E pazakontë: Gjatë gjykimit paraqitet sulmuesi i vërtetë, kundër kosovarit po gënjente edhe imami i xhamisë!

0

Në një xhami në Altstetten të Cyrihut, një frekuentues ballkanas i xhamisë e ka goditur me shufër hekuri kujdestarin e shtëpisë së zotit, një besimtar somalez. Goditja ka ndodhur pasi që kujdestari nuk e kishte lejuar atë që të thërriste ezanin duke e hapur dritaren e xhamisë, që të dëgjohej jashtë saj.

Ajo që ka ndodhur në gjykimin e mbajtur të martën në Gjykatën e Qarkut në Cyrih ngjan shumë me skena nga filmat, shkruan 20minuten.ch.

I akuzuar për shkaktim të lëndimit ishte një kosovar 29 vjeçar, baba i dy fëmijëve nga Hinwili i kantonit të Cyrihut. Ai, gjatë tërë kohës jo vetëm që e ka mohuar veprën por edhe është betuar se kurrë ndonjëherë nuk ka qenë në xhaminë e përmendur, transmeton albinfo.ch.

Nga ana tjetër, jo vetëm personi i lënduar por edhe imami i xhmisë, kanë ngulur këmbë se kosovari ishte dorasi.

Por, gjatë kësaj shtyrjeje me fjalë, ka ndodhur çudia: Një person nga salla ngrihet dhe drejtohet nga trupi gjykues: «Unë e kam goditur shtëpiakun e xhamisë», ka thënë personi i cilësuar si «ballkanas». Ai, një burrë i ri që i ngjante shumë të akuzuarit, e ka pranuar se e kishte rrahur somalezin pasi që kishte qenë nën ndikimin e alkoolit. Po ashtu ka thënë se ndjehet shumë i penduar për veprën e bërë, përcjell albinfo.ch. Por ai nuk ka pranuar se e ka goditur me shufër metalike. Ka qenë vetëm një goditje me grusht, ka thënë ai.

Këtë version e kanë kundërshtuar sërish imami dhe kujdestari. Ky i dyti vazhdon të ketë pasoja nga goditja, edhe pse atë e kishte pësuar para rreth dy vitesh.

Në fund, trupi gjykues e ka shpallur të pafajshëm kosovarin dhe i ka dhënë atij një dëmshpërblim simbolik prej 250 frangash.

Ende nuk dihet nëse do të ngrihet akuzë e re kundër personit që ka pranuar se është autor i sulmit.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here