Familja që mbijeton nga shitja e farave(VIDEO)

0

Fillimi i një biznesi në ditët e sotme është një gjë mjaft sfiduese, por edhe më sfiduese është që të të funksionojë për një kohë më të gjatë. Këtë sfidë me mjaft sukses e ka kaluar familja Jusufi nga fshati Novoselë i komunës së Tetovës.

Jusuf Jusufi nga ky fshat në vitin 1955 hapi një kioskë të vogël në qendër të Kumanovës, që ka mbijetuar për 60 vjet, puna e së cilës është bartur nga gjenerata në gjeneratë. Nipi i tij dhe aktualisht pronari i kësaj kioske, Asllan Jusufi, jeton në Reçicë të Vogël të Tetovës. Asllani shpreson që një ditë këtë biznes t’ia lë djalit të tij, që e ndihmon kur nuk shkon në shkollë.

“Me këtë zanat merremi prej 55-tës, gjyshi, pastaj babai im, tani unë, por edhe djali im punon. Familja mbahet me gjithçka, nëse punon me dëshirë, me vullnet dhe me kualitet. Nuk është si me parë, që kishte fitim më të madh, tash fitohet mjaftueshëm sa për të mbajtur familjen”, tha Asllan Jusufi.

Farat e lulediellit nuk janë i vetmi prodhim që shitet këtu, por nga leblebitë e farat e kungullit, deri te arrat braziliane. Familja Jusufi është e njohur edhe për limonadën e veçantë që e bëjnë.

Farërat i blejnë nëpër fshatra të Kumanovës e Tetovës për t’i përgatitur dhe pjekur në shitore. Pronari flet edhe për aspektin pozitiv dhe shëndetësor të këtyre produkteve.

“Të gjitha kanë veti shëruese, si p.sh.: Leblebiat i marrin kur kanë dhimbje barku, ato ndihmojnë shumë për problemet me bark. Farat e bardha, këto i blejnë kush kanë probleme me prostatën. Kam myshterinj që thonë se nuk mund të flenë nëse nuk hanë fara të bardha. Bajamet ndihmojnë për ata që kanë yndyrë në gjak. Të gjitha kanë ndonjë veti shëruese, dhe i bëjnë çdo kujt mirë”, shtoi Jusufi, njofton tv21.

Kjo kioskë gjithashtu shet edhe bërthama të kajsive, që sipas Asllanit janë të pasuruara me vitaminë B17 që është i njohur për luftimin e qelizave të kancerit. Klientët shprehen shumë të kënaqur me cilësinë e produkteve dhe me mikpritjen e pronarëve. Ata thonë se sjellja e mire e pronarëve është një arsye shtesë për të blerë këtu.

“Jam myshteri i rregullt , vij rregullisht, gati çdo ditë. Të gjitha gjërat që i shet, i ka me kualitet të lartë. Jam i kënaqur si klient dhe për atë vij rregullisht te shitorja e tij”, tha Naser Fetahu.

“Babai im më sillte këtu kur isha i vogël. I kam njohur edhe prindërit e tyre, që prej atëherë vijë këtu, babai më sillte këtu, gjyshërit e tyre punonin këtu, baballarët e tyre punonin këtu, kjo është gjenerata e tretë”, tha Qazim Skender.

Pronari i kësaj kioske thotë se ndjehet sikur i gjithë qyteti është ndërtuar përreth kësaj kioske të vogël. Kujtimet më të mira i kanë ngelur nga koha kur vinte këtu si fëmijë i shkollës fillore me babanë e tij dhe kalonte verën në kioskë. Ai tani, sikur edhe babai i tij, sezonin e verës e kalon në shoqërinë dhe ndihmën e djalit të tij.

https://www.youtube.com/watch?v=vDjkmdi8Vgk

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here