E KUQJA E FATES

0

MONIKA SHOSHORI STAFA 

Seksi shet. Kjo është e vërteta më e vjetër që vjen që nga koha kur lindi marrëdhënia ndërvepruese mes dy njerëzve që filluan të shkëmbenin mallin e parë që kishin. Dhe ekspertët e artit të së bukurës shkojnë më tej, e kuqja si ngjyrë gjithmonë shet. Pavarësisht se të tjerë shtojnë se shitjet e pikturës nuk varen vetëm nga e kuqja, por dhe e verdha, bluja dhe viola, e kuqja gjithsesi mbetet një nga ato ngjyra dominante, çmimi i së cilës në çdo epokë ta grish dyshimin për ta rimenduar mallin ta kesh. Pak javë më parë në Puglia të Italisë, në Putignano më saktë, një ekspozitë “Tra Fate e Fate” u çel me autor Fate Velajn, këshilltarin për diplomacinë kulturore të Kryeministrit Edi Rama. Ekspozita mbante piktura nga cikli “E kuqja në dhomën e gjumit”, fotografi nga cikli “Përqark identitetit”, ese e përsiatje të ndryshme lidhur me perceptimet e autorit nga udhëtimet nëpër vende të ndryshme europiane, syrit të vëmendshëm të të cilit nuk i ka shpëtuar aspak një botë njerëzore që lëviz gjithaq para syve tanë, por që shpesh nën vorbullën e së përditshmes, nga ngjyrat e jetës i marrim asaj vetëm bardhezinë.
Hesiodi tregon se në dasmën e Kadmit me Harmoninë në qytetin e Tebës muzat kënduan për nder të çiftit të ri këto vargje, të cilat fill pas tyre, nisën t’i këndonin edhe të pranishmit: “Kush është i bukur është i dashur, kush nuk është i bukur nuk është i dashur”. Këto vargje proverbiale që janë përmendur dendur edhe nga poetët e mëvonshëm janë në njëfarë mënyre shprehje e kuptimit të përgjithshëm që kanë grekët e vjetër mbi bukurinë së pari dhe ndjeshmërinë ndaj saj, së dyti. Kjo është ndjesia që të kalon në mendje sapo shfleton librin e Fate Velaj “Mes Fates dhe Fates”. Realiteti shqiptar është një mjedis i helmët dhe i pandjeshëm ndaj së bukurës, ndaj ngjyra të tilla që të vijnë para syve kur shfleton vepra të tilla janë befasuese në gjithçka që ai ndërmerr dhe refuzon njëherësh. Jeta e lidhur ngushtësisht me njëri–tjetrin, si në një komunitet kushërinjsh, e bën atë akoma dhe më të varfër, ku secili ka kohë të merret me tjetrin dhe inatin që e ngre natën si kështjellë ndaj tij. Ndaj këto vepra të tilla në Tiranë dhe kudo në hapësirën shqiptare mbeten si dritëzat e qirinjve në qelën e një murgu mesjetar. Liria dhe hapësira që ndihet në këto piktura, fotografi dhe perceptime të autorit janë plot dritë e mendime, madje me një ndriçim të veçantë dhe të përftuar nga pranëvënia e ngjyrave të pastra si e kuqja, e kaltra, ngjyra e artë, ajo e argjendtë, e bardha shpeshherë po aq sa dhe e gjelbra. Ndër zbukurimet në tërësi që shihet në veprën e tij, themelore është se ato mbështeten te drita e ngjyra: mermeri është i bukur për bardhësinë, metalet për pasqyrimin e dritës. Sipas Fates, edhe vetë ajri është i bukur për shkak të shkëlqimit të tij kur ka diell. Gurët e vyer janë të bukur për shkak të ngjyrave të tyre. Sytë janë të bukur kur ata janë të ndritshëm, akoma dhe më të bukur kur ata janë të kaltër. Te vepra e Fate Velajt ky kuptim i ngjyrës së gjallë, është kurdoherë i pranishëm. Por ajo që ndal feksjen e shqisave është pa asnjë dyshim për këdo, e kuqja, e kuqja e gjakut njerëzor si një ngjyrë që në mesjetë, përcaktohet si ngjyra e seksit, e guximit dhe e fisnikërisë. Kjo është e vërtetë si në jetë ashtu dhe në art. Fustanet e kuq janë konsideruar përgjithësisht sexy, qytetet në botë që ofrojnë seks hapur kanë lagje të tëra që këtë e dëshmojnë nëpërmjet dritave të kuqe, ndjeshmëria për buzë të bukura rritet me ngjyrën e kuqe të buzëkuqit nga kutia e tualetit. Por e kuqja, sipas U.Ecco, natyrisht dëshmohet të jetë dhe ngjyra e dhunës, e zemërimit dhe e komunizmit, ku secila prej këtyre përcaktimeve padyshim ka treguar se nxit presionin e gjakut. Shpeshherë ajo është përcaktuar dhe si ngjyra e xhelatëve të mesjetës. Por e kuqja e Fates, pa dyshim është një e kuqe që flet në emër të historisë së të bukurës, venustas, që d.m.th. “bukuri fizike” vjen nga “venis” domethënë gjak, ndërsa formosus “i bukur” vjen nga formo – nxehtësia, që vë në lëvizje gjakun. Në pikturën e Caravaggios ku Giudita ia pret kokën Olofernos, e kuqja të ngjall frikë nga përgjakja e kokës, por njëkohësisht shfaqet dhe sensuale. Një perde e kuqe aty në një anë tregon se vrasja po ndodh në një dhomë gjumi ku Oloferni u përball me një rezultat krejtësisht të ndryshëm nga takimi i tij i dehur prej seksi me një grua të re. Sapo ajo ia preu fytin, një tufë currilash gjaku në ngjyrë të kuqe si ajo e jetës, u derdhën me tërbim jashtë. Por e kuqja e Caravaggios nuk ishte e kuqja e shëmtuar e një vrasjeje, por një e kuqe tjetër, një e kuqe mes dashurisë për jetën dhe seksin pazgjidhshmërisht të lidhura bashkë. Për shkak se seksi është kuptimi kryesor i së kuqes në art, Maria Magdalena, prostituta që u bë më pas një nxënëse e Krishtit, është portretizuar në mantel apo veshje të kuqe, ndaj për këtë, ajo do të vazhdojë të përndezë ndjesitë njerëzore e të mistifikojë veten përmes së kuqes së saj. Ndaj dhe në pikturën e tij “Noli me tangere” e vitit 1514, si dëshmohet në Ungjillin e Gjonit, Titiani i jep Maria Magdalenës flokët e saj të kuqe, për të theksuar përskuqjen e ndezëse të dëshirave.
Është një fakt i bukur historik që artistët modernë në fillim të shekullit të 20 përqafuan ndjeshmërinë e së kuqes nën frymëzimin e epokës së paganizmit gazmor shumëdritësh. Vepra me titullin “The Dance” i Henry Matisse në vitet 1909–1910 prodhuar në dy versione, ka një variant, ku kërcimtarët shfaqen me një rozë të lehtë të trupit në momentin e tyre të kërcimit dhe po ky variant ruhet në Muzeun e Artit Modern të Nju Jorkut. Por kurrë ky prodhim i parë, nuk është vizituar nga aq shumë vizitorë sa varianti tjetër i dytë, ku e kuqja pagane ndez trupat e kërcimtarëve në tablonë që ruhet në Muzeun e famshëm të Hermitazhit në Shën Petersburg. Dhe ende ndoshta me shumë gjasë përdorimi i ngjyrës më sensuale në artin modern, të së kuqes pra, duket se vazhdon të jetë në trendin e ri të artit botëror. E kuqja e Fates nuk është aspak e ndryshme. Në librin dhe ekspozitat e çelura me veprat e tij, Velaj duket se ëndërron një botë femërore në mënyrë të pavetëdijshme, ku dhe krijuesi është i po kësaj gjinie, duke i besuar një perceptimi, nxehur nga një e kuqe pagane, dhe një parajse mishtore. Kur shfleton librin e Velajt, fotografitë, esetë dhe pikturat bollshëm të ngopur me këtë të kuqe të pasur në Tate Modern, arrin t’u kthehesh mistereve pagane me gjithë trishtimin e tyre ekzistencial, por që mbetet tepër sexy, ndaj e them me bindje se do të vazhdoja padyshim të paguaja çdo gjë për këtë lloj të kuqeje që i nevojitet Shqipërisë në çdo bark të harkuar të saj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here