Ekzode

0

ARDIAN VEHBIU

Këto ditë, mu në mes të debatit dhe keqardhjes patriotike për ekzodin e shqiptarëve nga Kosova, ja ku ia behu edhe një hetim i Agon Channel, sipas të cilit vetëm gjatë vitit 2014, 46 mijë vetë janë larguar edhe nga Shqipëria – dhe kjo pa llogaritur orvatjen e dështuar të Vlorës, një përsëritje në formë farse të ekzodit masiv të vitit 1991.

Lapsi.com, që e përmend këtë lajm, thotë edhe se gjatë dhjetë viteve të fundit nga Shqipëria janë larguar 400 mijë vetë. Sidoqë ta rrotullosh këtë shifër – duke e interpretuar sikur shqiptarët nuk e përballojnë dot varfërinë dhe papunësinë, ose nuk kanë shpresë te udhëheqësit e tyre politikë, ose nuk u pëlqen sistemi i korruptuar i administratës, ose mendojnë se mund të rregullohen më mirë gjetiu, ose në Shqipëri ka popullsi të tepërt, ose nuk duan të jetojnë bashkë – shifra vetë mbetet e rëndë.

Zhurma në media për investimet e huaja që do të derdhen në Shqipëri, edhe sikur të ketë bazë, sërish nuk zgjidh shumë; tek e fundit, po të jetë fjala për të punuar në një call center, apo në një sweat shop në Tiranë, Durrës a Vlorë, shqiptari parapëlqen ta bëjë të njëjtën punë përtej detit, nën të njëjtët padronë – meqë atje paguhet shumë më mirë. E njëjta forcë që i sjell investitorët e huaj tek ne, do t’i çojë qytetarët shqiptarë tek ata.

Midis të qenit shqiptarë etnikë dhe qytetarë të Republikës së Shqipërisë, duket se shumë prej nesh mendojnë se u mjafton e para; ndërsa e dyta nuk u sjell asnjë përfitim. Dhe ky është dështimi më spektakular i elitave politike, ekonomike dhe kulturore të vendit; të cilat po humbin dita-ditës pikërisht atë masë njerëzish që i bën ato vetë të jenë elita.

Ironikisht, këtë ikje të shqiptarëve – jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga Kosova dhe për të njëjtat arsye – e ndihmojnë dy faktorë të papritur: mundësia e të ikurve për t’u kthyer në vendin e tyre kur të duan, ose lehtësia e zhvendosjes në kontinent, përfshi këtu edhe çmimin e lirë të biletës; dhe mundësia e të ikurve për të qenë në kontakt të përditshëm me familjen dhe farefisin e tyre, falë teknologjive të reja të komunikimit: celularit, Skype-it dhe SMS-ve.

Elitat, përfshi këtu edhe ata që janë në pushtet, duhet të gjejnë mënyra të reja, për t’i mbajtur qytetarët të lidhur pas truallit; sepse të vjetrat, përfshi këtu edhe retorikën patriotike ose atdhetarinë si formë dëfrimi, nuk po funksionojnë më. Dhe e them këtë jo sepse të jetosh në Shqipëri është ndonjë detyrim moral; meqë nuk është; por sepse në kushte normale – nuk po them ideale – një shqiptar do të jetonte gjithnjë më mirë në komunitetin e vet vendës; dhe se ikja është gjithnjë traumatike, madje edhe sikur nga ana tjetër të ta shtrojnë rrugën me qilima.

Dhe meqë flasim për ikje, argumentit i është kthyer këto ditë edhe një publicist që, kushedi për ç’arsye, e quajnë të gjithë “filozofi” Artan Fuga, me një shkrim konspirativ për shkaqet e ekzodit të vitit 1991, nxjerrë nga libri në punim e sipër “Mistere të historisë shqiptare.”

Shkrimi i Fugës mbështetet mbi disa përshtypje sipërfaqësore të autorit dhe disa arsyetime të vogla për anijet në molo, për të zbuluar një të vërtetë që, të paktën në Shqipëri, e di edhe bufi: që qeveria shqiptare në vitin 1991 vetëm sa bëri sikur po e pengonte dyndjen e qytetarëve të vet drejt portit të Durrësit; por në fakt e inkurajoi ekzodin, si një lloj valvule për të çliruar presionin social brenda vendit.

Por Fuga gabon – në mënyrë të pabesueshme – kur e zbaton të njëjtën teori konspirative ndaj palës pritëse, ose Italisë; meqë, sipas tij, edhe Italia veç “ka bërë sikur” nuk e dëshironte ekzodin, duke bërë, po e them me fjalët e “profesorit”: rezistencë sa për të thënë.

Shkruan Fuga:

Po të donin autoritetet e atëhershme italiane i kthenin anijet me rimorkiatorë qysh në det dhe me kaq historia mbyllej.

Dhe kështu i vë kapakun një arsyetimi që nuk qëndron, sidoqë t’i qasesh.

Filozofi ynë, për fat të keq, nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë; meqë për ekzodin e vitit 1991 ka një numër studimesh të hollësishme, mes të cilave edhe libri i shkruar prej Rando Devoles dhe meje, me titullin La Scoperta dell’Albania, Edizioni Paoline 1996; dhe ku paraqitet mjaft qartë – besoj unë – vështirësia, në mos kriza ku u ndodhën autoritetet italiane, para situatës së paprecedent të së drejtave të njeriut, që u krijua me dyndjen e shqiptarëve drejt brigjeve të Puglia-s, në mars të vitit 1991.

Autoritetet e atëhershme italiane nuk mund t’i kthenin anijet me rimorkiatorë qysh në det; sepse shteti italian kishte ligje për trajtimin e refugjatëve, të cilat ligje autoritetet italiane ishin të detyruara t’i zbatonin; madje prandaj edhe ishin në pozicionin e autoritetit, që t’i zbatonin ligjet.

Për ta kuptuar më mirë këtë, mjaft t’i referohemi dyndjeve të ngjashme të pak muajve më pas; kur ekzodi u përsërit në fillim të gushtit 1991, sërish me bashkëfajësinë e “autoriteteve” (nuk mund veçse ta vë këtë fjalë në thonjëza) të Tiranës; por ndërkohë italianët e kishin përpunuar një politikë të re administrative me refugjatët, të cilën e zbatuan pa hezitim dhe i kthyen këta praktikisht të gjithë me avion në Shqipëri – duke u dhuruar disave syresh edhe kënaqësinë e fluturimit të parë në jetë.

Të gjitha këto janë shkruar, analizuar dhe sqaruar prej kohësh, sa i përket Italisë.

Edhe nëse nuk e lëçit italishten, Fuga mund të kishte shfletuar një numër të posaçëm të revistës Përpjekja (26-27), të drejtuar nga Eda Derhemi dhe kushtuar emigracionit shqiptar të viteve 1990; ku janë botuar, të përkthyera, pjesë të librit tonë dhe shkrime të tjera, që do ta kishin ndihmuar autorin t’u rrinte larg gjepurave.

Ose mund të kish parë filmin dokumentar Anija (La Nave) të Roland Sejkos për ekzodin; fundja edhe filmin tjetër dokumentar La Nave Dolce të Daniele Vicari-t; në vend që të bënte këtë brain storming qesharak, në bazë të një muhabeti “me një zyrtar të lartë në bulevard” – të cilit nuk ia përmend as emrin.

Ky zyrtar i lartë, “personazh publik shumë i lartë i kohës” i paska thënë tonit:

Do të ketë të reja së shpejti, janë gjendur mundësi që Perëndimi të ofrojë rreth njëqind [sic!] vende pune për shqiptarë që duan të punojnë atje.

Doemos, shifra “njëqind” është lajthitje; do të ketë qenë fjala për “njëqind mijë” – se njëqind vende pune mund t’ua ofronte shqiptarëve deri edhe administrata e universitetit në Paris ku ka studiuar dikur filozofi Fuga.

Dhe kjo e tanishmja e profesorit nuk është e vetmja teori konspirative për ekzodin; disa të ngjashme janë përsiatur këto ditë edhe për dyndjet ikëse nga Kosova, të cilat ndonjëri ua ka faturuar serbëve (në Kosovë ndonjëherë edhe motin e keq ua faturojnë serbëve ose agjentëve të tyre në Prishtinë).

Pa çka se autori vëren, në trupin e esesë së tanishme, se “sigurisht, nuk jam ndonjë partizan i teorive komplotiste”…

Në fakt, sikur të gjente pak kohë, mes punëve të shumta dhe sfilitëse, për t’u marrë me shkaqet sociologjike dhe psikologjike që i shtyjnë shqiptarët për të ikur, masivisht dhe sot e kësaj dite, nga trojet e tyre, Artan Fuga do të ndihmonte, me kapacitetin dhe kompetencën e vet, për të kuptuar më mirë edhe se çfarë ndodhi pikërisht në vitin 1991.

Pastaj, gjithnjë sikur t’i mbetet akoma kohë dhe energji, mund t’u kthehet atyre që janë thënë dhe shkruar për krizën që shkaktuan refugjatët në Italinë e atyre viteve; madje edhe në kuadrin më të gjerë, të debatit në lidhje me politikën e Europës së atëhershme ndaj vendeve të Lindjes; meqë në vitin 1991 parimi i “dyerve të hapura” ende konsiderohej si i shenjtë nga Brukseli.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here