Emira Shaipi: Dashuria për Prishtinën dhe Preshevën e madhe, e njëjtë

0

Prezantuesja e njohur e televizionit “Rrokum”, Emira Shaipi, nuk mund të ndajë Prishtinën nga vendlindja e saj, Preshava.

Për Kosovën, ajo flet me emocion të veçantë, duke thënë se emri të rrënqeth e ajri të mjafton. Në intervistë, Shaipi tregon për jetën jashtë ekranit, kohën e lirë, leximin, burrin ideal…

 

Kush është Emira Shaipi jashtë ekranit televiziv?

Të punosh në media është ngarkesë. Është sukses nëse ia del që të gjesh kohë për gjëra të tjera. Unë punoj nga e marta deri të dielën. Një ditë e kam pushim dhe atë ditë shkoj te prindërit në Preshevë. Pastaj pi kafe me shoqërinë time dhe kontaktoj të afërmit me të cilët puna nuk më lë që të jem çdoherë në kontakt. Kam filluar edhe Masterin në Gazetari dhe kam shumë pak kohë të lirë.

Keni studiuar Gjuhën dhe Letërsinë, ndërkaq merreni me Gazetari, pse?

(Qesh v.j) E vërtetë, këtë pyetje ma bëjnë shumë. Kam mbaruar studimet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për Gjuhë dhe Letërsi, por megjithatë Gazetaria dhe moderimi ishin pasion im i fshehur dhe me është ofruar mundësia ta ushtroj këtë profesion në televizionin “Rrokum” dhe po e bëj me shumë kënaqësi dhe dëshirë të madhe.

A ndiheni më mirë në Preshevë apo në Prishtinë?

Një pyetje që më bën të jem mes dy zjarreve. Presheva është vendlindja ime, vendi ku kalova fëmijërinë, ku u rrita, mësova etj. Ndërkohë asnjëherë nuk jam ndarë nga qyteti i Prishtinës, që në moshë të vogël vija tek të afërmit, zakonisht kur kisha pushime nga shkolla. Pastaj kur erdhi koha e studimeve, familja e dinin se përzgjedhja ime ishte pikërisht Prishtina. Kam krijuar një lidhje shpirtërore me Prishtinën, kur jam larg saj më mungon shumë, njëjtë ashtu si edhe Presheva. Pra nëse më lejohet të them, të dyja i dua shumë dhe ndjehem mjaft rehat si në Prishtinë ashtu edhe në Preshevë.

Cili është libri i fundit që e keni lexuar dhe a i kushtoni kohë leximit?

Jam një adhuruese e flaktë e librit dhe profesionin që kam zgjedhur ta studioj prandaj është Letërsia. Më kujtohet kur isha në moshën pesëmbëdhjet vjeçare më zgjodhën lexues të vitit në Biblioteken e qytetit në Preshevë. Ky pasion vazhdoi edhe në studime, ku edhe e kishe të pashmangshëm librin, mirëpo e bëja me shumë kënaqësi dhe dëshirë të madhe. Tani që jam në media, thënë të drejtën koha është e limituar dhe jam larguar sa do pak nga leximi. Por megjithatë libri i fundit që e lexova është “100 ligje absolutisht të pathyeshme të suksesit në biznes”, nga Brian Tracy. Dhe ia preferoj secilit person që ka pasion leximin, ngase me të vërtetë ishte një libër që mund ta ndryshojë edhe jetën.
Çfarë nuk iu pëlqen në Kosovë dhe për çfarë e doni Kosovën?
Pyetje e vështirë kjo! Dhe e kam vështirë të them çfarë nuk më pëlqen. Vetë fjala Kosovë është rrënqethëse për secilin që e ndjen veten shqiptar. Ndoshta vetë fakti që Presheva ka mbetë me një kufi që se lëviz dot në anën tjetër . Fakti që kemi kaluar nëpër periudha mjaft të vështira, ku përjetuam luftën, humben shumë njerëz të dashur, humbëm mjaft materialisht, unë mendoj se Kosova ka arritur mjaft ta marrë veten këto vite paslufte. Andaj në Kosovë gjithçka është e mirë, me një fjalë ajri i Kosovës të mjafton.

Si është një burrë ideal në mendjen Emirës? 

(Qesh v.j.) Hmmm… një burrë ideal. Të them të drejtën nuk ka perfeksion në person, andaj preferoj të ndaj jetën me dikë që vlerëson të mirat dhe sinqeritetin, dikush që e ke në të mirë e në të keqe, me një fjalë dikush që është dora tjetër e djathte e jotja.  Mangësi kemi të gjithë.

Cilat janë planet tuaja në të ardhmen?

Plane ka shumë, po punoj që të realizohen në të ardhmen, sepse planet të motivojnë për të ardhmen, për të nesërmen, apo jo? Për momentin po angazhohem në studime, si dhe planifikoj disa udhëtime.

A më vështirë te jesh intervistuese apo e intervistuar?

(Qesh v.j) Më beso se qenka shumë  vështirë të jesh e intervistuar, jam mësuar vetëm që të intervistoj, dhe as ajo pozitë nuk është e lehtë.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here