Dy mësime nga zgjedhjet e LDK-së për kryetar

0

URAN KRASNIQI

Isa Mustafa me aklamacion u rikonfirmua të dielën si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Për dallim nga subjektet e tjera politike në Kosovë ku rëndom nuk ka kundërkandidatë LDK e lejon një gjë të tillë. Pra janë në lojë më shumë se sa një alternativë. Por kjo demokraci e LDK-së nuk është natyrore, është aksidentale, meqë e ka burimin te vdekja e ish-kryetarit dhe një nga themeluesit të saj, Ibrahim Rugovës. Po të ishte gjallë ai, akoma do të ishte kryetar.

Procesi zgjedhor i LDK-së këtë herë ka qenë më i tensionuar. Kjo pasi është zhvilluar nën influencën e raportit të tensionuar të dy pretendentëve kryesorë, kryeministrit të vendit, Isa Mustafa, dhe deputetes së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo si pasojë e lidhjes së koalicionit të Mustafës me PDK-në e Thaçit, gjë të cilën Osmani e kishte kundërshtuar. Sa ka qenë Mustafa flamurtar i refuzimit të koalicionit me PDK-në gëzonte një simpati edhe te Osmani, si dhe te subjektet e tjera, lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën, por edhe te një grup i shoqërisë civile dhe te një pjesë e mediave. Çfarë ndodhi pas nënshkrimit të koalicionit është se ky grup i madh anti Thaçi automatikisht u shndërrua edhe në anti-Mustafa. Një gjë e tillë në këtë process zgjedhor edhe u manifestua në një favorizim për Osmanin kundër Mustafës. Grupi i shoqërisë civile dhe i një pjese të medias përmes mënyrave të ndryshme nuk u kursyen që Osmani të fitojë garën ndaj Mustafës.

Por në momentin e realizimit të diçkaje të tillë, fitores në Kuvend zgjedhor, Osmani u parandalua, meqë ajo nuk u lejua të jetë kandidate. Kjo gjë normal që në sytë e publikut Mustafën e nxori si një diktator dhe LDK në një mënyrë kaloi në anën e subjekteve të tjera të cilat kanë probleme me demokracinë e brendshme në kuptim të zgjedhjes së kryetarit. Gjykuar prej prizmit të veprimit të tillë mund të thuhet se këto subjekte ëndërrojnë vërtetë që ta bëjnë Kosovën si Korea Veriore, por meqë një gjë të tillë nuk e lejon gjeografia dhe blloku nga është e rreshtuar Kosova, atëherë bëhet fjalë për disa diktatorë në kushtet e pranimit të demokracisë.

Nga zgjedhjet e LDK-së kosovarët mund të nxjerrin dy mësime.

Veprimi i zotit Mustafa, që të pamundësojë kandidimin e zonjës Osmani, por edhe deklarata e tij pas zgjedhjes kryetar ku iu referohej mediave dhe shoqërisë civile, tregonin se njeriu kishte jetuar një frikë dhe se ishte ndier seriozisht i rrezikuar nga mbështetja për Osmanin, të cilën ai e kishte vlerësuar si ndërhyrje e jashtme dhe një luftë kundër tij.
Kjo flet që Grupet e interesit, rasti konkret ai i shoqërisë civile dhe i një pjese të mediave, në rast se vendosin që hapur të mbështesin një kandidat të caktuar në një subjekt, duke përdorur krejt mekanizmat që i kanë, do ta pengojnë edhe më shumë demokracinë e një subjekti, sa do e brishtë që mund të jetë.

Roli i shoqërisë civile dhe i mediave në një proces zgjedhor është monitorimi dhe raportimi. Assesi nuk është pozicionimi nga një kandidat në dëm të një kandidati tjetër, edhe në qoftë fjala për njeriun më të mirë të botës kundër njeriut më të keq të botës. Të drejtën e zgjedhjes së Kryesisë së partisë e kanë vetëm antarët e partisë. Ata që e zgjedhin dikë kryetar ata edhe e kontrollojnë. Nëse dikush është i zgjedhur nga brenda edhe kontrolli do të jetë nga brenda, nëse dikush është i zgjedhur nga jashtë, edhe kontrolli do të jetë nga jashtë. Partitë politike do të duhej që Kryesinë e tyre ta zgjidhnin nga brenda. Kësisoji do të ruanin sovranitetin dhe autonominë e partisë.

Mësimi i dytë ka të bëjë me çështjen e kandidaturave për kryetar të partisë.

Që subjektet politike të jenë demokratike, duhet pasur një KQZ të fortë, të pavarur e me kritere të përnjëmendëta, e cila paraprakisht ua ka bërë me dije subjekteve se si duhet të jetë procesi zgjedhor dhe ua ka treguar çështjen e kandidatëve për kryetar. Një KQZ që merr masa ndaj subjekteve politike kur nuk iu përmbahen kushteve që i kanë pranuar kur janë regjistruar në këtë institucion. Ndryshe nuk ka subjekte politike demokratike. Pa subjekte politike demokratike nuk ka as demokraci në vend.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here