“Ec ma ndryshe”: Komunat nuk i kanë përmirësu kushtet e jetës për personat me nevoja të veçanta

0

“Katër komunat e mëdha të Kosovës, Prishtina, Prizreni, Peja dhe Gjilani, përfshirë këtu dhe nivelin qendror të qeverisjes sipas Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) me veprimet që kanë ndërmarrë nuk kanë qenë efikase dhe efektive për përmirësimin e kushteve të jetesës së Personave me Nevoja të Veçanta përkatësisht Personave me Aftësi të Kufizuara Fizike (PAFK).”, ka konstatuar OJQ “Ec ma ndryshe”, me seli në Prizren.

“Në raportin e performancës ‘Qasja për Personat me Aftësi të Kufizuara Fizike’ të ZAP-it, ku auditimi mbulon periudhën 2013-2015, është konstatuar se përkundër përpjekjeve për përmirësimin e qasjes në infrastrukturë fizike dhe hapësira për PAFK, megjithatë rezultatet e deritanishme janë të kufizuara”, ka konstauar kjo OJQ.

 

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë të OJQ-së “Ec ma ndryshe”:

 

 

 

Organizata Jo-qeveritare Emancipimi Civil Ma Ndryshe
EC MA NDRYSHE

29 dhjetor 2015, Prizren

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Komunat e Kosovës nuk i kanë përmirësuar kushtet e jetesës për PNV-të   

 

Katër komunat e mëdha të Kosovës, Prishtina, Prizreni, Peja dhe Gjilani, përfshirë këtu dhe nivelin qendror të qeverisjes sipas Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) me veprimet që kanë ndërmarrë nuk kanë qenë efikase dhe efektive për përmirësimin e kushteve të jetesës së Personave me Nevoja të Veçanta përkatësisht Personave me Aftësi të Kufizuara Fizike (PAFK).

 

Në raportin e performancës “Qasja për Personat me Aftësi të Kufizuara Fizike” të ZAP-it, ku auditimi mbulon periudhën 2013-2015, është konstatuar se përkundër përpjekjeve për përmirësimin e qasjes në infrastrukturë fizike dhe hapësira për PAFK, megjithatë rezultatet e deritanishme janë të kufizuara.

 

Auditori ka vlerësuar se masat e ndërmarra në mënyrë të rastësishme dhe në mungesë të prioritizimit, nuk i kanë zgjidhur problemet, pastaj se objektivat e parapara në Strategjinë për PAK-të dhe Planin e Veprimit janë përmbushur në masë të ulët, dhe se indikatorët tregojnë se situata në këtë aspekt mund të jetë e ngjashme edhe në komunat tjera.

 

Ngecjet e hasura sipas ZAP-it, sa i përket nivelit lokal, kanë të bëjnë me faktin se shumica e komunave nuk kanë arritur që të themelojnë grupe punuese për identifikimin e nevojave dhe vlerësimin e situatës si bazë për pritoritizim; se komunat nuk kanë inkoorporuar qasjen e Personave me Aftësi të Kufizuar në planifikimin strategjik; se ato nuk kanë siguruar mjaftueshëm forma të brendshme apo të jashtme të financimit, derisa gjatë licencimit të ndërtimeve të reja (lejet e ndërtimit dhe certifikatat e banimit), nuk janë marrë parasysh kërkesat që dalin nga kornizat ligjore. Gjithashtu Auditori ka gjetur se edhe organizatat në nivelin qendror nuk kanë funksionuar siç është synuar.

 

Qasshmëria sipas ZAP-it është një nga fushat më problematike që duhet të përmirësohen, në mënyrë që  të krijohet  qasje  më  e  mirë  për  personat  me  aftësi  të  kufizuar  në të  gjitha  aktivitetet e shoqërisë (arsim, shëndetësi, punë). Aktualisht këto janë pengesa të mëdha, që pengojnë PAK-ët që të gëzojnë mundësitë e barabarta, të cilat qytetarët tjerë i  gëzojnë. Pengesat e tilla sipas Auditorit janë barrierat strukturore në ambientet e ndërtuara, mungesa e planifikimit urban, planifikimi joadekuat i ambienteve të brendshme, etj. Po ashtu Komunat kanë dështuar edhe në krijimin e sistemeve informative  mbi  lëvizshmërinë në  qytet  dhe  mbi qasjen nëpër objekte, si element  i  rëndësishëm i cili  kontribuon në  përmirësimin  e  jetës  së PAKF.

 

Në këtë raport, komuna e Gjilanit është veçuar në një pikë, për shkak se ka arritur të themelojë Grupin Punues për të identifikuar dhe për të bërë vlerësimin e nevojave për PAK, derisa për tri  komunat  tjera theksohet se kanë  punuar pjesërisht drejt  krijimit  të  një  ambienti  të  qasshëm  për  PAKF, ku aktivitetet e tyre janë realizuar në baza ad-hoc, pa ndonjë vlerësim më afatgjatë strategjik dhe nuk është kryer vlerësimi i nevojave për PAK.

ZAP përmend se edhe Raporti  i  Progresit  për  Kosovën  për  vitin  2015, ka theksuar se PAK  vazhdojnë të ballafaqohen me mbështetje joadekuate Institucionale dhe shëndetësore, dhe qasje të dobët.

 

EC Ma Ndryshe përkujton se qytetarët me aftësi të kufizuar ballafaqohen me lloje të ndryshme të barrierave, të cilat i pengojnë ata në pjesëmarrjen e plotë e efektive në shoqëri, në mënyrë të njëjtë me të tjerët, duke i penguar kështu për të bërë një jetë të pavarur, të dinjitetshme dhe të vetëkënaqshme.

 

Në Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, e drejta për arsim, shëndetësi e punësim, zënë vend të rëndësishëm, sikurse edhe në Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut, zbatimi i së cilës garantohet me Kushtetutën e Kosovës. Disa nga parimet e përgjithshme të Konventës së sipërpërmendur janë “respekti për dinjitetin, autonominë individuale, përfshirë lirinë për të bërë zgjedhjet personale, dhe pavarësinë e personit… pjesëmarrjen dhe përfshirjen e plotë dhe efektive në shoqëri”.

 

Prandaj EC Ma Ndryshe rekomandon Komunat që të ndërmarrin veprime për zbatimin dhe promovimin e këtyre vlerave, krahas mos diskriminimit, qasjes, mundësive të barabarta për të gjithë, etj.;

Komunat sikurse edhe niveli qendror duhet të zbatojnë të gjitha rekomandimet e dhëna nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, në lidhje me masat dhe veprimet për përmirësimin efektiv të qasjes fizike për PAKF;

Gjithashtu Komunat rekomandohen që në politikat e tyre publike të përvetësojnë qasjen e bazuar mbi të drejtat e njeriut, atë të ‘udhëve binjake’, të përfshijnë PAK në vendimmarrje dhe të sigurojnë financim të duhur për shërbimet për PAK.

 

Projektin “Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale” EC Ma Ndryshe ka nisur që ta zbatoj nga maji i vitit 2015, falë përkrahjes së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, i cili ka shtrirje në komunat e mëdha të Kosovës, Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë, sikurse edhe në Suharekë, Rahovec, Malishevë, Dragash, Mamushë dhe Shtërpcë. Projekti në fjalë ka për qëllim që ti asistoj komunat në identifikimin e mangësive kryesore sa i përket transparencës sikurse edhe të ofroj udhëzime për adresimin dhe tejkalimin e tyre. Indeksi i Transparencës paraqet edhe një përpjekje të strukturuar për të mbështetur komunat e Kosovës në përmbushjen e standardeve të qeverisjes së mirë, të përcaktuara me reformën e qeverisjes lokale dhe agjendën evropiane të Kosovës.

 

Me respekt,

Elmedina Baxhaku, Monitoruese

OJQ EC Ma Ndryshe

Rr. Saraçët, Nr. 5 – Prizren

Bulevardi Nënë Tereza, H 30 B1 Nr. 5, Prishtinë

www.ecmandryshe.org & [email protected]

+381 38 224 967 & +381 29 222 771

Projekti “Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale” përkrahet financiarisht nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here