Dy zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë janë arrestuar, ministri Ismaili mbështetë policinë

0

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit është e pakthyeshme, e drejtë, dhe në dobi të qytetarëve.

Ai ka reaguar të premten pas arrestimit të dy zyrtarëve të këtij dikasteri qeveritar nga Policia për përfshirje në veprat penale “përvetësimi në detyrë dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Ismaili përmes një postimi në Facebook ka thënë se organet e rendit dhe Ministria që ai e udhëheq do marrin të gjitha masat e nevojshme për pezullimin e  zyrtarëve të dyshuar.

“Muaj më parë është njoftuar policia e Kosovës dhe të gjitha organet tjera relevante për dyshimet mbi keqpërdorimin e avanseve në Ministrinë e Shëndetësisë. Sot u njoftova për reagimin e Policisë dhe arrestimin e zyrtarëve të ministrisë. Duke mbështetur reagimin e shpejtë të organeve të rendit, edhe ne si institucion do marrim menjëherë të gjitha masat për pezullimin e zyrtarëve të dyshuar.
Atë që e kam thënë më herët, po e përsëris prapë. Lufta e jonë kundër korrupsionit dhe krimit është e pakthyeshme, e drejtë, dhe në dobi të qytetarëve.
Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha organet e drejtësisë për tu ofruar gjithçka që kërkohet që kjo çështje të zbardhet në mënyrë që çdo keqpërdorim i parasë publike të ndalet njëherë e përgjithmonë”, ka shkruar ai.