Edi Rama premton stadium të ri për Kombëtaren

0

Kryeministri Edi Rama ka pritur lojtarët e Kombëtares shqiptare në aeroportin e Rinasit, dhe më pas ka organizuar një ceremoni zyrtare në Kryeministri.

Gjatë fjalës së tij përpara futbollistëve, kryeministri Edi Rama tha se së bashku me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, kanë nisur punën për ndërtimin e stadiumit të ri të Kombëtares kuqezi.

“Çfarëdo që të ndodhte mbrëmë, sot do jepja lajmin se së bashku me presidentin Duka kemi nisur punën për ndërtimin e stadiumit të ri të Kombëtares kuqezi – deklaroi kreu i qeverisë -. ‘Arena Kombëtare e Tiranës’ do t’ju dedikohet juve. E bëmë ‘Elbasan Arenën’ për të gjetur një strehë, sepse ju duhej për të mos luajtur ndeshjet diku tjetër. ‘Loro Boriçi’ do të ishte gati për ndeshjen me Serbinë, por UEFA kërkoi që ndeshja të luhej në Elbasan për arsye të sigurisë së rreptë. Tashmë ky stadium do të jetë edhe më i madh se këta të dy, është një detyrim për ju. Sot kryeministri i Italisë Mateo Renzi më shkroi një mesazh: Rroftë Shqipëria që hyri në Evropën e futbollit, tashmë ju presim edhe në Evropën politike, gjë që sigurisht kërkon të tjera sakrifica”.

Rama lavdëroi heronjtë kuqezi për “arritjen e pamenduar nga shumëkush, por të ëndërruar nga kushdo”. Ai  hodhi poshtë zërat që kritikuan kuqezinjtë pas humbjes me Serbinë dhe tha se, cilido të ishte rezultati me Armeninë, ai sërish do t’i kishte pritur futbollistët aktualë me të njëjtën ceremoni: “Të dashur futbollistë, i shtrenjti kapiten dhe i dashur trajner. I nderuar president i FSHF-së. Më lejoni që përulësisht t’iu falënderoj me gjithë zemër dhe të shpreh mirënjohjen për arritjen tuaj historike. Ju kurorëzuat me sukses vrapimin më të vështirë dhe emocionues të karrierës dhe gjithë historisë së futbollit shqiptar. Deri dy vite më parë askush nuk guxonte ta shihte as me sy mbyllur, përveç trajnerit tonë që pas marrjes së nënshtetësisë ka pasur në mendje idenë e çmendur se mund ta ngjiste me kombëtaren kuqezi majën e frikshme të Europianit. Rikthimi i papritur i mallkimit të minutave të fundit, që pararendën ndeshjen e djeshme, i fashitën shumëkujt ëndrrën e djeshme. Madje disa u sollën keq me ju pas humbjes së beftë me Serbinë. Harruan se, sikur edhe deri aty të kishte zgjatur vrapi juaj, ju i kishit dhuruar shoqërisë shqiptare diçka që askush përpara jush nuk e imagjinonte. Një Shqipëri të denjë, krenare, konkurruese që në grupin e vetë luftoi për të shkuar në finalet e Europianit. Asnjëri prej kundërshtarëve nuk krahasohej me ne, teknikisht apo nga talentet. Akush nuk do të guxonte të vinte bast për vendin e tretë, pale për kualifikimin. Harruan se ju kishit siguruar “play-off”-in shumë kohë më parë, gjë që edhe shumë ekipe të mëdha nuk e kishin bërë ende. U lëshuan me fjalë të shumta kundër jush me mllëfe dhe akuza. Kush nuk e ka veshur asnjëherë fanellën kuqezi, nuk e kupton peshën e rëndë të përgjegjësisë, që ajo fanellë sjell mbi kokat tuaja. Barrën e tmerrshme që keni mbajtur vetëm ju e dini, përballë erërave që sa vinin e bëheshin edhe më të fuqishme, deri në stuhi, saqë ju rrëzoi dy herë në fund në minutat shtesë të dy takimeve radhazi. Nuk do ta harroj kurrë dhomën e zhveshjes pas ndeshjes në Elbasan Arena, me kokat e fshehura dhe trupat e ngrirë, britmat e trajnerit dhe vështrimin e kapitenit. Ishte momenti dramatik i vetmisë në rrugën e mundimshme pranë majës. Në fakt fati është me ata që nuk dorëzohen dhe sfida juaj pas humbjes therëse ishte pikërisht me vetveten tuaj. Ose do ta fitonit ju, ose do ta humbisnit ju”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here