Eprore me epshe nëpër institucione…

0

GERINA MULLAJ

Shumë nga të njohurat e mia, mbledhur nëpër parukeri-ra, të kapardisura dhe të papuna flasin për cështjet e ditës dhe problemet e jetës vetëm aty. Disa janë të bukura por shumica të trishtuara; Megjithëse të gjitha hiqen të shkujdesura dhe hijerënda, ka një vend që i shtyn të shpalosin realitetin brenda tyre, dhe ky vend është pikërisht parukeria, ku zakonisht, gratë i “hapin barkun” parukjeres njëlloj sic i rrëfehen katoliket e devotshme priftit. Para pak kohësh shkova të rregulloj flokët si shumica, me rastin e festave, dhe u bëra pjesë e një bisede për papunësinë. ” I njëjti avaz moj motër, kërkojmë punë por, në vend të punës gjejmë burra” thosh një vajzë si e kapur në cark mes duarve shkumosëse të parukieres. “Kërkoj të gjej- vazhdoi- një vend pune ku nuk do më duhet të provoj fyerjet që eprorët i bëjnë integritetit tim fizik dhe moral duke mu vardisur si adoleshëntë me hormone të cartura. Unë jam e re, e pambrojtur, s’kam miq por kjo s’do të thotë që jam naive. Kuptoj përnjëherë si jargavitet shefi nga fiziku im dhe kërkon të më blejë si të isha plackë e përdorur pazari. C’të bëj? Unë kështu jam, e gjatë dhe e hijshme? C’faj kam unë për këtë? Se mos zgjodha unë të jem e bukur? Jo motër e dashur, s’kam faj unë që burrat nuk përmbajnë dot ekzaltimin dhe nuk kuptojnë dot se postet drejtuese janë postet ku drejtuesi duhet të jetë model, duhet të jetë frymëzim, të rrezatojë vlera, korrektësi, disiplinë. Të respektojë mbi të gjitha vendin e tij të punës”. E dëgjjoja përmes një dashpërimi që sjell e vërteta e hidhur. Kjo vajzë kishte të drejtë. Aty ku duket se një femër është e bekuar për shkak të bukurisë, hireve, trupit, lëkurës, rinisë së saj, aty kupton edhe se bukuria shënon njëheresh mallkimin e saj më të madh. Një vajzë e bukur dhe e re është e dënuar të ngjall epshet e mprapshta të meshkujvë. Le të jenë ata meshkuj në karierë, meshkuj në poste të rëndësishme, meshkuj të martuar, meshkuj të kollarisur e të parfumosur, apo meshkuj të fishkur…në c’do rast ngelen meshkuj dhe si meshkuj ata mendojnë se kanë të drejtën natyrore të kënaqin manitë e tyre seksuale me c’do formë, me c’do kusht. Eshtë më mirë të vuash për bukën e gojës sesa të vuash për dinjitet e të punosh nëpër zyra ku personaliteti i shefave qelbet erë më keq se Lana. E përfytyroj këtë mallkim si hije të zezë, përfytyroj se si muret e institucioneve të Tiranës, edhe më tej, vishen ngadalë me igrasinë e djersës që kullon poshtë këmishave të drejtorëve sa herë ata përplasen me sekretaret e tyre; përfytyroj imagjinatën e tyre që ju ngacmon qetësinë mbremësore teksa në shtrat kanë bashkëshortet ndërsa nëpër mendime kanë sekretaret; Kam menduar me trishtim se në këtë galeri të frikshme epshesh të qeverisura nga coroditja e instikteve mashkullore vajzat e reja janë të pambrojtura, të pafata, të pashpresa. Megjithate kjo është koha kur si asnjëherë tjetër ne femrat, dishepulle të dinjitet tonë, duhet të qëndrojmë të hekurta, të fisshme, të papërkulura. Nëse ata, Judenjtë e kohëve moderne, tradhëtojnë gratë dhe parimet e tyre, ne duhet përkundruall, të forcojmë shtyllat e tempullit të ndershmërisë sonë. Ti ndihmojmë të kuptojnë se trupi jonë nuk mund të zëvëndësojë diplomën e universitetit, se trupi nuk duhet të jetë mjeti për të fituar një vend pune. E ndjej sesi bucet në shoqëri klithma femërore për të mos u bërë garniturë për orekset e epshit, ngaqe meshkujt shqiptarë nuk janë si shkrepset suedeze që ndizen vetëm me kuti të vet. Gruaja në shtëpi nuk mjafton për ti përmbushur, kështu ata kërkojnë gjithëherë mundësi të tjera nëpër ambjente të tjera. Cila është zgjidhja? Zgjedhja e së keqes më të vogël e cila në c’do rast duhet të jetë pro moralit tonë. Shumë mirë që luftohet dhuna fizike ndaj gruas por dhuna më e dhimbshme është dhuna morale. Shoqëria ime dëshpërimisht vuan nga kjo dhunë për të cilën askush nuk ndjehet, askush nuk proteston, askush nuk ngrihet. Ajo është e vërtetë si acari i dimrit, e heshtur dhe e fshehur përmes ndershmërisë së shtirur të institucioneve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here