Epitaf

0

NDOC GJETJA

Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja

i cili pati ardhur gabimisht në botë,

ai nga vetja e tepruar nxirrte vjersha

dhe gjithë njerëzit i quante shokë.

 

Kur pa që ëndrra kalkulohej në kompjuter,

kur pa që idealet rrëzoheshin në kolltuqe,

kur jepte buzëqeshje e merrte skërmitje,

zuri sytë me dorë dhe vendosi të ikte.

 

Dhe shkoi e hyri në Manastirin e Unit

të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e Lehjes

… pastaj e përcollën te banesa e fundit

te vila dymetërshe e ullishtes së Grykëzezës.

 

Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur

e puthi në ballë dhe thirri “Nënë”…

Mos kërkoni të dini për të më tepër

se iku sikur të mos kishte qenë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here