Fati qoftë me ne por fitoren na e jep puna!

0

JONA DERVISHI

Ndeshja Shqipëri-Armeni, nuk ishte vetëm një “colpo di fortuna”, ose një goditje fati. Ishte shumë më tepër se kaq. Absolutisht që në një lojë ka edhe shans, por fitorja nuk korret vetëm me fat, ajo fillimisht kërkon të mbillet me punë.
Duke filluar që nga të gjithë futbolldashësit e deri tek njerëzit me më pak pëlqim të futbollit, dinë pak ose aspak në lidhje me organizimin e një ndeshjeje, me procedurat e mbarëvajtjes së saj si dhe me stafin e përkushtuar, i cili bën një punë madhore menaxhuese. Pra nuk është folur asnjëherë për pjesën “prapa kuintave”, pasi asnjëherë nuk ka qenë ky qëllimi i FSHF-së, që të bëjë reklamë, por të punojë fort për të arritur objektivat e saj.
Për dy orë lojë futbollistike, fshihet një punë kolosale 2-3 mujore e një stafi të tërë. Duke filluar që me shitjen e biletave, që kësaj here projektuam edhe risinë e shitjeve online, një program ky që mbron blerësin dhe institucionin e Federatës nga aktet e jashtëligjshme, duke ndjekur një procedure të mirëfilltë transparente. Më pas me akreditimin e gazetarëve që do të ishin të pranishëm në stadium, për të cilët u përdor serish procedura online, duke plotësuar formularin i cili ka qenë për rreth 10 ditë në faqen zyrtare të FSHF-së. Ky sistem në bazë të përzgjedhjes u dha mundësi aplikimi gazetarëve, operatorëve dhe fotoreportereve për të qenë të pranishëm në “Elbasan Arena”, ditën e 29 marsit.
Për ketë ndeshje të radhës ka rreth një vit punë për rikonstruksionin e stadiumit, i cili është një stadium me katër yje, duke u kujdesur edhe në detajet më të vogla. Pavarësisht se ka ende punë për të bërë që gjithçka të jetë perfekt, ne nuk mjaftohemi me kaq, sepse dëshira jonë është të arrijmë standarde sa më të larta. Prandaj ne nuk do të ndalemi.
Kombëtarja jonë e futbollit shkëlqeu dhe kjo nuk është as rastësi dhe as thjesht fat, por është përgjegjësi. Ka mbi dhjetë vjet që punohet për këtë Kombëtare futbolli, me zanafillë që në zbulimin e talenteve e deri në afrimin e tyre në grupmosha U-17, U-19, U-21 e deri në Kombëtaren A. Serish është një staf i tërë që ka punuar me strategji e pasion për përzgjedhjen. Pasi ata djem që ju shihni sot në fushë duke na dhuruar emocion pafund, nuk janë të ardhur nga fati por nga një punë serioze e menaxhuar mirë ndër vite. Federata Shqiptare e Futbollit nuk është një fabrikë që prodhon të ardhura, por talente. Gjithnjë opinioni publik është ndërsyer dhe nën vazhdën e thashethemeve, qëllimisht FSHF-ja është vënë në pozicionin “e rrufepritëses”, të akuzave nga më të ndryshmet sa herë që një “rrufe kundërshtare” bën gol në portën tonë. E kur Kombëtarja jonë e futbollit fiton, ky institucion nuk përmendet dhe ky është gabim i madh që behet sepse në fund të fundit “Një nuse e mirë, del nga një derë e mirë”.

Autroja është drejtore për Marrëdhënie me Publikun në Federatën Shqiptare të Futbollit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here