Familja Krasniqi: Mevludin Ajdinoviqin e vrau një polic hetues

0

Familja Krasniqi: Pas këtij krimi makabër qëndron krejt dikush tjetër, por gjykata i ka fshehur dëshmitë, sepse autori i vrasjes është një polic hetues i lidhur me njerëz të fuqishëm.

Vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës – Departamentit për Krime të Rënda, të datës 11.09.2015 ku u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burg të përjetshëm Emin Krasniqi dhe Astrit Mehmeti për vrasjen e rëndë të Mevludin Ajdinoviqit nga Novi Pazari, po e kundërshtojnë dhe po e quajnë proces të montuar familjarët e të dënuarve. Madje sipas tyre, pas këtij krimi makabër qëndron krejt dikush tjetër, por gjykata i ka fshehur dëshmitë, sepse autori i vrasjes është një polic hetues i lidhur me njerëz të fuqishëm.

Babai i Emin Krasniqit, Muhameti nga fshati Zhilivodë, thotë se ka fakte se djali i tyre është i pafajshëm dhe nuk e ka kryer krimin për të cilin u dënua me burg të përjetshëm.

Ai e ka kontaktuar redaksinë e portalit “INFOKUSI”, pasi është publikuar rrëfimi ekskluziv i avokatit të palës së dëmtuar, e ku tregon versionin se si është kryer vrasja e Ajdinoviqit nga Emin Krasniqi dhe Astrit Mehmeti.

LEXO: Rrëfimi ekskluziv për dënimin e parë në Kosovë me burg të përjetshëm. Ja si ndodhi vrasja, çfarë roli kishte e mitura Festina C. dhe si e kanë kryer vrasjen Emin Krasniqi dhe Astrit Mehmeti

Muhamet Krasniqi ka thënë se në atë shkrim, avokati Musa Dragusha ka deklaruar të pa vërteta dhe ka dëshmi se Gjykata po tenton ta mbulojë një krim të kryer nga dikush tjetër.

Versionin e vrasjes se Ajdinoviqit, siç deklaron Muhamet Krasniqi e ka treguar para gjykatës edhe djali i tij Emini, por gjykata nuk e ka marrë parasysh.

Ai madje e ka ofruar edhe një dëshmi, që sipas tij e ka shkruar Emini, e ku e ka spjeguar në detaje se si B. H. dhe E. K., e kanë bërë vrasjen (Emrat e plotë të dy personave me iniciale, janë të njohur për redaksinë, por nuk do t’i publikojmë derisa të kontaktohen edhe palët tjera).

Sipas letrës së shkruar nga Emini, por edhe siç tregon babai i tij Muhameti, autori që e organizoi gjithë vrasjen, është B. H., zyrtar i Policisë së Kosovës, hetues në Stacionin Policor të Obiliqit dhe sipas tij pikërisht këtu qëndron dyshimi për fshehjen e gjurmëve në këtë rast.

“Me këtë rast po tentohet të mbulohet krimi i kryer nga një person zyrtar me funksion në polici dhe se për këtë gjykata ka pasur dëshmi, por nuk i ka marrë parasysh gjatë shqyrtimit të këtij rasti. Gjykata po ashtu ka fshehur numrat e telefonit nga telefoni i djalit, që dëshmon se me kë ka kontaktuar ai në natën kur u vra viktima. Djali im është viktimë e B.H., dhe se gjykatësja e këtij rasti Nora Dula- Bllaca, është treguar e njëanshme dhe kokëfortë ndaj fakteve”, ka thënë Muhamet Krasniqi.

Ai thotë se faktet e vrasjes u fshehën nga gjykata me qëllim të mbrojtjes së autorëve të vërtetë të vrasjes dhe të dënojë ata që janë të pafajshëm.

Ai ka treguar po ashtu se si familja tani ka vendosur t’u drejtohet organeve të drejtësisë ndërkombëtare.

“Të gjitha këto do t’i dërgojmë në EULEX dhe nga ata do të kërkojmë drejtësi. Djali është duke u kërcënuar edhe brenda qelive të burgut. Ai qe disa herë më ka thirrur për t’ma treguar rastin komplet, por kur shkoj frigohet. Unë e njoh, djalë e kam dhe e di sigurt se ai është duke u kërcënuar. Me siguri po kërcënohet nga personat që vërtetë e kryen krimin dhe ka kërcënime të vazhdueshme edhe tash, kur ai është në vuajtje të dënimit të përjetshëm”, ka pohuar babai i Eminit, autorit të dënuar tashmë me burg të përjetshëm për vrasjen e Mevludin Ajdinoviqit nga Novi Pazari. /INFOKUSI.COM/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here