Erisa Zykaj : «BE në rastin Serbi-Kosovë mund të bëjë zgjidhje të shpejtë që mund të sjellë kokëçarje»

0

Gazetarja nga Brukseli e «ABC News » dhe e « KLAN tv » Erisa Zykaj po mendon që Brukseli mund të bëjë për Kosovën dhe Serbinë një zgjidhje të shpejtë, e cila do të mund të sillte kokëçarje më vonë.

Zykaj e cila është edhe zëvendëspresidente e “Brussels Press Club Europe”, në një intervistë për portalin Online me gazetarin Uran Krasniqi ka thënë se dialogu Prishtinë-Beograd , që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë në këtë kontekst është një lloj viktime e një zgjidhjeje të shpejtë, për të treguar për dy vendet dhe shtete anëtare që po arrihet progres.

Sipas saj aktualisht procesi dialogues është në hije të Ukrainës, Greqisë, Spanjës, Britanisë së Madhe e Islandës duke qenë se i gjithë proçesi i zgjerimit është në stanjacion.

Zykaj ka trguar se nga autoritetet e Bashkimit Evropian ka vazhdimisht një lloj mirësjelljeje të ekzagjeruar deri në përulje ndaj kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të Serbisë. «Kjo vjen për aleanca historike që ne i njohim, por edhe sepse Serbia luan bukur kartën midis proçesit të anëtarësimit të Bashkimit Europian dhe forcimit të partneritetit me Rusinë », ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se politikanët shqiptarë tregojnë shumë inferioritet dhe komplekse ndaj Brukselit.

Zykaj shpreson që Shqipëria dhe Kosova deri në vitin 2025 mund të antarësohen në BE.

 

Një gazetare shqiptare në Bruksel, në vendin ku meqë janë të vendosura institucionet kryesore të Bashkimit Evropian, konsiderohet kryeqyteti i Evropës. Cilat janë sfidat kryesore të të ushtruarit të profesionit në këtë qytet? 

 

Sfida kryesore ka të bëjë me mosrënien në  kurthin e « reporterit propogandistik » të institucioneve europiane, nga ku trekëndëshi më i rëndësishëm është Komisioni Europian, Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Europian. Institucionet europiane janë burim informacioni i pashtershëm, duke qenë se aty hartohet, diskutohet dhe vendoset fati i kontinentit europian për 50 vitet e ardhshme dhe përcaktohet roli i Bashkimit Europian si një  ndër aktorët kryesorë për zgjidhjen e çështjeve të mprehta të globit. Ky informacion i pashtershëm që vërshon pothuajse krye çdo ore duhet verifikuar vazhdimisht, duhet venë në kontekstin e duhur dhe duhet lexuar edhe peshuar edhe në bazë të historikut të mëparëshëm. Përveç kësaj, informacioni që rrjedh nga institucionet europiane dhe kryesisht Komisioni Europian është shpeshherë shumë i përgjithshëm dhe gazetari duhet të jetë vazhdimisht shumë ambizioz në kërkimin e lajmit  për të mos « fjetur » mbi komunikatat dhe deklaratat e institucioneve europiane. Pothuajse gjithkush mund të raportojë se ç’thotë Komisioni Europian, Këshillimi i ministrave dhe Parlamenti Europian  Por janë të paktë ata që i ofrojnë publikut çelësin e zbërthimit të informacionit, që kërkojnë elemente shtesë për kuptimin dhe plotësimin e tij përmes intervistave, apo kontaktimit të burimeve të ndryshme, që shpjegojnë kontekstin nga ku vjen informacioni, si dhe prapaskenat e marrjes së vendimeve. Sfida e dytë për një gazetar të vendeve që aspirojnë integrimin europian është, se ai nuk ka luksin që të kontaktohet nga ambasadat e përhershme të shteteve anëtare që organizojnë vazhdimisht takime për informacion të detajuar në krye të çdo ministeriali për të gjitha politikat e Bashkimit Europian. Në këtë rast, gazetari shqiptar ose ballkanas duhet t’i bashkangjitet një grupi të një shtetit anëtar të caktuar dhe të bëhet kështu « një mysafir i paftuar » për të marrë informacionin. Por duhet thënë, që në përgjithësi, shtetet anëtare tregohen të hapura edhe me gazetarët e tjerë. Së treti, gazetarët që nuk punojnë për media të shteteve anëtare nuk trajtohen aspak me prioritet për politika të tjera që nuk kanë të bëjnë me zgjerimin e BE-së. Dhe së katërti, është perceptimi që vjen nga vetë zëdhënësat dhe kolegët, të cilët kanë nevojë që të të vendosin në një kategori të caktuar. Kur ndodhën ngjarjet e Charlie Hebdo,  më qëlloi  që të insistoja mbi dy pyetje drejtuar një eksperti europian për masat kundër radikalizimit të të rinjve europianë dhe rrugës që përshkon trafku i armëve për të arritur në tregun e zi europian. Duke qenë se luftë kundër terrorrizmit është një çështje ndërkombëtare, nuk e kuptova në atë moment se pse një kolege e një shteti anëtar duhet të preçizonte «  me shaka » që pyetjet po vinin nga një shqiptare.

 

 

Sa janë të hapura për informacion institucionet e Bashkimit Evropian?

 

Parlamenti Europian është pa diskutim institucioni ku gazetari mund të gjendet më afër së vërtetës dhe deklaratave konkrete. Këshilli i ministrave të krijon mundësinë që t’u shtrosh pyetjeve ministrave  çdo muaj dhe kryeministrave gjatë samiteve europiane. Ndërkohë, Komisioni Europian të krijon mundësinë për të shtruar pyetje çdo ditë, por problemi qëndron te përgjigjjet. Mungesa e përgjigjjeve konkrete nga Komisioni Europian për pyetje specifike reflektohet në boshatisjen gjithnjë e më të madhe të konferencës së përditshme së mesditës që zhvillohet në sallën e shtypit të këtij institucioni.Ka gjithnjë e më shumë gazetarë, që konsiderojnë humbje kohe të vijnë në konferencë dhe preferojnë të kontaktojnë drejtpërdrejt me ekspertë për çështje të caktuara dhe të gjejnë dokumentacionin përkatës online. Gjë që cënon në rradhë të parë misionin e servisit të zëdhënësve të Komisionit Europian, i cili konsiston në afrimin  e qytetarëve europianë  me organizatën që vendos për të tashmen dhe të ardhmen e tyre, si dhe kuptimin e politikave europiane që kanë një ndikim të drejpërdrejt në jetën e tyre të përditshme, të qytetarëve të vendeve që aspiriojnë integrimin europian dhe në pjesë të tjera të globit. Nga ana tjetër cënohet një nga parimet kryesore të misionit të ekzekutivit europian, që është ai i transparencës  Nëse shpesh mungon transparenca e vërtetë për gazetarët, atëherë imagjinoni ç’mund të thuhet për transparencën ndaj qytetarëve europianë.

 

 

Si u bë që të jeni edhe zëvendëspresidente e “Brussels Press Club Europe” dhe anëtare e bordit të Shoqatës së Shtypit Ndërkombëtar. 

 

Në Bruksel ka shumë pak gazetarë të rinj që e shohin gazetarinë jo thjesht si një profesion, por edhe si  një mision. Përveç kësaj, unë spikas edhe për njohjen e disa gjuhëve dhe për dinamizmin tim. Këto kanë bërë që një koleg francez të insistonte që unë të bëhesha pjesë e bordit të « Brussels Press Club Europe”. Mjaftuan vetëm pak javë më pas, që të propozohesha për postin e zëvendëspresidentes. Besoj, se mbështetja e kolegëve të mi  që votuan në favor të kandidaturës time erdhi nga fakti, se aty ku kam punuar, jam përpjekur për të sjellë vazhdimisht një vlerë të shtuar, se e marr çdo detyrë si një sfidë të re dhe i ve energjitë e mia në arritjen e rezultateve sa më të mira. Ndërkohë zgjedhja në bordin e Shoqatës së Shtypit Ndërkombëtar (API) ishte një fushatë e vërtetë e vijuar nga zgjedhje shumë konkurruese ngaku për 6 vota më shumë do të isha zgjedhur presidente e shoqatës. Mbështetja në këtë rast erdhi sërish, se unë mendoj, se mishëroj në një farë mënyre një urë lidhëse midis  Europës së Vjetër, Europës së Re dhe pjesëë tjetër të botës

 

A është dialogu mes Kosovës dhe Serisë në hije të problemit të Ukrainës, Greqisë, krizës në Spanjë dhe kërcënimit të Britanisë së Madhe për shkëputje si dhe nën ndikimin e kësaj situate me këto probleme a mund të jetë Kosova në ndonjë mënyrë viktimë e ndonjë zgjidhje të shpejtë, e cila mund të sjellë kokëçarje në të ardhmen?

 

Aktualisht është në hije, duke qenë se i gjithë proçesi i zgjerimit është në stanjacion. Humbjen e manjetizmit të tij e dëshmoi së fundmi edhe vendimi i qeverisë së Islandës për të pezulluar negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Vëmendja kryesore e mandatit të parë të Komisionit Juncker (2014-2019) është fokusuar te politika e fqinjësisë. Situata e re gjeopolitke tregoi që Bashkimi Europian nuk u gabua në këtë fokus, por gabimi në këtë rast është se kjo organizatë nuk po i kushton të njëjtën vëmendje proçesit të zgjerimit. Qasja është e tipit : «  Ne do jemi gati, kur të bëni detyrat e shtëpisë ». Sigurisht që janë kryesisht qeveritë e vendeve përkatëse ato që duhet të kryejnë detyrat e shtëpisë, por kjo kërkon një orientim dhe monitorim rigoroz nga Bashkimi Europian. Kjo gjë nuk po ndodh dhe kjo mund t’i kushtojë shumë kredibilitetit të kësaj organizate dhe mund të rrezikojë destabilizimin e Ballkanit. Dialogu Prishtinë-Beograd , që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë në këtë kontekst është një lloj viktime e një zgjidhjeje të shpejtë, për të treguar për dy vendet dhe shtete anëtare që po arrihet progres. Vendimet që merren në kuadër të dialogut nuk janë « shumë transparente ». Në përfundim të çdo raundi, secila palë ka interpretimin dhe leximin e saj të marrëveshjes dhe ka raste siç ndodhi me raundin e fundit, ku u zbulua, se një vendim për sistemin e drejtësisë në Veriun e Kosovës që dukej i mbyllur dhjetë muaj më parë nuk ishte pranuar në praktikë nga palët dhe si rezultat u desh të diskutohej sërish. Kjo mund të ndodhë  edhe për çështje të tjera, të cilat njëra palë apo tjetra mund të kontestojë sërish më vonë gjatë proçesit të anëtarësimit,. Pra, rrjedhimisht mund të jetë një zgjidhje e shpejtë që mund të sjellë kokëçarje më vonë.

 

Mosvënia e flamurit të Kosovës në mjediset e institucioneve të BE-së, dalja në fotografi e Përfaqësues së lartë me kryeministrin e Serbisë duke qeshur shumë e me kryeministrin e Kosovës duke qeshur më pak, sikur e reflektojnë edhe qasjen e BE-së në raport me këto shtete. Çfarë mendoni ju?

 

Ka vazhdimisht një lloj mirësjelljeje të ekzagjeruar deri në përulje ndaj kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të Serbisë. Kjo vjen për aleanca historike që ne i njohim, por edhe sepse Serbia luan bukur kartën midis proçesit të anëtarësimit të Bashkimit Europian dhe forcimit të partneritetit me Rusinë. Së fundmi në seancën plenare  të Parlamentit Europian në Strasbourg më shumë se dy eurodeputetë vunë theksin te potenciali energjitik që përbvën Serbia për rajonin. Shumë pak dijnë në fakt, që Shqipëria është po aq potencial energjitik në rajon sa Serbia dhe ndoshta më shumë me kalimin e gazësjellësit transadriatic TAP që do të bëhet realitet në pak vite.

 

Si i shohin zyrtarët e BE-së Shqipërinë dhe Kosovën?

 

Zyrtarët europianë nuk shquhen për vizion të qartë në rajonin e Ballkanit. Amerikanët në këtë rast kanë një vizion shumë më të qartë se europianët dhe kanë strategji afatgjata në rajon. Kjo më bën të mendoj për kontrastin e madh me leksionet që kam marrë gjatë studimeve të masterit tim të parë në Francë, ku mësova se me krijimin e Bashkimit Europian, baballarët e Europës krijuan një nga projektet më të bukura politike, ekonomike dhe sociale që ishte krijuar ndonjëherë, që solli paqen dhe prosperitetin në kontinentin europian. Zbatimi i këtij projekti të bukur është aktuazlisht shumë larg ëndrrës së krijuesve të tij.

 

Cilat janë vërejtjet e juaja për qasjen e Tiranës dhe të Prishtinës në raport me Brukselin?

 

Politikanët shqiptarë tregojnë shumë inferioritet dhe komplekse ndaj Brukselit. Ata harrojnë, që vlerësimi nuk vjen si rezultat i përuljes, por si rezultat i përballjes me argumenta të forta, me zgjuarsi, takt dhe punë të palodhshme. Ndërkohë, për fat të keq, edhe ata liderë shqiptarë  që nuk vuajnë nga komplekset, nuk kanë thelb, por vetëm formë dhe mundohen të shesin reforma të mëdha kur realiteti flet për të kundërtën.

 

Kur mendon që Shqipëria dhe Kosova do të jenë pjesë e BE-së ?

 

Të shpresojmë pas dhjetë vjetësh, në 2025.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here