E vrau për një plep, autori: Nuk pendohem, do ta vrisja sërish

0

Është viti 2016 dhe jeta në Shqipëri vlen shumë pak. Lehtësia me të cilën merret një jetë njeriu u shpërfaq dje afër mesditës në Kavajë, kur një 31-vjeçar u vra për një plep që ndante kufijtë. Policia arrestoi pak më vonë autorin 56-vjeçar, në tentativë për t’u larguar. Ai e cilësonte si shkak madhor prerjen e pemës dhe nga ambientet e komisariatit vazhdonte të lëshonte duf ndaj viktimës. Ismet Xhani, rreth orës 10:30 të ditës së djeshme, u qëllua me pushkë nga bashkëfshatari Xhevdet Saraçi në Luz të Madh, Kavajë, ndërsa ngjarja ndodhi në rrugën e fshatit, pikërisht në vendin ku ishte mbjellë dhe u pre plepi. Në dëshminë e tij për policinë, autori i vrasjes nuk ka shfaqur mëshirë dhe madje është shprehur se nëse rikthehej sërish ai moment, nuk do të ngurronte, por do t’ia merrte jetën 31-vjeçarit. Fqinjët konfirmuan se shkak ishte plepi, që Xhani e kishte prerë, për të ngrohur fëmijën tre muajsh dhe se familjet ishin krushq me njëra-tjetrën.

Vrasja për plepin

Një orë e gjysmë para mesditës së djeshme, në Luz të Madh të Kavajës u shënua viktima e radhës, pas një sherri për një pemë. Ismet Xhani e kishte prerë plepin që kishte mbirë në kanalin që ndante tokën e tij me atë të Saraçit. Prej ditësh 31-vjeçari duket se e kishte vendosur prerjen e plepit, por ky vendim e kishte nxehur së tepërmi 56-vjeçarin, i cili, nga ana e tij, e pretendonte gjithashtu atë pemë. Ulja e ndjeshme e temperaturave dhe nevoja për ngrohje e shtyu Xhanin që ta priste plepin. Pak para ngjarjes, ai kishte pirë kafe në lokal, ku qëndroi me bashkëfshatarët e tjerë. Më pas, me sëpatë në dorë ai preu pemën dhe pas krasitjes, po e përgatiste për në sobë, duke e copëtuar në pjesë të vogla. Në punë e sipër ai shkelte jonxhën e fqinjit dhe kjo pamje e ka tërbuar më tepër autorin e vrasjes. Nga sa bëjnë të ditur për gazetën “Shqip” burimet e policisë lokale atje, fillimisht vrasësi e kishte pyetur se përse e preu plepin pa e pyetur atë në fillim. Një sherr me fjalë nisi në moment dhe pak minuta më vonë Xhevdet Saraçi hyri në shtëpi, ku mori pushkën 10-she, që e mbante pa leje nga viti 1997. Pasi e qëlloi tri herë nga afër, 56-vjeçari u përpoq të largohej, por lajmërimi i policisë dhe mbërritja e tyre në kohë të shkurtër ia pamundësoi arratisjen. Në fillim 31-vjeçari u dërgua me urgjencë në Spitalin e Kavajës dhe prej andej në Durrës, por prekja e organeve jetësore dhe humbja e një sasie të madhe gjaku, i solli vdekjen.

Dëshmia e vrasësit

Me pranga në duar dhe prapa hekurave të paraburgimit, ku u dërgua menjëherë pas ngjarjes, autori i krimit të rëndë jo vetëm që e pranoi vrasjen, por nuk ngurroi të shprehej se do ta ribënte sërish. “Unë e vrava dhe nuk jam bërë pishman fare. Po të kthehesha pas do ta vrisja sërish pa mëshirë. Nuk më dhimbset hiç ai njeri”, është shprehur Xhevdet Saraçi pranë oficerëve të Policisë Gjyqësore. Burimet shtojnë se mes të tjerave, autori i vrasjes ka thënë se “e kisha paralajmëruar disa herë të mos e priste plepin. Pema mbante ujin dhe na shërbente për hije kur punonim në verë. Pastaj nuk ishte në tokën e tij. Që kur u ndanë tokat nuk kemi rënë asnjëherë dakord se cilit i përkiste dhe e kishim lënë të përbashkët. Tani na del ky dhe e pret”. Ndërkaq, autori ka përshkruar edhe momentin kur ndodhi vrasja. Sipas të njëjtave burime, ai ka rrëfyer: “Kur vajta te toka, ai e kishte prerë plepin. I kërkova llogari se përse e bëri dhe ai m’u përgjigj ashpër. Më tha se nuk më pyeste mua dhe pastaj më shau rëndë nga familja. Nuk e kisha menduar se puna do të shkonte deri te vrasja, por shtëpinë e kisha shumë afër. Shkova në shtëpi dhe për pak minuta dola me pushkë në dorë. M’u errën sytë dhe e qëllova pa u menduar”.

Hetimet dhe fqinjët

Grupi hetimor vijon procedurat për zbardhjen e plotë të ngjarjes, për të përcaktuar rrethanat dhe grumbulluar prova të mjaftueshme. Pranimi i krimit prej autorit, sekuestrimi i pushkës 10-she apo i tre gëzhojave janë elemente të mjaftueshme tashmë për Prokurorinë e Kavajës, e cila pritet të formulojë akuzën e “vrasjes me dashje”, kur ta dërgojë dosjen për gjykim. Nëse autori i qëndron në gjykatë dëshmisë në polici, atëherë ai do të përfitojë gjykim të shkurtuar, pra ulje të dënimit me një të tretën. Nga ana tjetër, grupi hetimor po administron dëshmitë e bashkëfshatarëve në Luz të Madh dhe të pjesëtarëve të familjes. Në fshat thonë se i dyshuari ishte person me probleme të shëndetit mendor dhe dihej që mbante armë prej vitesh. “Ismeti na kishte thënë që i duheshin dru për t’u ngrohur. Nuk kishte lekë të blinte dhe e preu plepin që të ngrohte fëmijën tre muajsh që kishte në shtëpi. Nuk na besohet se Xhevdeti e ka vrarë. Ne e dinim që kishte probleme mendore dhe që mbante armë, por nuk na e merrte mendja që do të shkonte deri këtu. Ata ishin krushqi me njëri-tjetrin”, u shprehën bashkëfshatarët në Luz të Madh.

Nga ana tjetër, familjarët e viktimës akuzojnë spitalin dhe policinë për humbjen e djalit të tyre. Nëna e tij në një prononcim për ‘Gazetën Shqiptare’, ajo tregon se ishte e para që shkoi në vendngjarje dhe e çoi djalin në spitalin e Kavajës.

“Këta të spitalit të Kavajës dhe policia nuk na ndihmuan djalin. Unë e shkreta e çova vet tim bir në spitalin e Kavajës, por ata nuk i bënë asnjë gjë. Ata e çuan djalin me ambulancë në spitalin e Durrësit. Ia kam mbajtur gjakun djalit me bluzën time. Spitali i Kavajës nuk kishte gazra. Atë e vranë mjekët e Kavajës dhe vet policia. Them policia pasi ajo e dinte se vrasësi lëvizte me armë në fshat. Ku ta gjej tani tim bir që e rrita me 100 halle”, thotë mes lotësh e ëma e viktimës.

shtepia-kavaja

arma-kavaje

drute-kavaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here