Eksodi i fundit

0

GRESË SERMAXHAJ

Të fillojmë jetësimin e shtetit tonë ishte pa dyshim sfidë në vete. Kosova një vend të cilin lufta e fundit e la në gjendjen e një kuazi-shteti sot po përjeton eksodin modern te popullsisë. Po e quaj modern jo per shkak të kohës kur po ndodh, por për shkak të bindjes së krijuar që tashmë vendi ynë është emancipuar, pavarësuar dhe modernuar. U modernuam, mu në kohën e post-modernizmit. Ndoshta ky anakronizëm është indikatori kyç i trazirave sociale që sot po i jetojmë. Marrë guximin dhe them trazira sociale, se një vendi te vogël dhe te varfër si ne nuk i duhet plotësuar edhe shumë kushte për të arritur në stadin e trazirave sociale që padyshim kanë në qendër jolegjitimitetin politik.

Ikja e qytetarëve drejt vendeve perëndimore, apo më mirë thënë larg çdo vendi që nuk është Kosova është reflektim i fuqisë famëkeqe që ka politikbërja kur ajo ushtrohet si pushtet autoritar, e jo si kompromis apo konsensus për permiresimin e sferës publike ne shoqëri.

Politikanët që na udhëheqen drejt Pavaresisë dhe pas saj injoruan përgjegjesine që kanë mbi supe, përgjegjesi e cila po që se ushtrohet në formën e duhur shndërrohet ne privilegj. Ata e kuptuan politikën si pushtet centralizues, e në ndonjë rast edhe shtrim të rrugëve, apo përurim të ndonjë objekti tejet modern në shoqerinë tejet të varfër.

Këmbëngul që këtu qëndron gabimi esencial, pra në ndarjen tërësore të politikëberjes me memorien apo moralin kolektiv. Me një fjalë, jo vetëm ndarjen e politikës nga morali por edhe uzurpimit  qe iu bë vendit me politike boshe. Poltikë e tillë që asnjëherë nuk erdhi nga poshtë -lartë,nga nevojat e qytetarëve të hartohen poltikat. Politikë që përveç që vjen nga lartë poshtë, nga përfitimet insitucionale hartohen poltiikat shoqërore. Politikë që instaloi ndarjen e ngurtë dhe të kudogjendur në mes insitucioneve dhe qyetarëve si subjekte.Gabim ky që po përsëritet edhe në pikëpamjen publike mbi ikjen masive te qytetareve. Udhëheqja nuk është e ngurtë dhe tërësisht pragmatike, udhëheqja ështe art i përputhjes dhe përkthimit të nevojave subjektive dhe morale te shoqërisë në hierarkinë më të lartë politike dhe juridike, në të qenurit shtet. Politikanët tanë qëndruan indiferentë ndaj çdo kërkesë qytetare që nuk ishte e vulosur zyrtarisht dhe e dërguar në ndonjë insitucion burokratik shtetëror. Ata nuk kuptuan nevojën për dinjitet dhe besim në strukturat udhëheqëse. Po këta dështuan ta bëjne detyrën kryesore, t’i kuptojnë qyetarët si fillimin dhe fundin e pushtetit.

Andaj, çdo shkëputje e ikjes së qytetarëve nga dinjiteti dhe i ashtuquajturi moral kolektiv konsideroj që është anësore apo edhe e gabuar në esencë. Ikja sipas te gjithë zërave po bëhet për shkaqe ekonomike, madje disa analiza po supozojnë  lidhje në mes të qenurit popull individualist. Sa për të kujtuar që populli ynë nuk u varfërua sot, ai ka kohë që është i tillë. Sa për të kujtuar që populli ynë si derivat i një shoqërie tradicionale dhe me solidaritet të theksuar nuk pati asnjëherë qasje individualiste. Kolektivizmi e karakterizoi dhe ende e karakterizon. Por, për ta parë këtë duhet të jesh kolektivist së pari në vete. Si mundet dikush të gjykojë një individ që po kërkon jetë më te mirë si qenie, kur ai u mbyt nga politika skajshmërisht vetjake qe e vrau shpirtin e tij?!

Një përpjekje për të cekur pikat kryesore të kesaj dukurie në rritje:

Arsyet e ikjes: Qyetarët po braktisin vendin me vetëdije dhe me logjikën që çdo opsion tjetër është më i mirë se Kosova. Qyetarët qe ikin nuk braktisin vetëm atë qe aktualisht posedojnë, ata realisht po heqin dorë nga çdo gjë qe potencialisht mund ta kishin në të ardhmen. Që i bie, një familje me standard mesatar heq dorë nga pritja e perfitimeve nga fëmijet e tyre të shkolluar dhe të punësuar në të ardhmen, një familje që jetoi me ndihmë sociale heqë dorë nga ajo dhe nga përfitimi i rritjes eventuale të saj dhe një i punësuar heq dorë nga paga potenciale në ngritje. Ata po privojnë veten nga çdo gjë që ky vend mund të ju ofronte.  Gjithashtu, sa për varfëri nuk na duhet të shkojmë larg, gjendja e vendeve të Ballkanit në përgjithesi nuk është dukshëm më e mirë krahasuar me Kosovën. Kështuqe varfëria si shkak absolut  dhe solitar nuk shërben në kuptimin e problemit.

Deklaratat e qeveritarëve: Absurdi më i madh mbetet këtu. Si ka mundësi që personat përgjegjës  shfaqen në media duke hamendësuar gjasat e azilit? A mos po i bie kjo që nëse e gjejmë vendin ku marrim azil dhe beneficone te ikim të gjithë? A po i bie kjo që ata janë  tërësisht të pafuqishëm dhe çdo gjë tenton të arsyetohet me faktorët e jashtëm. A po i bie kjo që ata nuk jane te vetëdijshem për pasojat kulturore dhe sociale të ketij fenonemi? Ata po i kuptojnë vetëm pasojat e ngurta,ato  politike. Kur qeveria fajëson trafikantët se po mashtrojnë qytetarët, ajo nxjerrë në pah mënyrën se si  na sheh tash e 15 vite: si lehtë të manipulueshëm.

Serbia dhe Hungaria: Tashmë të gjithë e dimë zingjirin gjeografik se si po realizohet ikja. Por, kush nga ne po befasohet që Serbia i hap lehtas kufijtë për qytetarët tanë? Kjo paraqet jetësimin e politikës kryesore serbe, vetëm kësaj radhe pa u munduar atë vetë. Kurse Hungaria ndoshta po tenton të eksperimentojë më pak apo më shumë me efikasitetin e politikave të azilit në mes shteteve anëtare të BE-së. Fajsimi i vendeve si Serbia apo Hungaria është jokontribues këtu. Mua po më duket si të afrosh një letër te zjarri, dhe për ironi të gjykosh zjarrin se si e dogji atë.

Liberalizimi i vizave dhe imazhi: Ikjet e qytetarëve nuk mund të dëmtojnë procesin e liberalizimit të vizave e as imazhin. Sepse kusht për dëmtim është ekzistenca paraprake e dukurisë në fjalë. Ne imazhin nuk e patëm madhështor që të dëmtohet sot. Kurse qasja e BE-së karshi liberalizimit të vizave për Kosovën ka qenë dhe mbetet diskriminuese. Andaj, nuk është se qytetarët prishin diçka që po shkelqente deri në këtë kohë.

Strukturat përjashtuese të pushtetarëve krijuan këtë situatë. Mendësia e superioritetit absurd të udhëheqësve na solli këtu. Na solli tek nje absurd tjetër. Tek fakti që Kosova e mbijetuar nga gjenocidi serb, sot po përjeton një etnocid të instaluar nga soji i tij etnik. Përderisa gjenocidi i referohet idesë dhe vullnetit për shfarosjen në baza raciale, në kuptimin e shkatërrimit fizik të njerëzve. Etnocidi përkufizohet si shkatërrim i mënyrave të jetesës dhe kulturës se tyre.E me gjasë është shumë i rrallë rasti që të ndodh brenda llojit të njejtë, si tek ne. Duhet te kemi parasysh që edhe nëse vetëm gjysma e atyre që po ikin të mbesin jashtë Kosovës, atëherë gjasat për asimilim kulturor janë ekzistente dhe afër logjikës akomoduese të individit si veçanti në shoqërinç si të terë. Serbia e provoi edhe etnocidin me ne, por nuk ia doli. Gjenocidi vret trupin e popujve, kurse etnocidi shpirtin e tyre.

Duhet të perëndojë qeverisja ku politika është e mbyllur në insitucione dhe politikanët kanë superioritet ndaj popullit. Ata duhet ditur që po udhëheqin subjekte dhe jo objekte. Udhëheqje e mundësuar falë tyre , e cila eshte e thirrur të ndryshojë formë saherë ndryshojne nevojat.

Për ta mposhtur eksodin e fundit ti zgjasim dorën njëri tjetrit,  jo për tu përshëndetur por për të ngitur zërin të cilit ata ia harruan fuqinë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here