Eksodi i shqiptarëve të Kosovës

0

BEHAR GJOKA

Askush nuk e di, e të gjithë e shohin dhe ngrenë supet me naivitet të shtirur. Askush, në këtë anë, e në atë anë të kufirit, nuk bën diçka që të kuptoj këtë lebeti, e të gjithë gërgaten në paqëtim vrastar, në një heshtje mortore kulimash, që zdrahen si derra të kënaqur, në hajet e vjedhura këtyre moteve në pushtet. Askush nuk e sheh veten si fajtor të tmerrit dhe zezonës, ku shqiptarët e lirë, sa ironike duket kjo, më zi se dikur ikin prej dheut të vetë. Prej dheut të lirë nga serbët, që pasi bënë kaq shumë të zeza, sillen si hijenat dhe shtihen si të pafajshëm. Prej dheut, tashmë të lirë dhe të pushtuar nga vetja. Eh, nuk paska si ky pushtim, ku horrat dhe harragopët e pushtetit qeshen nën buzë, e fëmijtë e lavarur në kraharorët e lodhur të prindërve të vetë, tremben dhe hutohen. Tremben nga udhëtimi ditën e natën, në shi e borë, në dimrin e frikshëm të 2015. Tremben nga prania e policisë serbe, që kënaqet dhe mrekullohet, godet dhe arreston pa drojën se po dalin përsëri zbuluar në sytë e botës me këtë nguti, se po realizohet ëndrra e tyre, pa qenë nevoja për të shfarosur me genocidin e radhës shqiptarët, si dikur. Hutohen se pa lënë qiellin e Kosovës, të Lokes së vrarë në shekuj, e tash të vrarë në lirinë gjysmake, me menduar çka të duash, me vete ama, e me mos bërë atë që dëshiron… Pyesim në hava, çfarë po ngjet atje? Ikin, ku sytë këmbët, në kërkim të një jetë më të mirë, sepse atdheu i tyre, i lirë nuk u jep shpresë për sot dhe nesër! Po lënë Kosovën, vatrat ku lindën dhe u rritën, ku ende ndeshet përflakja e luftës së serbëve në fund të shekullit të kaluar, si një reagim i dështimit të klasës politike, pavarësisht krahëve. Ikja e tyre, në një kuptim, këtë thotë, tjetër se mentarët e mbrothësive të poltoronave të politikës, të mbushjes së xhepave të tyre, ngrysin vetullat, mbytur në fajsinë që nuk e mbulon asgjë. As mendja e akademikëve të qeverisë, e as trimëria e dikurshme e luftëtarëve, nuk ka zë, se në këto vite i lanë në mjerim dhe vetmi. Po, pra, eksodi i burrave dhe grave, rinisë dhe fëmijëve, i lë pa gojë të gjithë. Ata, politikanët që vonuan kaq shumë për qeverinë, që nxisin protesta në kohën kur ngjet ikja e madhe, si dështak modern, si kaposhat majë mullarit, ecin kryeneç dhe të molepsur ndërgjegjesë së fjetur, në vijat e tyre të mbajtjes së pushtetit, të ëndrrave të shkartisura për të marrë pushtetin, si e si me qeverisur fitimet e veta, në kurriz të qytetarëve të Kosovës, e sidomos të njerëzve shpresëvrarë që ikin pa ndalim. Mos vallë ikja e tyre, biblike po thuhet ngado, vjen si rebelim ndaj politikës, hiqe mos e këput të lojës së faktorit ndërkombëtar me serbët?! Eh, shekulli i shqiptarëve, besuam shumë se vërtetë ishte shekulli ynë, kur u shpall pavarësia e Kosovës. Pavarësi me kushte, pavarësi e kontrolluar, pavarësi që kushtëzohet dhe nënshtrohet interesave serbe, qëllimeve të tyre të mbrapshta edhe në këto momente tmerri. Pavarësi e kushtëzuar në flamur, në himn, në të drejtën e vetvendosjes, që ajo që duan shqiptarët e Kosovës e dinë më mirë të tjerët, e dinë fort mirë serbët, që edhe pse kryen terror, tani sillen si viktima dhe fitimtarë. Askush nuk na siguron që ikja e tyre, për një jetë më të mirë ekonomike, për kushte sigurie, për të shpëtuar nga hijet e pranisë serbe, nuk është edhe një protestë ndaj mungesës së vizave dhe lëvizjes së lirë të këtyre qytetarëve. Vetëm qytetarët e Kosovës nuk kanë viza! Vetëm shqiptarët e Kosovës, enden dyerve të botës, pa të drejtën që të jenë të lirë dhe të barabarët më të gjithë të tjerët, që të lëvizin si qytetar të Europës. Ndalni turrin e etjes për pushtet, politikanë dritëshkurtër, ndaleni vrullin e ikjes, o dijetar e akademik, pa tru të qeverisë, ndaleni helmin e shpirtit të njerëzve që kanë humbur besimin se aty mundet më pasë një jetë normale. Nuk meriton eksperimente më tej Kosova, qytetarët e saj…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here