Edhe të vras edhe agjëroj

0

LUELA MYFTARI

Thonë se suksesi vjen sepse koha dhe vendi është i duhuri, por jo sepse je më i zoti se të tjerët. Unë këtë e kam vërtetuar. Nuk kam qenë kurrë e para në shkollë, as edhe një vit, por jam përpjekur të shfrytëzoj edhe kohën edhe vendet. Gjatë trazirave të vitit 1997 nuk kisha mbushur ende 9 vjeç, por besoja vërtet se mund të bëhesha gangstere kur të ritesha. Më vinte keq për mamin që bukën e bënte pasi kishte zhytur tasin në atë thesin me miell që ishte njëfarë pasurie atë kohë në Shqipëri. Por asokohe, zihesha vetëm “gocat e mamit” në lagje. Isha gangsterja e lagjjes. Do të bëhesha ganstere kur të rritesha. Dhe këtë e kam besuar vërtet deri në fillim të mijëvjeçarit të ri, kur mësova se Adelina Ismajli ishte edhe e bukur edhe ganstere. Koncepti im i gangsters ishte të luftoje për një jetë më të mirë. E nëse do të isha 20 vjeç në 1997-ën, e besoj edhe sot që do të isha bërë gangstere, por tani e besoj këtë vetëm me një “nëse”. Ata që thonë se nuk e kanë menduar asnjëherë veten duke i zgjidhur gjërat si gangsterë gënjejnë. Të gjithë duan të jenë të fortë, me pistoletë, kallash a grushta. Inteligjentët dhe ata që e kanë pushtetin e të fortit zgjedhin dredhinë dhe ua japin të tjerëve armët. Mirëpo, dy vrasjet e fundit, ajo e policit në Lazarat dhe ajo e dy turistëve çekë në Shkodër më prezantuan me djemtë ganstera të kohëve të sotme. Ata kanë dështuar në të qenit gangstera dhe kjo jo për fajin tim apo të ndonjë shqiptari tjetër. Të turpëruar shqiptarët ulën kokat. Mirëpo, ajo shfryrja kolektive “të mbytur me faj”, “me kokën në mut, ju kërkojmë falje” e shumë të tjera ma neverisin krenarinë. Unë jam shqiptare. Dhe këta gansterë të degjeneruar, pa plane, pa përvoja, pa një synim më të mirë për veten as i dua dhe as po përpiqem t’i mbroj. Por, ata janë të tillë prej sistemit. Sa policë janë vrarë kur ne të gjithë kacafyteshin me tyta automatikësh mes njëri –tjetrit? Pse nuk kërkoi askush falje për shqiptarët e vrarë? Apo ne qajmë më shumë mikun se vetë vëllain? Kjo është besa jonë? Mikun ta bëjmë vëlla e vëllanë ta flakim jashtë? Alikot? E ç’më duhen emrat? Ata janë vëllezërit që vranë policin e RENEA-s. Janë dy nga ata që shteti nuk i tregoi kalendarin. Ndaj the se fajin e ka sistemi. Të paktën t’i mësonin se nga 1997-a kanë kaluar më shumë se 18 vjet. Dhe se ata nuk mund të ëndërrojnë si 6-vjeçarë që duan të bëhen gangstera. Pasi nuk është më as koha dhe as vendi i duhur. Se fundja ata, faj s’kanë. Për dy adoleshentë që janë shulluar prej vitesh në kanabis është e vështirë të heqin dorë nga ëndrrat. Dhe ëndrra e tyre ishte të bëheshin si baba, a si xhaja, me një arsenal të madh armësh dhe jo me një bibliotekë me libra a revista pornografike, të paktën për t’u shfryrë. Të shfryje për ta ishte zbrazja e karrikatorit. Dhe unë nuk kam pse kërkoj falje për ta. Askujt nuk i dhemb më shumë se familjes. Kjo, përfshirë edhe reagimin tim është vetëm një shfryrje kolektive. Sepse ai (polic, shërbyes i një shteti që i jepte një rrogë aq të vogël sa ta degdiste luftrave të Afganistanit) tashmë, ashtu si shumë heronj ra në një betejë të vogël, aty ku askujt nuk ia merr mendja se ai do të humbasë. Sepse në buzët me gjak të këtij agjëruesi edhe fjalët e fundit ishin të lehta. Sepse të rëndë do ta kenë këta dy gangstera të dështuar çdo sekondë të jetës. Të rëndë do ta kenë ata që i kanë pjellë dhe një fshat i tërë që nuk lëvizi as gishtin më të vogël për të kërkuar varje publike, aty në mes të fshatit, pa pritur vendimin e gjykatave famëkeqe, po aq sa edhe hakmarrja në malet tona. Nga vrasja në fushë, s’kalojnë as dhjetë ditë dhe mali oshëtin. Dy çekë, dy turistë janë vrarë. Shfryrja kolektive në rrjetet sociale nis. Vrasësi një 20-vjecar që sipas të dhënave të para ka deklaruar se donte vetëm makinën, por planin i doli jashtë kontrolli. As koha dhe as vendi s’e ndihmoi. Ca shajnë malokë, ca kërkojnë falje e ulin kokën, ca shahen me njëri-tjerin se mendojnë ndryshe për të njëjtën ngjarje, ndërsa ca të tjerë postojnë foto në plazh pak sekonda pasi kanë bërë status për dy turistë të vrarë duke thënë se ndihen të turpëruar. Sapo janë vrarë dy djem të rinj në Lezhë? Po për ta kush do ndezë qirinj? Nëse është shtirje kolektive, boll më. Edhe foto plazhi edhe keqardhje. Edhe krenarë edhe të dhier. Edhe të vras edhe agjëroj. Unë, Luela e turpëruar jam e turpëruar nga të turpëruarit shqiptarë. Sepse kjo ka ndodhur, mund të ndodhë e do të ndodhë në shumë vende të botës. Nëse ka shqiptarë që janë në faj, janë ata që s’i folën kurrë djemve si ata që vranë, vëllezërve të tyre, fqinjve e kologëve, sepse ata janë kudo pranë nesh. Nëse nuk duam të turpërohemi le t’i flasim të gjithëve, jo vetëm në Facebook.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here