E keni bërë punën ashtu siç ka thënë ambasadorja Jacobson

0

JUSUF BYTYÇI
Rishpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shurt 2008, dukej në fakt një moment i afrimit, i unitetit dhe i krijimit të një fronti të përbashkët për ndërtimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Aktit të 17 shkurtit 2008, pavarësisht nga inatet e shqiptarit, duhej t’i gëzoheshin që të gjithë, pa dallim, pra jo vetëm ata që patën fatin që të nënshkruajnë Deklaratën solemne të Pavarësisë së Kosovës, ani se jo pak deputetë nga të gjitha taborret politike, as që e merituan atë epitet. Dhe, kur menduam se u tejkaluan ndasitë dhe “hendeqet” politike të ekstremit të majtë, kur po konsideronim se më nuk ia vlen të vazhdojmë “armiqësitë” e vlimeve të rrezikshme të pas luftës, në Kosovë, “eksploduan” rrufeshëm plasaritet, akuzat më të ulëta, me tendencë denigruese, përçarëse, madje edhe ato me tone goxha kërcënuese dhe linçuese. Ata që e vazhduan avazin e akuzave, fakte e pa fakte, me të drejtë apo pa të drejtë, sikur nuk donin të dinin se që të gjithë sa jemi njihemi fare mirë, nuk jemi aq shumë, mund të jemi rivalë politikë, por jo armiqë. Madje që të gjithë e dimë kontributin, të mirat, të bëmat, të këqijat, si dhe sakrificën dhe “sakrificën e turin” e secilit rrahagjoks.
Secili më shumë se tjetri rrahte gjoks në mediet e shkruara dhe ato elektronike, edhe në portalet e shumta që s’dihet kush në fakt i menaxhon. Secili, prezantohej jo vetëm i dijshëm për politikë, por edhe “trim” mbi trima e “patriot” mbi patriotë. Pa zgjedhur mjete, as klimën politike e kohën e zhvillimeve të rëndësishme për të ardhmen e vendit e të popullit, përhapeshin gënjeshtra, akuza nga më të rëndat e më të ulëtat, qoftë për tradhëti, qoftë për dezertim, qoftë për vrasje, për keqtrajtim e për dhunime në kohën e luftës, si dhe për paaftësi, për keqpërdorim, për keqmenaxhim, për zhvatje, për vjedhje fondesh, për zhvatje dhe vjedhje të parasë së taksapaguesve të Kosovës.
Lakmia e tepërt e komandant Ramushit edhe në kohën e fitoreve masive të LDK-së së Rugovës!
Cilësimet për tradhëti të atij ndaj “këtij”, apo ndaj akëcilit personalitet politik, morën dhenë sidomos kur LDK-ja, respetivisht Isa Mustafa, që nuk i shkoi mirë me LVAN-in, iu afrua kreut të PDK-së, partisë që i pati fituar edhe zgjedhjet e qershorit 2014. Më parë, ishte Albin Kurti, LVV, ai i cili në takimet e hapura me aktivistë të LVV-së dhe me qytetarë kureshtarë, lëshoi akuzat më të rënda ndaj Mustafës e LDK-së, si dhe ndaj Haradinajt e AAK-së, duke u shprehur se që të dy, bënë garë kush më parë do ta zinte hapin për të qenë në krye të Qeverisë bashkë me Thaçin e PDK-në. Nuk e patën kursyer as Limajn e NISMËS.
Në bazë të atyre akuzave e cilësimeve, tashmë në Kosovë, “vallja e tradhëtisë” përbëhej nga shumica e partive dhe e qytetarëve përkrahës të tyre. Por, nuk dihej kush në fakt po mbetej i “papërlyer” me tradhëti, dhe cilat do të ishin gjasët që ajo pakicë “patriotike” atdhetare, do të mund të dilte ndonjëherë fitues-e e zgjedhjeve dhe do ta bënte e vetme qeverinë!.
S’flitej më për ndonjë koalicion të panatyrshëm si e quajën kohën e qeverisë LDK-AAK-kur udhëheqjen e Qeverisë e pati marrë, jo vetëm se e pati lakmuar Ramush Haradinaj. “Nuk ishte kjo vetëm lakmi, por edhe më shumë, sepse komandant Ramushi, në këmbim të bashëqeverisjes me LDK-në, fituese absolute e zgjedhjeve nacionale më 2004, nuk pranoi asgjë më pak se postin e kryeministrit të vendit, ndonëse kishte shumë pak vota- numra në Kuvendin e Kosovës. Edhe atëherë, ishin pikërisht bashkëluftëtarët e Ramushit dhe anëtarë të PDK-së që e akuzonin atë dhe AAK-në për tradhëti e për koalicion të panatyrsëm.
Nga ai koailicion me tre kryeministra, Ramushi, Kosumi dhe Çeku, përfitues doli AAK-ja dhe Ramushi, ani se ndodhej në Hagë . Fituan edhe aktivistët dhe simpatizantët e AAK-së, punë, para dhe pozita goxha të larta në institucione, ku edhe e kanë “trashur” miqësinë edhe me liderë e parti të tashme në pushtet.
E, avazi i akuzave për tradhëti e “koalicion” të panatyrshëm, vazhdoi edhe pas asaj qeverisje. Kjo ndodhi kur zgjedhjet nacionale të vitit 2007, i fitoi PDK-ja dhe lideri i saj Thaçi, që u bë edhe kryeministër dhe arriti koalicion bashkëqeverisës me LDK-në e ish-presidentin e Kosovës Dr. Fatmir Sejdiun. Partitë pakicë që mbetën në opozitë, sikur harruan se vendi duhej të krijonte institucionet legjitime të dala nga vota e qytetarëve. Pasi më nuk ishin pjesë e atij koalicioni lakmues, ata, e akuzuan PDK-në dhe LDK-në se kishin arritur një koalicion të “panatyrshëm”, se më parë ishin sharë, fyer e akuzuar mes vete….!
Akuzuan dhe akuzojnë edhe përfituesit më të mëdhenj të pushteteve
Në këtë klimë, nuk akuzuan vetëm ata që s’ishin e nuk janë në pushtet, nuk akuzuan vetëm ata që nuk dinin, nuk dijnë dhe as që kanë ndonjë fakt konkret për shpërdorime. Akuzuan dhe akuzojnë rëndë, edhe ata që ishin në piramidat udhëheqëse në qeveritë e pas luftës. Akuzuan dhe vazhdojnë të akuzojnë rëndë edhe ata që ishin dhe ende i kanë njerëzit e tyre në pushtet, në nivele të ndryshme.
Fatkeqësisht, ndër akuzues të udhëheqjes aktuale, janë edhe ata që personalisht ishin pjesë e strukturave më të larta qeverisëe në vend dhe që dolën goxha të “trashë” të majmë nga përfitimet. Krijuan pasuri marramendëse, edhe në kohën që nuk ishin në pozita.
E, pasuri, kanë krijuar që të gjithë, që ishin pjesë e “tortes” në të gjitha qeveritë e pas luftës, edhe në institucionet tjera të vendit. Përfituan ata që janë edhe sot në pozita udhëheqëse, si dhe ata që ishin dhe kanë edhe lidhje e klane famoze që u sjellin atyre favore, pasurim nga përfitimet e tenderëve, punësime të njerëzve të tyre të afërt apo të militantëve, pavarësisht nëse i plotësojnë apo jo kriteret.
E kuptojmë mllefin e opozitës, që parësore e ka udhëtimin drejt pushtetit e kritikën ndaj pozitës, dhe pavarësisht se në vend ka shumë probleme, ka shumë nevoja, ka mjaft parregullsi, ka keqpërdorime e nepotizëm, ndonjëri nga udhëheqësit e opozitës, edhe ata që nuk arritën të bëhen deputet, ndonëse ishin dhe mbajnë ende pozitat e nënkryetarëve në parti, nuk kanë aq të drejtë morale e fytyrë që të akuzojnë dhe kërcënojnë pozitën për tradhëti, për nepotizëm, për keqpërdorime e shpërdorime të pushtetit apo të parasë publike etj. Cili është vallë morali i akuzuesve?!
Në vallen e akuzuesve dhe kërcënuesve, është bashkuar sërish akademiku Qosja, sikur ishte bashkuar edhe shumë herë të tjera në Kosovë e në Shqipëri!
Ndonjëri nga politikanët e opozitës, si dhe ndonjëri nga Shoqatat e dala nga lufta, na lavdërohen madje se “ s’na duhen asgjë këshillat e sugjerimet e miqve tanë, nga SHBA, nga NATO etj. Ndonjë individ, më duket tepër naiv, madje thotë se NATO bile na ka penguar, ka ndërhyrë dhe na ka ndalur luftën për Liri, të cilën ne do ta vazhdonim edhe për vite dhe do ta fitonim vet Lirinë”! Vallë ku jetuam ne të tjerët, që “s’ ju pamë, në Hanë apo?!
Më duhet ta rikujtoj një fjalë të rëndë që e pati thënë ish-ambasadorja e SHBA-ve, Tracy Jacobson, se që “të gjithë, pa dallim, e kanë dhier punën, kurdo dhe kudo që kanë shërbyer”. Pra jo vetëm bartësit e funksioneve qeverisëse e politike në vend, por edhe ata nga Shoqëria civile, nga Shoqatat e Luftës, që thuhet e përflitet se dikush nga udhëheqësit morën para të majme nga individë të shumtë për t’ua regjistruar fëmijët në Fakultetin e Mjekësisë e gjetiu, pa respektuar kriteret e UP-së. për këtë pastaj nxitën revoltën e veteranëve dhe familjarëve të tyre në protestë kundër rektorit dhe Rektoratit që s’pranonte dhe nuk pranoi diktat nga rruga.
Keq veproi e me shumë parregullsi edhe Komisioni qeveritar për njohjen e statusit të dëshmorit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së UÇK-së. Kaq patën mundësi, dhe e bënë, e bënë hallakamë edhe popullatën që edhe ashtu ka telashe të shumta, probleme me ujin, me energjinë elektrike, me infrastrukturën e dobët, me mbijetesë dhe ekzistencë. Pse atëherë e hasmërojmë popullatën, pse e nxisim të dalë në rrugë, të kërcënojë, të shajë, të cilësojë, e të dëmtojë të arriturat e shtetin e vet, pse e nxisim kundër policëve tanë, kundër familjarëve, vëllezërve, motrave, bijve e bijave tona!
Në reagimin tuaj ta ashpër kundër qeverisë aktuale, ju liderë të opozitës, si shkas keni dy marrëveshje, por natyrisht keni në proekt edhe kërkesën parësore për rrëzimin e qeverisë Mustafa-Thaci, doni shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, ndonëse qeveria s’ka ndonjë rrezik për numra. Por, edhe zgjedhjet do të mund të mbahen, qoftë në pranverë, apo në vjeshtë, edhe unë jam dakord! Dhe nëse mbahen zgjedhjet dhe rezultati prapë do të jetë ai që ishte një vit e gjysmë më parë, kush vallë dhe me kë do ta bënte qeverinë?! Mos vallë duhet kërkuar votues apo qytetarë nga ndonjë vend jashtë kufirit?! Jemi këta që jemi, edhe “të nemur” edhe të përkëdhelur nga miqtë, edhe të akuzuar, edhe, edhe…!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here