Fan Noli, Kryeministri që nuk e ndau postin nga muzika dhe letërsia

0

NASHO JORGAQI

Ditët e kryeministrit mes bisedave me diplomatët e huaj duke u përpjekur me çdo kusht që të njihej qeveria e tij. Premtimet nga konçensionet tek zbardhja e vrasjeve të amerikanëve në Mamurras dhe pasionet për muzikën, letërsinë dhe detyrën fetare….

Pas dështimit të aksionit diplomatik në Londër, Noli nisi nga përpjekjet për të sqaruar dhe për t’u afruar me Të ngarkuarin e përkohshëm, R. Parr-in. Përpara se ta takonte atë në fillim të korrikut, kish dërguar Xh. Vilën, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, dhe ishte vënë në korrent për opinionet e pakënaqësitë e tij. Pas kësaj, ai desh patjetër të merrte kontakt drejtpërdrejt. Takimit i parapriu një mesazh, nëpërmjet të cilit kryeministri lavdëronte shërbimet që i kish sjellë Anglia pavarësisë së Shqipërisë dhe i shprehte dëshirën për t’u takuar, qoftë dhe në rezidencën britanike në Durrës. Parr-i e pranoi, por me kusht që takimi të ishte rigorozisht privat dhe të bëhej në një terren neutral. I shqetësuar, madje, se mos ky rast shfrytëzohej për qëllime politike, shprehte gatishmërinë që të shkonte ai në Tiranë.

Takimi u organizua më 6 korrik, në një drekë pune, në të cilën kryeministri parashtroi kërkesat e tij që s’ishin të panjohura për diplomatin anglez. Në qëndrimin dhe bisedën e Nolit do të zotëronte sinqeriteti, besimi dhe gatishmëria për mirëkuptim. Mirëpo, për fat të keq, kjo nuk do të ishte reciproke. Prapa mirësjelljes dhe taktit diplomatik të Parr-it, fshihej i njëjti qëndrim me atë të paraardhësit të tij. Sipas raportit dërguar Foreign Office-it, për Nolin, gjithë qëllimi i takimit kish qenë t’i mbushte mendjen atij për një qëndrim pozitiv të Londrës ndaj qeverisë së re. Si përgjigje të ankesave angleze, kryeministri shqiptar i kish premtuar t’i jepte koncesionin e vajgurit Shoqërisë Anglo-Persiane dhe se gjyqi ndaj të arratisurve s’ishte veçse një manovër politike pa telashe.

Por diplomati shënon në raport se, nga gjithë biseda dhe këmbëngulja e Nolit, kish nxjerrë përfundimin se kjo ish “shenja e pasigurisë së tij të përgjithshme për të ardhmen” dhe se “grindjet e brendshme dhe armiqt’ e jashtëm kanë për t’ia ndërprerë jetën kësaj qeverie brenda disa javëve”.

Me sa duket, Noli e kuptoi se kolegu i Eyers-it nuk ish aq dashamirës sa kish kujtuar. Prandaj, takimi u nda mes debatit politik dhe bisedave të lira intelektuale. Këto të fundit, madje, zotëruan dhe Noli me këtë rast e hoqi kostumin e politikanit e të shtetarit. Parr-i u josh së tepërmi nga personaliteti intelektual i Nolit dhe këtë do ta shprehte në një letër dërguar kolegut të tij në Londër, Nicolson: “Biseda ime me Peshkopin ishte argëtuese. Ai bënte vrejtjet e veta … se Anglia është mallkimi i Europës dhe se institucionet e lira që janë krijuar prej nesh paraqesin një farsë të përgjakshme.

(Ai e fliste anglishten shkëlqyeshëm). Më shumë foli për frymën kombëtare në Shqipërinë Jugore, mbi tiraninë e bejlerëve dhe mbi shpirtin e jashtëzakonshëm të gjeneratës së re. Mënyra e të folurit ishte më shumë sarkastike sesa serioze. Se prelati i lartë nuk nguli këmbë aq në autoritetin e Ungjillit dhe diskutoi më shumë për temat e parapëlqyera të udhëtimeve dhe të letërsisë. Ai thotë se gjithë e vërteta është te Omar Khajami… Ai flet bukur dhe në mënyrë interesante… Më vjen shumë keq që ai s’kish mbetur peshkop në Durrës se do ta kisha fqinj shumë të këndshëm…”

Pas këtij takimi u bë i qartë qëndrimi reciprok për të dy palët: Londra ia kushtëzonte Nolit njohjen de jure të qeverisë duke kërkuar prej tij jo vetëm t’u jepte përparësi zgjedhjeve, po dhe të ndiqte një politikë larg çdo radikalizmi. Ndërkaq Noli nuk bëri as përpjekjen më të vogël për të fshehur mendimet dhe synimet e veta, pozitën e tij të pavarur. Por, duke qenë i ndërgjegjshëm se qëndrimi i Anglisë ishte përcaktues në politikën europiane, ai e merrte me mend se raportet e nxira të diplomatëve të saj për qeverisjen e tij, do të kishin pasoja po aq përcaktuese dhe në të ardhmen.

Para xhunglës së politikës të Kontinentit të Vjetër, kur ndërkohë i duhej të përballonte rivalitetin e Fuqive të Mëdha e lakmitë e djallëzitë e fqinjëve, Nolit iu krijua bindja se ShBA mund të bëheshin mbrojtëset dhe bamirësja e Shqipërisë së vogël. Me këtë mendim ai shkoi më 22 qershor në Legatën amerikane dhe e përsëriti vizitën edhe më 4 korrik. Ministri amerikan, G. Smith, demokrat dhe dashamirës, që e përbuzte Zogun dhe e kish mirëpritur ndryshimin e regjimit, i dëgjoi me mirëdashje kërkesat e Nolit për njohjen e qeverisë. Kryeministri i ri e sqaroi se revolucioni ishte kryer pa gjak dhe premtoi se do të zbatonte një politikë të matur, ndaj lypte mbështetjen e Uashingtonit. Në këtë bisedë diplomati vuri në dukje se duheshin pasur parasysh interesat amerikane, siç qenë çështja e vajgurit dhe zbulimi e ndëshkimi i vrasësve të dy amerikanëve në Mamurras.

Në raportet dërguar qendrës ai shkruan se regjimi i ri “priret në favorin tonë” dhe se e çmonte programin e qeverisë së re. “Nëse do të zbatohej brenda një kohe të shkurtër ky program ambicioz, shkruante ai, që godet privilegjet e vjetra, ky do të ishte hapi i parë i vërtetë në rrugën e progresit politik dhe shoqëror”. Mendime akoma më pozitive i dërgon Departamentit të Shtetit Konsulli i SHBA në Firence, Xh. Hejvn, duke e cilësuar qeverinë e Nolit si qeveri popullore dhe jo qeveri bolshevike, siç spekulohej, si dhe vetë kryeministrin “Admirues të sinqertë të Amerikës”. Megjithatë, Uashingtoni nuk u nxitua ta njohë de jure qeverinë, pasi priste akoma prova prej saj dhe provat nuk po dukeshin të suksesshme: koncesioni i vajgurit vijonte të mbetej vetëm fjalë, procesi i zbulimit të vrasësve të Mamurrasit nuk kish ndjekur rrugën ligjore, por atë të politizimit, duke implikuar Zogun. Edhe simpatia për Nolin do të binte shpejt. Qëndrimi i tij liberal dhe i lirë nuk do të gëzonte besimin e saj.

Kish diçka te qëndrimet radikale të kryeministrit që s’përputhej me rregullat dhe kriteret e demokracisë amerikane. Kështu, diplomacia amerikane shpejt filloi të ftohet dhe, duke qenë edhe nën ndikimin e Foreign Office-it, ajo u tërhoq nga procesi i njohjes zyrtare.

Shpresat e Nolit për njohje ndërkombëtare zunë të davariten. Në horizont u shfaq bojkotimi politik, që po ngrihej kundër tij. E megjithatë, ai nuk do të rreshtte së përpjekuri nëpër kancelaritë e mëdha. Pavarësisht se ç’ndodhte nëpër labirintet diplomatike, Noli vijonte punën përmes pengesash dhe vështirësish të shumta për një qeverisje të re.

Kish kaluar vetëm një muaj prej ardhjes së tij në fuqi dhe shtypi do të bënte bilancin e parë. Gazeta “Bashkimi” në kryeartikullin “Këshilla e jo kritika”, me takt dhe dashamirësi shkruan: “Ç’bëri kabineti Noli ç’prej datës 17 qershor deri më 17 korrik 1924? Të themi s’ka bërë gjë, nuk është e vërtetë, sepse një përmirësim makar i vogël duket çiltazi në çdo degë të shtetit; por të themi se edhe i ka bërë të gjitha ç’prisnim, as kjo është e vërtetë, mbasi pikat më pozitive e më të frytshme të programit politik e administrativ nuk janë kryer”. Nga këto pika, djemtë e Bashkimit veçojnë pikat 2 dhe 7 që s’janë zbatuar, d.m.th dënimin e shkaktarit të vëllavrasjes dhe thjeshtimin dhe pastrimin e aparatit, emërimin e elementëve patriotë.

Kurse gazeta “Drita” nga Gjirokastra tregohet e pakënaqur me punën e qeverisë: “Kur Noli hyri në Tiranë, në mbarim të kryengritjes, pat thënë se ushtria e rrëzoi përdhe lisin e feudalizmit dhe do t’i shkul rrënjët. Por koha që shkoi pas formimit të qeverisë e deri më sot nuk na la të kemi shpresë. Duket se gjallëria dhe gjaknxehtësia e kryengritjes dalëngadalë po venitet. Populli e priti me kënaqësi formimin e këtij kabineti, pasi e pëlqeu programin ose besoi … se do të zbatonte atë që pretendonte dhe dëshironte populli. Po nuk mund të kënaqet populli me masa gjysmake e me mënyra që nuk i sjellin asnjë dobi …Çrrënjosja e feudalizmës është kondita kryesore për qytetrimin shqiptar”. Kurse gjykimi dhe kritikat e gazetës “Politika”, që vijnë nga Vlora, tingëllojnë inkurajuese: “Kabineti … i Nolit është shumë i fortë, se ka përkrahës tërë patriotët … popullin, ushtrinë, djalërinë. Mjafton të ketë vullnet e guxim për përmbushjen e 20 neneve …”

Edhe pse muaji i parë është muaji i shpresave të qeverisjes së Nolit, shtypi nuk lë pa vënë në dukje rastet kur populli merret nëpër këmbë dhe shkelet arbitrarisht drejtësia. Bejlerët dhe bishtat e tyre vazhdojnë të livadhisin. Në mes të Tiranës varroset me bandë, në prani të disa anëtarëve të kabinetit, një nga zonjat e Toptanëve dhe opinioni demokratik shprehet i pakënaqur. Populli i mban sytë nga Noli, kërkon ta takojë, t’i qajë hallet. Njerëzit vijnë nga të gjitha anët në kryeqytet.

Kryeministria përmbytet nga letrat, aq sa nuk është në gjendje jo më t’i zgjidhë problemet, por as t’u përgjigjet letrave. Nga fundi i korrikut ajo del në shtyp me një Zëdhënie zyrtare, ku njofton se “Zyra e Kryeministrit është e mbytur nga telegramet dhe shkresat e ndryshme që i drejtohen pa vend. Si telegramet, si shkresat, nuk këndohen prej kryeministrit, i cili s’ka kohë as t’i hapë, po shkojnë nga zyra e sekretarit të kryeministrit, i cili i referon në Ministritë kompetente. Për të kursyer kohë dhe mundim si për ata që dërgojnë shkresa, si për zyrën e sekretarit të kryeministrit, u lutemi kërkonjësve t’i dërgojnë me telegram, qoftë me kërkesa në Ministritë kompetente”.

Asnjëherë Noli s’kish marrë mbi vete detyra kaq të rënda. Asnjëherë s’ish përballur me aq probleme dhe halle që kërkonin zgjidhje në radhë të parë prej tij. Ai kish tani në dorë pushtetin, të cilin duhej ta përdorte për t’i ardhur në ndihmë popullit, për ta lehtësuar atë nga vuajtjet, duke ndrequr padrejtësitë dhe duke ndëshkuar fajtorët. Kish për mision historik të vendoste një rend demokratik. Po a ishte i përgatitur ai për këtë? A ishin kushtet e duhura, që ai të korrte frytet e ideve që kish mbjellë? Lufta politike s’kish qenë thuajse asgjë para barrës së pushtetit. Dhe këtë ai po e mbante vetë, po a i kish supet aq të forta sa ta përballonin? Në radhë të parë, duhej të distancohej, le të themi, nga angazhimet dhe shqetësimet intelektuale. Skeptri i pushtetit lypte që ai të tjetërsohej në një farë mënyre, tani që kish veshur kostumin e rëndë të shtetarit. Po a mund ta bënte këtë?

Ne mund të themi me siguri, që Noli dhe në këto kushte nuk e ndërpreu jetën intelektuale. Më shumë se kurrë ai e ndjeu të nevojshëm praninë e artit jo vetëm si pjesë e qenies së tij, po dhe si nevojë shpirtërore për t’u lehtësuar nga hallet e ditës. Që në ditët e para të pushtetit iu gjend flauti. Zuri t’i bjerë, të ndante dertet dhe mendimet me të. Gjente çaste, në zyrë ose në shtëpi, dhe tingujt e çuditshëm nuk mund të mos dëgjoheshin përqark. Nolit i erdhën komentet që bëheshin nëpër kafenetë e Tiranës. Në pleqëri do të evokonte një nga këto episode në një takim me miqtë dhe pasuesit: “Si venë punët e Shqipërisë? Keq e mos më keq. Cili është shkaku vallë? Shkakun ti e di, kur kryeministri i bie fyellit dhe Shqipëria digjet, bëj hesap!”

Me muzikë kryeministri nuk lehtësonte vetëm hallet e tij. Ai mendonte se me anë të saj mund të lehtësonte në një farë mënyre dhe jetën e rëndë të popullit. Prandaj, thirri mikun e tij të vjetër, dirigjentin e Bandës Vatra, Thoma Nashi, dhe e ngarkoi me detyrën që të themelonte një konservator dhe një orkestër simfonike! Për këtë, ai duhej të shkonte në Itali të sillte prej andej një grup muzikantësh të klasit të parë. Ndërkaq, me porosi të tij, kishte ardhur nga Jugosllavia një grup koral rus, i cili këndonte në kishë, por jepte dhe koncerte për publikun në Durrës dhe në Tiranë. Aq i tërhequr ish Noli nga muzika në këtë kohë, sa filloi të mësojë edhe bririn francez ose kornon nga Th. Nashi. Ardhja e korit rus u prit me zemërim nga qarqet konservatore

Por nuk ishte vetëm muzika, për të cilën ndjente nevojë kryeministri që në muajin e parë të qeverisjes. Ishte dhe letërsia. Në këto ditë të ngarkuara ai sikur lehtësohet e gjen ngushëllim, kur, duke iu përvjedhur punëve zyrtare, vazhdon dhe të përkthejë. Përkthen vargje nga “Rubairat” e Omar Khajamit. Nuk i rrihet, madje, pa ia treguar këtë as diplomatit anglez, Parr-it, kaq i magjepsur është pas këngëtarit të lirisë shpirtërore. Duket se tek ai gjen veten, shpreh dufet, dialogon me të, kur s’ka me kë të shkëmbejë mendime. Sepse, në fakt, askush nuk e kupton dhe i duhet të sjellë Khajamin nga Persia e largët që të komunikojë me dikë. Të sjellë pak’ a shumë kohën e tij, që i bëhet se i përngjason me kohën shqiptare, me orët e saj të mesjetës orientale.

Katër rubaitë e para që përkthen, ia dërgon Koço Tashkos në Amerikë dhe ai ia boton te “Dielli” në numrin e parë të gushtit 1924. Ai e kupton mirë gjendjen shpirtërore të përkthyesit kur në shënimin hyrës shkruan se “miku im fort’ i nderuar … është i detyruar të merret me gjera dhe njerëz që s’i shijon dhe që s’e shijojnë”, duke gjetur shpëtim te filozofia e orientit, te fatalizmi i saj, “e cila e lehtëson nga tirania e jetës’. “Këtë liri të rrëmbyer, shpjegon Tashkoja më tej, ay e përdor për të ëndërruar utopira, për të murmuritur arie prej Moxartit ose për të përkthyer vjersha të bukura në gjuhën e virgjër shqipe”. Është kjo gjendje psikologjike që e shtyri Nolin “një natë në të zbardhëlluar të përkthejë këto katër strofa prej ungjillit të shekujve të lira – Rubajat”.

Kryeministri gjen kohë të bëjë dhe një vizitë në Institutin Qiriazi, të ngritur nga motrat Sevasti e Parashqevi së bashku me Kristo Dakon, miqtë dhe kundërshtarët e tij politikë të dikurshëm, disa herë dashakeq. Më shumë se një akt pajtimi, vizita e Nolit ishte një mbështetje dhe dorë e zgjatur e qeverisë për ta bërë Shqipërinë bashkërisht “një Zvicër të dytë”. Ai është aq tolerant e fisnik, sa nuk do t’i kujtojë prapaskenat e tyre kundër tij. Në shënimin që lë kryeministri, shpreh “gëzimin e madh” dhe largohet me përshtypjen se ky Institut “po shkruan një faqe të lavdishme në historinë e arsimit shqiptar” dhe garanci për këtë janë “aftësia dhe kurajua” e motrave Qiriazi.

Për Nolin mëkëmbja e Shqipërisë nuk mund të kuptohej pa mëkëmbjen e arsimit, pa shkollimin e brezit të ri. “Do ta bëjmë Shqipërinë, u deklaron ai në ditët e ndezura të qershorit delegacionit të liceistëve të Korçës. Ju që u bashkuat me revolucionin tonë, do të jepni shumë për këtë Shqipëri që po ngremë ne. Një Shqipëri për popullin ashtu siç e kanë ëndërruar poetët tanë. O burra, të jemi të lidhur gjithnjë me diturinë”. Dhe një nga dekretet e para që firmos, është ai i akordimit të bursave për studime të të rinjve jashtë shtetit. Prej këtij dekreti merr bursë dhe poeti i ri Lasgush Poradeci. Nuk harron t’i akordojë Bashkisë së Ersekës, kryeqendrës së Kolonjës së tij, një fond për të shtruar sheshin dhe rrugët e qytetit me kalldrëm.

Duke u vënë në krye të shtetit, Noli nuk lë pas dore punët e drejtimit të kishës. Ai nuk harron se është peshkop. Një kryeministër peshkop, rast unikal në gjithë Europën. Shqiptarët, që në shumicë janë myslimanë, tregojnë se s’kanë paragjykime, prej të cilave vuan aq shumë Ballkani. Kryeministri i tyre me sytë e zes, mjekrën e derdhur dhe ballin e gjerë mban jakën e bardhë të klerikut.
Punët e peshkopatës në Durrës i kryen arqimandriti A. Çamçe, por Noli nuk i shmanget detyrës që ka të bëjë me mëkëmbjen e kishës. Drejton ceremoninë e dorëzimit të priftërinjve të rinj, të cilëve, ndonëse s’kanë përvojën dhe arsimin përkatës, u jep certifikatën e priftit kombëtar për të meshuar në gjuhën amtare.

“I këndoni lutjet ashtu si dini, shqip, i këshillon, po pastaj lartë i rregullon perëndia”. Nga ana tjetër, vazhdon më tej reformën kishtare. Muzikës liturgjike në kishë i jep një formë të re. E gjallëron meshën dhe largon monotoninë, duke futur korin rus. Një masë e tillë zgjon menjëherë kundërshtime të elementit fanatik, të cilët ankohen nëpërmjet faqeve të gazetës “Gjergj Kastrioti”. Sipas tyre, “Populli do dritë shpirtërore më parë dhe pastaj muzikë…”. Ata tremben nga ardhja e rusëve, sado të bardhë. Po peshkopi nuk do t’ia dijë.

Përpiqet për një kishë bashkëkohore, me koncepte dhe politika të reja, që bie ndesh me liturgjinë e ngurtësuar greke.
Tamam në këtë kohë sapo kish lindur dhe në Shqipëri lëvizja ekumenike për bashkimin e të krishterëve në një kishë të përbashkët. Pra, shqiptarët ortodoksë dhe katolikë të kishin një institucion të krishterë të vetëm kombëtar. Nismën për këtë e kish marrë një grup etërish françeskanë dhe Shtjefën Gjeçovi, i deleguar prej tyre, takon zyrtarisht Nolin. Noli e mirëpriti këtë ide, duke arsyetuar se popullit shqiptar i duhej ky unitet shpirtëror pas unitetit politik. Sipas dëshmisë së Gjeçovit, ai i tha se, “sikurse i kam folur dhe at Fishtës, jam për bashkimin me kishën katolike, porse, duke qenë kryeministër nuk mujte me u përzie”, veçse “menden dhe zemrën e ka për bashkim”.

Ç’është e vërteta, Noli në këtë kohë kishte shumë gjera në mendje dhe në zemër, ide dhe projekte jetike e të guximshme. Shumë prej tyre i kish shpallur nga tribuna e Parlamentit, por ato kishin zënë vend dhe në programin qeveritar. Në politikë, megjithatë, punët nuk po shkonin ashtu siç mendonte dhe dëshironte ai. Vërtetë e njihte mirë historinë, personaliteti i tij rrezatonte gjithkund kulturë, kish frymëzime iluministe, po a ishin të mjaftueshme këto për të ndryshuar shoqërinë e varfër e të prapambetur shqiptare? Hallka kryesore ishte ekonomia, ligjet dhe problemet e së cilës vështirë se Noli i njihte si duhej. Populli priste që qeveria, me masat e saj të shpejta dhe efikase, t’ia lehtësonte disi gjendjen.

Por gjendja vazhdonte njësoj. Noli ndodhej i mbërthyer mes kërkesave urgjente që vinin nga poshtë, thirrjeve për ndryshime radikale të “Bashkimit” e të shtypit progresist, dhe pengesave që ngrinin bashkëpunëtorët, shumica e ministrave, dhe e presionit për vetëpërmbajtje që ushtronin kancelaritë europiane.
Të gjitha këto sigurisht s’kish si të mos e pengonin, por ai ishte i vendosur në qëllimet e veta, sado që kuptonte dhe shikonte me keqardhje se nuk kishte krahë. Dritat në zyrën e kryeministrit fikeshin vonë dhe gjithë regjimi i ditëve të tij tani i qe nënshtruar detyrave që s’e linin të merrte frymë.

Numri i madh i dekreteve të nënshkruara prej tij që në muajt’ e parë të qeverisjes tregonte se kryeministrit nuk i mungonte vullneti dhe guximi për t’i çuar disa nga punët përpara. Por pengesat dhe vështirësitë ishin aq të shumta e të papritura, sa atij i duhej të merrte përgjegjësi që s’i kish menduar ndonjëherë. Largimi i Pecit, pa nisur mirë nga puna, e detyroi që t’i nënshkruante vetë shumë dekrete që i takonin kryetarit legjitim të shtetit. Mes tjerash, plotëson dhe një dëshirë të Vatrës, kur në fillim të gushtit e njofton se “me vendim ministral Shën Gjini u pagëzua Ëilson”.

Në përgjigje të kërkesës së Lidhjes së Kombeve, lidhur me rishikimin e kalendarit grigorian, Noli është i mendimit që ai të mos ndryshojë, duke sjellë argumente shkencore të provuara prej 400 vjetësh. Kryeministri shqiptar e kish për kollaj të jepte zgjidhje të shpejta e të drejta për çështje që kishin të bënin me sferën e kulturës. Por sfera e kulturës në detyrën e tij qeverisëse zinte një vend tepër të kufizuar. Në amullinë e jetës shqiptare, ajo i ngjante një mirazhi që s’përfaqësonte thuajse asgjë para malit të problemeve politike, ekonomike e sociale që qëndronin përpara.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here