbollit.

“Ne jemi të vetëdijshëm që pranimi në FIBA është ngjarja më e madhe në shtatë dekadat e historisë së basketbollit në Kosovë. Ky akt shënon kurorëzimin e përpjekjeve që zgjatën me dekada, por edhe fillimin e një epoke të re, asaj të fuqizimit të basketbollit në Kosovë me ndihmë nga organizata botërore e basketbollit. Andaj me kënaqësi të posaçme sot mund të konfirmojmë se përtej aktit solemn të pranimit, qysh tani nga FIBA kemi siguruar përkrahje për programe të veçanta për trajnerët dhe gjyqtarët tanë dhe presim që asistenca nga FIBA të shtrihet edhe në segmentet tjera vitale për funksionim tonë si anëtari më i ri i kësaj organizate, duke na siguruar përkrahje konkrete në zhvillimin e kategorive të reja”, thuhet në komunikatë.

“Sivjet presim edhe realizimin e një ëndrre tjetër. Sërish duke iu falënderuar FIBA-s dhe FIBA Evropës, presim që së paku një reprezentacion i Kosovës të paraqitet në kampionat evropian dhe fakti që djemve e vashave të Kosovës ua kemi mundësuar të përfaqësojnë shtetin e tyre duke luajtur basketboll na bën shumë krenar. Federata e Basketbollit e Kosovës dëshiron po ashtu që të falënderojë të gjithë lojtarët, trajnerët, gjyqtarët, punëtorët sportivë dhe udhëheqësit e FBK-së që nga themelimi i saj dhe të konkludojë me shumë krenari se ëndrra e shumë pritur është realizuar dhe Kosova tashmë ka federatë të basketbollit, të barabartë me 214 federatat tjera botërore”.

“Njëkohësisht dëshirojmë të apelojmë tek të gjithë anëtarët aktual të FBK-së dhe të gjithë njerëzit e përfshirë në sportin që e duam, që të na ndihmojnë që në arenën ndërkombëtare të tregojmë vlerat tona të vërteta, njerëzore, sportive dhe kombëtare. Nga anëtarët tonë në veçanti kërkojmë qasje të re, edhe më shumë angazhim në përmbushjen e të gjitha obligimeve dhe kritereve, me qëllim të ngritjes së cilësisë së organizimit dhe ngritjes së nivelit të rezultateve në parket”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here