Fatjona Geci: “Nuk e shoh të shkruarit një formë benefiti financiar por një ‘benefit shpirtëror'”

0

Fatjona Geci nuk shkruan që të sigurojë të ardhura nga Letërsia. Ajo e bën një gjë të tillë vetëm për kënaqësi shpirtërore.

Në një intervistë Geci tregon se megjithatë leximet e saja nuk janë vetëm poezi. “Edhe romanet nuk i anashkaloj”, tregon ajo.

Geci ka folur për arsyet që e shtyejnë të shkruaj, ndikimin e poezisë, autorët e saj të preferuar, planet për të ardhmen…

Ajo është nga Tropoja dhe jeton në Tetovë. Deri më tani ka botuar 5 vëllime poetike: “Dëgjo zërin e zemrës” “…se jetuam” “Si një pikëz loti” “Serenata e mallit tim” dhe “Duke pritur ëndrrën”.

Fakultetin e Shkencave humane- drejtimi Sociologji dhe studimet Mastër i kreu në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Momentalisht punon dhe vepron në Tetovë, në Komunën e Tetovës dhe në Tv Art.

 

Pse shkruani?

Sepse është një pjesë e imja, diçka që jeton me mua. Një nga ato format e komunikimit që “proza e përditshme“ nuk mund ta artikulojë në komunikimin e zakonshëm. Të shkruash do të thotë të flasësh, të kuptohesh, të transmetosh, atë dhe ashtu siç ti do. Poezia ka lindur me mua, jeton me mua dhe besoj do “vdesë“ me mua.

Çfarë ndikimi mendoni se mund të ketë poezia te njerëzit?

Tolstoi, thotë se “Arti është pasqyrë e jetës“, dhe poezia si pjesë e artit besoj që u mundëson njerëzve që të “shohin“ aty, ndjesi dhe përjetime të bukura përtej realitetit që jo gjithmonë ofron shumë gjëra të tilla. Poezia , në mos nuk mund të bëj gjëra “revulucionare“ për shoqërinë, të paktën ju ofron lexuesve të gjejnë prehje shpirtërore. Ndjenjat më të larta njerëzore janë përjetësuar në petkun e poezisë.

Cilët autorë ju pëlqejnë, ndërkombëtarë po edhe shqiptarë?

Nëse ka letërsi të bukur nuk e shoh shumë autorin. Lexoj si ata shqiptarë, si ata të huaj. I.Kadare, D.Agolli, A.Podrimja, apo M.Angelou, F.Dostojevski dhe i preferuari im E.Heminguei. Më pëlqen të lexoi poezi por edhe romanet nuk i anashkaloj. Megjithatë për hir të së vërtetës tani jam shumë e angazhuar dhe leximi i është dedikuar punimit të Magjistraturës. Kështu që aktualisht librat janë me karakter politik, Eurointegrues, diplomatik, por që fundja ka brenda “artin e fjalës“, dhe menaxhimin me të.

A mund të jetohet sot nga arti i poezisë?

Po njerëzit më të varfër përgjithësisht kanë qenë shkrimtarët (qesh v.j) dëshmi historike kjo. Pak shaka, në një realitet si ky i yni nuk mund të pretendosh të jetosh nga poezia. Nuk e shoh të shkruarit një formë benefiti financiar por një “benefit shpirtëror“ që mua më plotëson, më mbush shpirtërisht dhe ma besoni s’mund t’i vihet çmim ndjesisë emocionale që shkakton arti në përgjithësi dhe poezia në veçanti.

A shkruani vetëm poezi apo edhe zhanre të tjera?

Poezinë e dua më shumë, kam bërë tentative edhe në zhanër të tjerë por si duket aty ku “fle shpirti“ ke dhe produktin më të mirë. Janë 5 vëllime poetike të botuara dhe ky i fundit është përkthyer në Maqedoni. Përveç faktit që poezia është më pak “egoiste“, s’të merr shumë kohë. Në kushtet kur koha fizike mungon vazhdimisht që të ulesh e të shkruash rehat.

Cilat janë synimet tuaja si krijuese?

Poezia mbetet aty ku është emocioni dhe shpirti im. Por me pak “çlirim“ nga angazhimet akademike, do ulem të përpunoj “skicën“ që tashmë e kam për një roman. Por nuk premtoj sepse gongu i kohës bën gjithmonë presion.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here