Familjet e të vrarëve dhe të plagosurit e 10 shkurtit 2007 përshëndesin opinionin e PKDNJK-së

0

Familjet e të vrarëve dhe të plagosurit e 10 shkurtit 2007 e përshëndesin opinionin e shpallur dje nga Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut për Kosovën, i cili ka konfirmuar pafajësinë e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, të vrarë nga policia e UNMIK-ut në datën e përmendur dhe pafajësinë e të plagosurve Zenel Zeneli dhe Mustafë Nerjovaj, të njëjtën ditë. “U konfirmua pafajësia e të gjithë atyre që protestuan në mënyrë paqësore më 10 shkurt 2007. Ne kemi pritur tetë vjet që Paneli të shqyrtojë rastin tonë. Vendosmëria jonë për të kërkuar drejtësi për bijtë tanë, dhe për të plagosurit nga policia e UNMIK-ut më 10 shkurt 2007, është përligjur sot”, janë deklaruar famljarët dhe të plagosurit sipas një njoftimi nga Lëvizja VETVENDOSJE. Opinioni ka konstatuar se UNMIK-u e ka shkelur të drejtën themelore për jetë me veprimet që çuan në vrasjen e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt dhe plagosjen e rëndë të Zenel Zenelit dhe Mustafë Nerjovajt, se UNMIK-u ka dështuar në përmbushjen e detyrimit të tij për të kryer një hetim efektiv të vdekjeve dhe lëndimeve, se UNMIK-u ka shkelur të drejtën për tubim paqësor. Paneli ka rekomanduar që UNMIK-u të pranojë publikisht përgjegjësinë për dështimin e tij për të mbrojtur jetën e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, si dhe për shkaktimin e lëndimeve të Zenel Zenelit dhe Mustafë Nerjovajt, t’u kërkojë falje publike familjeve Xheladini dhe Balaj, si dhe Zenel Zenelit dhe Mustafë Nerjovajt, të ndërmarrë hapa në drejtim të pagesës së kompensimit për dëmin moral për dhimbjen dhe vuajtjet e shkaktuara për familjet Xheladini dhe Balaj, dhe për Zenel Zenelin dhe Mustafë Nerjovajn, të garantojë bashkëpunimin me çdo organ zyrtar të cilit i është dhënë autoriteti për të rihapur një hetim efektiv të këtij rasti, dhe të ndërmarrë hapa në Kombet e Bashkuara për të garantuar që këto shkelje të mos përsëriten. Familjarët e të vrarëve Balaj dhe Xheladini si dhe të plagosurit Zeneli dhe Nerjovaj i kanë bërë thirrje Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm që të dëgjojë mendimin e Panelit dhe t’u përmbahet rekomandimeve të tij. “Në veçanti, ne përsërisim thirrjen tonë për një hetim të pavarur dhe efektiv të ngjarjeve të 10 shkurtit 2007, kërkojmë përgjegjësi në gjykatë për krimet e kryera nga UNMIK-u në këtë ditë, dhe i bëjmë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për heqjen e imunitetit të atyre që janë përgjegjës”, kanë kërkuar ndër të tjera ata.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here