Pylli i Arinjve Prishtina ka njoftuar sot se të shtunën e ardhshme organizon një ecje 10 kilometërshe, në shenjë të kujtimit të 5 vjetorit të shpëtimit të ariut të parë, që është shpëtuar në Kosovë, i njohur me emrin Kasandra.

Ja njoftimit i plotë:

“Të dashur miq të PYLLIT Të ARINJVE Prishtina,

Më datën 24 Mars, Ditë e Shtunë ju ftojmë të gjithëve të na bashkoheni në një ecje prej Parkut të Gërmisë deri në PYLLIN E ARINJVE Prishtina në shenjë të 5 vjetorit të ariut të parë që është shpëtuar në Kosovë, ariut Kasandra.

Për çdo kilometër që një person do ec, do dhurohet nga një kg ushqim për arinjë nga Sponzori, gjithsejë shtegu ka 10km.

Nisja bëhet në orën 10:00 prej rampës së Gërmisë, për ju që dëshironi të na bashkoheni vetëm në ekspozitë, në orën 13:00 te PYLLI I ARINJVE Prishtina do të mund ta shohim bashkë rrugëtimin e Kasandrës për 5 vite me rradhë permës fotografive.”

Kasandra ishte mbajtur në një kafaz të vogël, e braktisur, e pa ushqyer, para se të vendosej me nismën e Organizatës Ndërkombëtare “FOUR PAWS”, në strehën e saj të përhershme në ‘Pyllin e Arinjëve Prishtina’, ku sot jetojnë 19 arinjë.
Strehimorja ‘Pylli i Arinjve Prishtina’, ka të strehuar të gjithë arinjtë të cilët më herët kanë qenë të shpërndarë në tërë Kosovën, nëpër kafaze të vogla në restorane të ndryshme, apo në mini-kopshte zoologjike për të tërhequr vizitorët.

Tek ky pyll, hyrja është me pagesë dhe të gjitha të hyrat përdoren për sigurimin e kushteve dhe ushqimin e arinjve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here