Ferizaj:Përkujtohet Enver Hoxha në 30 vjetorin e vdekjes

0

Anëtarë të Frontit për Kultivimin e Veprës Revolucionare të Enver Hoxhës janë tubuar në Ferizaj për të përkujtuar figurën e liderit komunist shqiptar, në 30 vjetorin e vdekjes së tij.

Ata kanë thënë se me vdekjen e Enver Hoxhës u rrënuan vlerat më të larta që i krijoi me decenie të tëra bashkë me popullin, duke e nxjerr epokën e tij si më të ndritur në historinë e popullit shqiptar në planin ekonomik, social, kulturor e ushtarak.

Kryetari i këtij formacioni, profesori i sociologjisë Remazi Hasani ka thënë se fryma e Enverit edhe sot është e gjallë ndër shqiptarë, të cilët nuk mund të pajtohen assesi me zhvillimet që po ndodhin sot.

“Që nga vitet 90 kur në Shqipëri ndodhi përmbysja e madhe, ky vend dhe ky popull qeveriset nga një fole gjarpërinjsh, që ditën këtë popull paturpësisht ta kthejnë në shekullin e kanunit, ku gjakmarrja dhe ngatërresat mes shqiptarëve po bëjnë kërdinë, ku Shqipëria dhe shqiptarët në vend të Kushtetutës dhe ligjeve i udhëheqin tregtarët e drogës dhe pronarët e kazinove dhe shtëpive publike, ku titujt akademik blihen edhe pa i shkelur dyert e universitetit, ku pronarët e shtetit dhe politikës sorollaten me gjipa qindra mijëra euro, në rrethanat kur ky vend i ka mbi një milion të papunë dhe gjithashtu mbi një milion tjerë në varfëri ekstreme”, ka thënë Hasani.

Edhe Erald Selca, anëtar i frontit ka theksuar se Enveri dhe epoka e tij do të mbeten të pashlyera tek gjeneratat e tashme dhe ato që do të vijnë, duke qenë përherë frymëzues për përkushtimin ndaj atdheut dhe lirisë së njëmendët.

Ai tha se ishte pikërisht ky frymëzim me të cilën u nisën çlirimtarët tanë në luftërat për clirim të trojeve shqiptare të okupuara

“Shqiptarzima identifikohet me viganin, kolosin, vizionarin dhe arkitektin që ka pasur kombi shqiptar. Nëse Skënderbeu ishte ai që luftoi për çlirim në mesjetë, Enver Hoxha ishte ai që nxori popullin nga errësira, bataku, nga primtivizmi dhe e ktheu në dritë”, ka thënë Selca.

Për figurën e Enver Hoxhës kanë folur idhtarë të enverizmit përveç nga Kosova, edhe nga Maqedonia e Lugina e Preshevës./Kosovapress/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here