Edita Tahiri: MSA-ja dhe heqja e vizave duhet të ndodhin shpejt

0

Ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, zhvilloj sot në Gjermani takime me përfaqësues të Qeverisë Gjermane, me ministrin e Shtetit për Evropën Michael Roth dhe me Dr. Ernst Reichel, Emisar Special për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s.
Sipas një njoftimi nga Zyra e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Tahiri në takimin me ministrin e Shtetit për Evropën, Michael Roth, e ka njoftuar zyrtarin e lartë gjerman me reformat e thella të Republikës së Kosovës në drejtim të konsolidimit të shtetit ligjor dhe zhvillimit ekonomik të vendit si prioritete kryesore për forcimin e shtetit dhe integrimet euro-atlantike. Ajo ka theksuar se Kosova shquhet si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon përmes angazhimeve të saja për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal, të cilën po e dëshmon edhe në kuadër të dialogut të Brukselit. Gjatë takimit u bisedua rreth thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe rëndësinë e përkrahjes së vazhdueshme të Gjermanisë për perspektivën evropiane të Kosovës, me ç’rast ministrja Tahiri theksoi se nënshkrimi i Marrëveshjes Stabilizim Asociim dhe heqja e vizave për qytetarët e Kosovës duhet të ndodhin shpejtë për të siguruar Kosovën dhe popullin e saj se rruga e tyre për BE është e qartë dhe e sigurt.
Ministri gjerman Roth theksoi se Gjermania është e përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me Kosovën dhe mbështet fuqishëm integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe strukturat euro-atlantike, ndërkaq vlerësoi procesin e reformave që Qeveria e Kosovës po ndërmerr në drejtim të zhvillimit dhe forcimit të shtetit. Ai po ashtu theksoi se Gjermania mbështet dialogun e Brukselit dhe normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë duke potencuar rëndësinë e përparimeve të mëtejme në këtë proces që do të ndihmoj dyja shtetet në rrugën e tyre për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Ministrja Tahiri zhvilloi dhe aktivitete tjera ndër tjerash ajo mori pjesë në takimin e njëzetë ndërkombëtar të “Lutjeve të Mëngjesit” në Berlin, takim ky që bashkon lider, politikan deputet nga mbarë bota dhe të cilit iu drejtuan me fjalë rasti edhe Kryetari i Bundestagut të Gjermanisë Dr. Norbert Lammert dhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani. Po ashtu, ishte e pranishme në seancën e Bundestagut Gjerman ku ndoqi fjalimin e ministrit të Jashtëm gjerman Frank Ëalter Steinmeier që iu kushtua zgjatjes së mandatit të KFOR-it në Kosovë.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here