Ferid Agani, kryetari i radhës nga aklamacioni, në një parti kosovare

0

Partia e Drejtësisë e ka pasuar LDK-në në zgjedhjen e kryetarit të vet me aklamacion. Saktësisht një javë pas zgjedhjeve të partisë e cila e drejton Qeverinë e Kosovës, ku në një kuvend të shumëpërfolur kryetar partie u rizgjoghë kryeministri Isa Mustafa, në PD sot është rizgjedhur në të njëjtën mënyrë Ferid Agani. Në Kuvendin e VIII Zgjedhor të PD-së Aganit me aklamacion, pa asnjë votë kundër është rizgjedhur kryetar partie. Në këtë kuvend u zgjodhën edhe strukturat tjera të partisë, si kryesia dhe këshilli drejtues, ndërsa u miratuan ndryshimet statutore.
Kuvendit Qendror të PD-së, i parapriu procesi i brendshëm zgjedhor i filluar gjashtë muaj më parë, i mbajtur në 25 degë në mbarë Kosovën.
Kryetari Ferid Agani, procesin e brendshëm zgjedhor e quajti të suksesshëm, demokratik dhe një garë që sipas tij, duhet të jetë shembull për të gjithë.
Ai tha se në 11 degë të PD-së u ndërruan kryetarët, “gjë që dëshmon se kjo parti po përqafohet nga kuadro të reja dhe profesionale të gatshëm për të çuar proceset përpara”.
Në kuvend u tha se ishin të pranishëm rreth 200 delegatë.
Zgjedhja e kryetarit me aklamacion u bë me arsyetimin se nuk kishte një kandidat të dytë për kryetar partie. Duke qenë votimi i hapur të gjithë të pranishmit votuan pro kryetarit të deritashëm.
Në fjalën e tij si kryetar i ri, Agani tha se PD-ja do të angazhohet për një shtet ku respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut, një shtet ku çdo qytetar do të ndjehet krenar dhe i respektuar.
Ai shprehu bindjen se PD-ja, do të shënojë rritje të vazhdueshme, ngase vlerësoi se programi që posedon kjo parti është program që përkon me vlerat e vet qytetarëve të Kosovës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here