Dukagjin Gorani: Kam frikë se gazmendi i disa deputetëve do të kthehet në vaj tonin

0

“Verën e kaluar, partnerët ndërkombëtarë donin një qeveri që i ka dy të tretat në Kuvend – për dialog me Beograd dhe votim të Speciales. Ashtu edhe u bë. Mirëpo, atë që lindi e shtrembër koha nuk e drejtoi. Koalicioni qeveritar u ngjiz si i paturpshëm dhe nuk u përmirësua gjatë kohës. Ai vetëm sa e thelloi tutje armiqësimin e shoqërisë. Pasojat e kësaj i dëshmuam me mosvotimin e të premtes, kur seanca u shndërrua në festival naiviteti, derisa deputetëve i dukej që për herë të parë po merrnin vendim të pavarur dhe po e ndryshonin kursin e historisë. Kam frikë se gazmendi i tyre do të kthehet në vaj tonin”, ka thënë sociologu Dukagjin Gorani në një intervistë për Express, të cilën mund ta lexoni më poshtë.

Çfarë ndodhi të premten, sipas jush?

Gorani: Prej të premtes, jemi në izolim ndërkombëtar. Ishte kjo zgjedhje e deputetëve tanë dhe me këtë na duhet të jetojmë. Vendosëm ta paraqesim veten si një shtet i madh, i vendosur, i patrembur dhe i – pavarur. Ishalla na mbajnë fjalët.

Nuk ma merr mendja se kjo situatë do të zgjasë. Qeveria do të detyrohet që ndryshimet kushtetuese dhe Ligjin për Specialen t’i dërgojë para deputetëve edhe njëqind herë me radhë, derisa të mos votohen. Shkurt, ‘jo’ nuk mund të jetë përgjigja që bota e don. Kryeministri Mustafa dhe zëvendësi i tij nuk mund t’i bëjnë ballë presionit ndërkombëtar. Ata doemos duhet të përgjigjen në pyetjen e thjeshtë që u shtrohet: ‘A ishte votimi i së premtes vendimi përfundimtar i Kosovës?’

Pyetje e thjeshtë kjo – por tejet e rëndë. Vërtet, a ishte gjithë ajo dramë e djeshme vendimi ynë përfundimtar për Gjykatën Speciale?

Sa për Mustafën dhe Thaçin, jo. Përvoja u thotë se nëse ky ngërç zgjatet do të bëhet edhe më keq për ta. Që të dy po përpiqen ta sigurojnë opinionin ndërkombëtar se votimi i së premtes ishte vetëm një farsë dhe se deputetët refuzues nuk e kishin seriozisht.

Këtë do ta shohim në ditët e ardhshme. Mua më duhet që atë që e pashë të premten ta marr seriozisht.

Si e shpjegoni gjithë atë entuziazëm të deputetëve për ta kundërshtuar kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë që realizuan dhe njohën pavarësinë tonë?

Mirë iu bë edhe atyre. Koalicioni i madh qeveritar që kemi ishte dëshirë dhe kërkesë e tyre për vite të tëra. Për arritjen e tij u shkel kushtetuta e vendit dhe të gjitha parimet demokratike. E drejta e shumicës u zëvendësua me respektin ndaj procedurës. Të gjitha palët e interesuara për koalicionin LDK-PDK i kishin interesat e ndryshme karshi tij. Për PDK-në ai ishte mënyrë e mbetjes në pushtet. Për LDK-në ishte mënyrë e ardhjes në pushtet. Për ndërkombëtarët ishte mënyra më e lehtë e sigurimit të shumicës dërrmuese në Kuvend – saktësisht, të dy të tretave ‘të dyfishta’ – të nevojshme për ndryshim të Kushtetutës dhe votim të Speciales.

Mirëpo, harruan që interesat e ndryshëm shkaktojnë veprime të ndryshme.

Qeveritë aleate iu bindën premtimeve të liderëve të LDK dhe PDK se do t’i përmbushin detyrat: ruajtjen e stabilitetit dhe votimin e Speciales. Nuk u lodhën fort për faktin që koalicioni i dhjetorit e prodhoi një klimë të pështirë në shoqëri e cila eskaloi me protestat e janarit. Nuk u lodhën për cirkusin gjashtë-muajsh të ‘ngërçit politik’. Atyre u interesoi vetëm sigurimi i shumicës së dy të tretave, me çdo kusht. Ajo shumicë shihej e domosdoshme për vazhdim të dialogut me Beograd dhe për votim të Speciales.

Mirëpo, atë që lind e shtrembër koha nuk e drejton. Ky koalicion u ngjiz si i paturpshëm dhe nuk u përmirësua gjatë kohës. Ai vetëm sa e thelloi tutje armiqësimin e shoqërisë së përçarë dhe të hutuar. Shkaktoi pezëm dhe i hapi udhë ekstremizimit. Pasojat e kësaj i dëshmuam të premten në Kuvend.

Sa për entuziazmin e deputetëve. E premtja ishte një festival i naivitetit nga ana e opozitës meqë për herë të parë i dukej se po marrin vendim të vet, të pavarur dhe po e ndryshojnë kursin e historisë. Kam frikë se ky gazmend do të na kthehet në vaj.

A nuk mendoni se ata që do të pësojnë nga mosvotimi i djeshëm janë qytetarët – e assesi udhëheqja politike apo bashkësia ndërkombëtare?

Ç’është e vërteta, më së shumti do ta pësojmë ne, qytetarët e rëndomtë. Paralizat politike marrin haraç përmes rrënimit ekonomik, dështimit të rendit, ligjit dhe të sigurisë. Mirëpo, mendësinë politike e shoqërore në Kosovë që moti nuk mund ta analizosh ‘racionalisht’. Ajo duhet analizuar vetëm brenda kontekstit të saj intern shoqëror. Për ta kuptuar Kosovën duhet t’i kuptojmë kosovarët.

Këtu, na duhet të kthehemi pak në kohë. Shikoni, vendimet e paturpshme e të padrejta politike kanë traditë të gjatë tek ne. Gjatë viteve të pasluftës, reagimi ‘racional’ ndaj vendimeve të tilla u tregua i kotë. Ato filluan të shndërrohen në normë shoqërore në çastin kur administrata ndërkombëtare vendosi që t’i caktojë për partnerë të vet bandat lokale ‘të të fortëve’ të pasluftës. Ky vendim i saj ishte i pakuptimtë për shumicën e kosovarëve, mirëpo ata u detyruan ta ‘racionalizojnë’ atë në mendjet e tyre. Gjatë viteve, ata u pajtuan plotësisht me jetë nën papërgjegjësitë e administratës ndërkombëtare – dhe me shfrenimet e partnerëve të tyre vendorë të cilët e çoroditën rendin e vlerave në shoqëri.

Kjo shkoi aq larg sa që, pak para pavarësimit të Kosovës, më 2007 dhe 2008, po këto qeveri aleate të Kosovës filluan të insistojnë që e gjithë shoqëria civile dhe ‘mendjet kritike’ ta përkrahnin dhe ta ndihmonin parezervë qeverinë e re të shtetit të ri. Kushdo që do të ishte kundër do të përballej me izolim personal dhe ndëshkim publik. Dhjetëra e qindra njerëz u ndjenë të detyruar të angazhohen në ‘ndërtimin e institucioneve’ të shtetit të ri. Kushdo që ftohej e nuk pranonte, izolohej dhe përjashtohej nga qarqet e përkrahjes publike, materiale dhe politike. Pak kush flet për këtë sot. Megjithatë, pati edhe të tillë që refuzuan dhe ata u detyruan të jetojnë larg sferës publike për vite të tëra. Ishte periudhë e rëndë, gati kolonialiste, dhe luhej një lojë e egër: Kosova duhej të bëhej e pavarur dhe s’kishte fort rëndësi se kush dhe si do ta qeveriste. Bëhej fjalë për agjendën strategjike të qeverive të mëdha dhe shumë pak merrej parasysh nëse kishte gatishmëri cilësore, politike të shoqërisë.

E, më së paku bëhej fjalë për ‘shpalljen e pavarësisë’ nga udhëheqja jonë politike. Kush e beson këtë le të besojë edhe në Babadimrin.

 

Mendoni se votimi i së premtes ishte hera e parë që udhëheqja jonë politike doli jashtë kornizave për të cilat ishte disenjuar gjatë gjithë këtyre viteve?

Jo. Po e përmendi këtë periudhë meqë ndërlidhet (edhe) me lindjen e Vetëvendosjes si organizatë radikale politike. Për mua, lindja e saj asokohe ishte indikacion i dëmtimit të madh strukturor që i ishte shkaktuar shoqërisë sonë. Bashkësia ndërkombëtare e kishte çliruar Kosovën, por administrata e saj i kishte pushtetëzuar bandat vendore; ato, në anën tjetër e kishin përmbysur shoqërinë – dhe tash, në fund, qeveritë ndërkombëtare kërkonin me shpejtim që të pajtohemi me gjendjen e krijuar. Mes tjerash, pavarësimi i improvizuar në 2008 duhej të shihej si kompensim formal për dëmin.

Lindja e Vetëvendosjes ishte pasojë e drejtpërdrejtë e këtij dëmtimi. Gjatë viteve, e vështroja se si asaj i shtoheshin radhët nga një shtresë e veçantë e shoqërisë kosovare: ajo e re, e arsimuar dhe anglofone. E kuptueshme, meqë ishte pikërisht ajo shtresë që i refuzoi e para insistimet ndërkombëtare për ta ndihmuar detyrimisht ndërtimin e shtetit i cili do të qeverisej nga banditëria vendore që jepte vetëm një premtim: stabilitet rajonal dhe dëgjueshmëri ndërkombëtare.

Armata e re që i shtohej Vetëvendosjes ishte shtresë e ndjeshme e shoqërisë sonë; ajo kishte pësuar shumë ofendime gjatë viteve për shkak të refuzimit që ta pranojë përmbysjen vlerore të shoqërisë. Ishte izoluar skajshëm nga ana e qarqeve ndërkombëtare porse mbijetesën e gjente në mbështetjen e njëri-tjetrit. Ky solidaritet i këtyre ‘refuzuesve’ e themeloi Vetëvendosjen që e njohim sot. Gjatë viteve, ajo u bë adresa popullore e pakënaqësisë – veçanërisht për rininë aktive dhe kreative. Këtë gjë e shihja gjithnjë me brengë të madhe meqë rritja e saj gjatë viteve më dëshmonte se projekti i shtet-ndërtimit i afrohej kolapsit. Vetëvendosja tashmë ishte shndërruar në barometër shoqëror: sa më shumë rritej, më keq i kishim punët.

Pse po përqëndroheni në Vetëvendosjen? Ajo nuk ishte subjekti i vetëm në Kuvend i cili votoi kundër Gjykatës Speciale…

Pajtohem, mirëpo besoj se edhe ju pajtoheni kur them se mos-votimi i Speciales ishte fitore ekskluzive e presionit të Vetëvendosjes – por nga e cila përfitoi më së shumti PDK. Ju duket e çuditshme? Por, për këtë do të flasim më vonë.

Të përqëndrohemi edhe pak në Vetëvendosjen meqë, formalisht, ajo ishte ylli i mosvotimit të së premtes.

Shikoni, gjatë viteve, Vetëvendosja ia doli ta krijojë një mikro-kulturë të rezistencës parimore në Kosovë. Kjo është gjë e mirë nëse nuk teprohet. Mirëpo, rreziku i teprimit tek organizatat e tilla ekziston vazhdimisht meqë bëhet fjalë për entitete radikale – ato synojnë transformim strukturor dhe cilësor të shoqërisë. Kam frikë se teprimi shkaktohet atëherë kur parimet ideologjike – sidomos ato normative, ideale – bëhen të paarritshme dhe të pazbatueshme për realitetin shoqëror. Shumica e aktivistëve të Vetëvendosjes janë besimtarë të parimeve normative, të definicioneve (akademike) të demokracisë, të lirisë, të drejtës në vetëvendosje, etj. Kësisoj, ata synojnë që shoqëria t’i përshtatet patjetër këtyre parimeve dhe t’i arrijë ato me çdo kusht. Janë të bindur se shoqëria mund dhe duhet të transformohet, të rilindet dhe të rimendohet vazhdimisht, përmes aktivizmit të vazhdueshëm politik. Republika e Tretë për të cilën flasin është simbol i transformimit dialektik, i mundësisë për të kaluar në një cilësi të re shoqërore. Sipas tyre, synimet normative duhet të mirëmbahen, korrigjimet duhet të ndërmerren, debati duhet të mos pushojë – deri në bërjen e shtetit. Deri në arritjen e standardeve normative / ideale të një shoqërie të drejtë dhe funksionale.

A ka kush që nuk pajtohet me këtë? Unë pajtohem plotësisht.

Atëherë, ku është faji? Pse e kemi përshtypjen se Vetëvendosja po shndërrohet në pengesë serioze në zhvillimin tonë politik, e jo në nxitëse dhe përkrahëse të tij?

Mendoj që mosmarrëveshja shkaktohet nga mënyra e përjetimit të Kosovës si konstruksion shoqëror, politik dhe ekonomik. Sipas Vetëvendosjes dhe qëndrimit të saj doktrinar karshi koncepteve normative Kosova përjetohet shoqëri që ka të drejtë të barabartë të jetë shtet i pavarur. Dhe, duke e përjetuar si të tillë, në Vetëvendosje besohet se Kosova i ka të gjitha të drejtat vepruese politike si edhe shtetet e tjera – e, këtu, veçanërisht, mendohet në të drejtën në veprim të pavarur politik.

Pikërisht këtu duhet të ndalemi.

Kosova NUK është shtet i pavarur: ajo nuk është disenjuar që të jetë e tillë. Synimi i intervenimit të NATOs dhe i administrimit ndërkombëtar NUK ishte krijimi i një shteti (tërësisht) të pavarur. Përkundrazi, çlirimi i saj synonte krijimin e një shoqëri të lirë, por të vetëdijshme se ardhmëria e saj është ndërvarësia rajonale dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Kosova u çlirua dhe vazhdon të mbikëqyret nga grupi i shteteve për të cilat liria dhe prona janë koncepte personale e jo kolektive. Për to, pavarësia është kategori ekonomike e jo politike: shoqëria e varfër është e varur, shoqëria e pasur mund të jetë e pavarur. Pra, shoqëritë që u angazhuan për çlirimin tonë janë demokraci kapitaliste apo neoliberale, sipas diskursit të Vetëvendosjes.

Për to, ndërvarësia rajonale dhe ndërkombëtare është baza e doktrinës politike e Ballkanit të pasluftës – assesi pavarësia shtetërore në veprime politike. Assesi sovraniteti. Këtu, mendoj, shkaktohet mosmarrëveshja e madhe e Vetëvendosjes (dhe jo vetëm e saj) me bashkësinë ndërkombëtare në Ballkan dhe në Kosovë.. Këtë e shoh me brengë të madhe meqë s’është punë e vogël. Prej këtu dalin qindra mosmarrëveshje të tjera të cilat, në fund, shkaktojnë edhe situata si kjo sot – kur ndodhemi në prag të izolimit politik.

Pra, shkurt, Vetëvendosja mendon se pavarësia e Kosovës varet nga vullneti politik. Bashkësia ndërkombëtare mendon se pavarësia varet nga zhvillimi ekonomik. Për këtë të fundit Kosova dhe Ballkani është shoqëri e varfër andaj është edhe e ndërvarur.

Edhe partitë tjera e përjetojnë Kosovën si shtet të pavarur. Madje, ato si PDK dhe AAK nuk pushojnë duke deklaruar se e kanë çliruar dhe e kanë shpallë pavarësinë e saj. Të mos flasim për LDKnë dhe bindjen e saj se ajo e zbuloi idenë e Kosovës së pavarur. Çfarë doni të thoni? Se ato e pranojnë këtë koncept të Kosovës si shtet ‘të ndërvarur’?

Pikërisht. Për partitë e tjera – veç Vetëvendosjes – pavarësia e Kosovës është vetëm qëndrim dekorativ politik. Është figurë stilistike në narrativin e tyre ideologjik. Është bisedë pas darke. Gjithnjë ka qenë i tillë. Historia politike e këtyre partive dëshmon se synim kryesor e kishin vetëm pushtetin mbi pasurinë publike, assesi faktorizimin rajonal. Udhëheqjet e tyre i kuptuan shumë herët qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën, madje shumë kohë para se të krijohej Vetëvendosja. Atyre iu bë e qartë që në fillim se Kosova ishte menduar të shndërrohet në një shtet stabil dhe të ndërvarur, si të gjitha shtetet e tjera të rajonit. Se liria dhe pavarësia janë kategori individuale dhe ekonomike, e jo kolektive e politike.

Andaj, me t’i pranuar këto parime, udhëheqjet e LDK, PDK dhe AAK u kualifikuan për partnerë të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Për ndërkombëtarët, stabiliteti politik pas lufte mund të arrihej vetëm nëse shoqëria kosovare individualizohej dhe demobilizohej. Edhe për udhëheqjet vendore partiake, pasurimi dhe dominimi në shoqëri ishte i mundshëm përmes demobilizimit, përçarjes dhe rajonalizimit të shoqërisë. Pajtimi ishte i plotë dhe i dyanshëm.

Gjatë viteve, udhëheqja vendore partiake pati sukses në këtë qëllim. Ajo e individualizoi dhe e demobilizoi sistematikisht shoqërinë tonë. Duke e deklaruar veten primitivisht ‘të djathta’ partitë e pasluftës e prodhuan një kulturë të përçudnuar të individualizmit banal përmes modelit të ‘biznesmenit’, ‘komandantit’, ‘liderit’ dhe ‘heroit’. Para se të ekzistonin ato, Kosova përjetohej si tërësi shoqërore, kulturore e gjeografike. Me ardhjen e tyre në pushtet Kosova u nda në Drenicë, Dukagjin, Llap, Gollak, Anamoravë, etj. Kjo ndarje rajonale sot paraqet ndasi të egër ekonomike, kulturore e zhvillimore. Mes tjerash, kjo ndarje prodhon iluzionin se Kosova është shtet i madh, me dallime rajonale, dialektore, ideologjike – mbase edhe kohore e klimatike…

Kështu, përderisa ‘punët e mëdha’ të Kosovës së pasluftës ishin përgjegjësi e administratës ndërkombëtare – siguria rajonale, marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërtimi i byrokracisë – udhëheqjet lokale partiake u përqëndruan në ‘punët e vogla’: në monopolizimin ekonomik, territorializimin e pushtetit dhe dominimin strukturor të shoqërisë. Natyrisht, gjatë gjithë kohës ato nuk e hoqën nga goja pavarësinë e vendit, mirëpo gjithnjë duke ia qartësuar bashkësisë ndërkombëtare se bëhet fjalë vetëm për një dekor narrativ. Nuk ka takim politik me përfaqësues ndërkombëtarë në të cilin më rastisi të marr pjesë gjatë gjithë këtyre viteve, e ku nuk u përsërit parreshtur nga politikanët tanë gatishmëria për t’i shërbyer dhe për të bashkëpunuar me ‘partnerët ndërkombëtarë’ – duke e theksuar veçanërisht se i kuptojnë qartë kufizimet politike e ligjore të ‘shtetësisë’ së Kosovës.

Kjo ndarje e përkryer e punëve daton që nga viti 2000. Bashkësia ndërkombëtare kujdesej për statusin e Kosovës kurse udhëheqja vendore kujdesej për shoqërinë e saj. Përderisa kjo e fundit nuk përzihej në formësimin politik e ligjor të Kosovës në botë, as bashkësia ndërkombëtare nuk përzihej në mënyrën se udhëheqja vendore e dominonte dhe e (de)formonte shoqërinë e vet. Mos të harrojmë, LDK, PDK dhe AAK kanë pushtet të pandërprerë në Kosovë prej vitit 2000, qoftë në nivel lokal apo qendror. Asnjëra nuk ka qenë kurrë në opozitë të plotë meqë kurrë s’ka ndodhë të mos ketë së paku disa komuna nën kontroll, tash e 15 vjet.

Mirë, ku e shihni ndërlidhjen e këtyre temave me situatën rreth Gjykatës Speciale?

Gjykata Speciale ishte menduar që në vitin 2003, gjatë periudhës së UNMIK-ut. Qeveritë aleate atëbotë vendosën që kjo çështje të shtyhet meqë do ta dëmtonte stabilitetin e vendit duke dëmtuar partnerët lokalë që kontrollonin shoqërinë. Kësisoj, themlimi një tribunali për krimet e kryera në Kosovë u shtye 12 vjet rresht – edhe pse kohëpaskohe kërkohej nga gjyqësia vendore që të angazhohet në ndriçimin e krimeve të pohuara. Por, kjo nuk merrej seriozisht.

Tribunali u shtye porse nuk u hoq dorë prej tij. Më duket se kemi prirje të harrojmë se qëllimi i çlirimit tonë përmes intervenimit ndërkombëtar nuk ishte krijimi i fituesve dhe humbësve. Nuk ishte krijimi i viktimës absolute dhe i mizorit absolut. Përkundrazi, qëllimi i intervenimit ushtarak ishte që të dëshmohet se lufta nuk krijon fitues dhe humbës – por vetëm paqja. Qëllimi i intervenimit ishte të na përkujtojë se luftës nuk mund t’ia sheh hajrin askush – dhe se askush nuk mund të konsiderohet i pafajshëm. Pafajësia totale nuk mund të ekzistojë sipas doktrinës politike, ekonomike, kulturore– madje, edhe të asaj fetare – të bashkësisë së shteteve perëndimore. Kjo, për faktin se atje besohet se pafajësia totale të jep të drejtë në papërgjegjësi totale. Sipas përvojës së tyre historike, viktima absolute lehtë mund të shndërrohet në agresor absolut.

Andaj, sipas tyre, fajësia duhet të jetë e përbashkët. Vetëm një gjendje e tillë mund ta sigurojë bashkëpunimin dhe konsideratën mes njerëzve dhe popujve. Kur të gjithë kemi faj, mund të pajtohemi më lehtë. Kjo gjendje përpiqet të prodhohet edhe në Kosovë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, tash e sa vjet. Të prodhohet vetëdija se askush nuk ishte engjëll gjatë luftave në ish-Jugosllavi dhe se askush nuk mund të sillet triumfalisht. Sidomos jo në rastin e Kosovës, e cila nga kjo bashkësi ndërkombëtare shihet si shoqëri që krekoset për çlirimin që nuk e realizoi vet, për shtetin që nuk e bëri vet dhe për pafajësinë absolute të cilën nuk e ka.

Pra, Gjykata Speciale është mënyrë për t’ia përkujtuar kosovarëve të gjitha këto. Se nuk janë të pafajshëm dhe se nuk janë fituesit e plotë. Se edhe ata kanë bërë faje e krime dhe se nuk mund të kalojnë të pandëshkuar. Qëllimi i nisjes së një procesi të gjatë gjyqësor rreth krimeve të kryera në Kosovë synon ndryshimin e kulturës politike në shoqërinë tonë. Ai do të na detyrojë të heqim dorë nga krekosja triumfale nacionaliste meqë do t’i shpalosë publikisht krimet që janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës dhe, sidomos, pas luftës. Patjetër, krimet do të trajtohen si vepra të individëve – porse efekti i tyre publik do të jetë dosido kolektiv dhe do të ketë fuqi transformuese. Tek ne, ky efekt do ta shkaktojë zvogëlimin e britmës triumfale nacionaliste dhe zbritjen e ambicieve politike. Në fund, ky efekt do të na bindë se Kosova është një shtet multietnik ku të gjitha palët janë fajtore për të kaluarën dhe të gjitha bashkë e mbajnë përgjegjësinë për të ardhmen.

 

Si e shpjegoni faktin se PDK këmbëngul në votimin e Gjykatës – kur, shumë shpesh, në opinion publik emrat e zyrtarëve të saj të lartë lakohen si të akuzuarit e mundshëm të Speciales? A nuk është ky një paradoks?

Nuk thashë se PDK e përkrah themelimin e Gjykatës Speciale. Larg asaj. Janë pikërisht deputetët e PDK ata që e pamundësuan votimin e saj. Nuk kishte nevojë që të gjithë të dalin me votë kundër – vetëm disa do të mjaftonin. Dhe, siç e pamë të premten, mjaftuan. Mendoj se PDK e luajti një lojë të shkathtë politike, por megjithatë lehtë të hetueshme. Në njërën anë udhëheqja e saj zotohet për përkrahje të Speciales, e në anën tjetër disa deputetë të saj e aktrojnë padëgjueshmërinë. Është ky një trik i vjetër parlamentar për ta hequr fajin nga udhëheqja e partisë. Mirëpo, bashkësia ndërkombëtare – e, veçanërisht qeveritë më të fuqishme të saj – janë të rryera me këso truqesh. Interpretimi i tyre i mosvotimit të së premtës është i thjeshtë: ishte manipulim i PDK. E vërtetë ose jo, kjo ka pak rëndësi.

Mirëpo, ajo që për mua është fascinante në gjithë këtë farsë është ironia e triumfit të Vetëvendosjes të premten e kaluar. Mbase, për herë të parë, përfitues kryesor i kryeneçësisë së saj dolën PDK dhe AAK. Të premtën, triumfi i mosvotimit iu faturua Vetëvendosjes – duke qenë opozita më e zëshme – porse përfitimi real i shkoi PDKsë dhe AAKsë që përjetohen si subjekte potenciale të Gjykatës. Sidomos, ngatërrimi i mëtejmë i situatës është në interes të PDK meqë ajo llogarit se mund të krijohet një hapësirë plotësuese për manovrim politik dhe, mbase, për ndonjë negociim juridik.

E kuptoj, Vetëvendosje e bëri gjithë këtë rrëmujë për shkak të besimit fanatik në normativitetin e parimeve të veta ideologjike, mirëpo po ashtu e shkaktoi një huti të pëgjithshme dhe një gabim strategjik. E therri kaun për një kilogram mish. Fitorja e saj është e papërfillshme ngase Specialja do të themelohet dosido, mirëpo kundërshtimi i ashpër që e zhvilloi ia ndërlikoi së tepërmi pozicionin karshi bashkësisë ndërkombëtare. Kam frikë se, përfundimisht, që nga e premtja e kaluar, Vetëvendosja cilësohet si organizatë ekstreme në sytë e partnerëve ndërkombëtarë. Shikoni, në marrëdhëniet ndërkombëtare të shoqërive të vogla ka pak rëndësi nëse e ke mirë; shumë më me rëndësi është nëse di të përshtatesh – dhe të përfitosh diçka nga kjo përshtatje. Për të kushedi satën herë, të premten e kaluar Vetëvendosja insistoi të jetë e papërshtatshme deri në fund.

Por, Vetëvendosjes kurrë nuk i ka interesuar përshtatshmëria karshi bashkësinë ndërkombëtare nëse e vlerëson se ajo bie ndesh me parimet e saja ideologjike. Këtë e kemi parë dhjetëra herë…

Pajtohem. Folëm për këtë më herët. Mirëpo, fati i shoqërive të vogla – dhe i organizatave të tyre politike – është të jenë taktike e jo strategjike. Si shoqëri e vogël, Kosova mund të jetë strategjike vetëm përbrenda, assesi për së jashtmi. Përbrenda, mund ta mendojmë ambicien tonë politike për dhjetë, njëzet, tridhjetë vitet e ardhshme. Mirëpo, për së jashtmi, në raportet ndërkombëtare, duhet të jemi taktikë. Pra, aty duhet që ambiciet tona t’i zhvillojmë duke iu përshtatur agjendave strategjike të qendrave të mëdha e me ndikim në Ballkan. Ky është fati i shoqërive të vogla. Është paksa fat tragjik, mirëpo është po ashtu edhe fakt politik. Nuk mund të shtiremi se jemi shoqëri e madhe dhe e fuqishme. Ne nuk mund të kushtëzojmë apo të ndalojmë çkado në rrafshin ndërkombëtar dhe me këtë duhet të pajtohemi. Ajo që mund të bëjmë është të përshtatemi, të jemi të durueshëm, të zgjuar dhe kësisoj ngadalë të përfitojmë. Serbia, gjatë kushtëzimit të fundit që ia drejtoi bashkësisë ndërkombëtare, i përbiu bombat e NATOs për 78 ditë rresht. Serbia është shoqëri goxha më e madhe se ne porse iu desh që dhunshëm ta kuptojë se është krejtësisht e papërfillshme për botën. Marrëzia serbe e viteve ‘90 duhet të kuptohet si leksion i përgjithshëm për të gjitha shoqëritë ballkanike që veten e masin me hijen e mëngjesit. E, sidomos, për ne.

Pra, këtu nuk pajtohem me Vetëvendosjen. Ajo përpiqet të imponohet strategjikisht në skenën ndërkombëtare. Shqipëria e bashkuar, ndryshimi i kufijve, ndërprerja e dialogut, vetëvendosja politike, refuzimi i Speciales – këto janë imponime dhe ambicie strategjike. As ajo, e as Kosova, nuk e ka fuqinë reale për t’i realizuar këto ambicie sipas kushteve të veta. Strategjikisht, këto mund të realizohen vetëm përbrenda shoqërisë, duke e zhvilluar ekonomikisht, duke e arsimuar politikisht dhe duke e avancuar ligjërisht e moralisht. Ndërkohë, ndërkombëtarisht, mund të jemi vetëm taktikë: të durojmë kur të jetë nevoja, të përshtatemi kur të jetë e domosdoshme dhe të veprojmë saherë të na lejohet hapësirë.

Mirëpo, me armiqësimin e skajshëm me partnerët ndërkombëtarë, Vetëvendosja vetëm sa po e pamundëson ndryshimin strukturor të skenës sonë politike. Në vend se të konkurrojë për ta fituar pushtetin – duke qenë në kulm të popullaritetit – ajo ndërmerr veprime vetë-dëmtuese sikurse ky i të premtes. Ajo e mori përsipër përgjegjësinë kryesore për mosvotim të Speciales, ndërkohë që ishin deputetët e pushtetit ata që, realisht, e shkaktuan atë.

Kësisoj, duke rënë në armiqësi (edhe) me bashkësinë ndërkombëtare, Vetëvendosja e largoi veten nga imazhi i saj si shpresa politike e vendit. Këtë e dëshmoi edhe numri i papërfillshëm i protestuesve të premten e kaluar, përkundër thirrjes së saj publike.

Seanca u shndërrua në festival naiviteti, derisa deputetëve i dukej që për herë të parë po merrnin vendim të pavarur dhe po e ndryshonin kursin e historisë

Pikërisht dje, opozita politike – përfshirë Vetëvendosjen – kushtëzoi bashkësinë ndërkombëtare duke kërkuar ndryshim strukturor të Speciales. Sipas saj, Gjykata për krime në Kosovë duhet të themelohet në Kosovë.

Sot, opozita do të bënte më mirë nëse do të vazhdonte ta refuzojë në tërësi Specialen, sesa të ofrojë kushte dhe ide – e me këtë duke e thelluar tutje armiqësinë me partnerët ndërkombëtarë. Meqë të premten folën fjalë të mëdha, tash do të duhej t’i mbanin ato. Mbi të gjitha, më duket marrëzi totale që këtë ofertë ‘alternative’ ta ofrojnë ata të cilët, teknikisht, nuk e shkaktuan mosvotimin e Speciales. Atë e shkaktuan deputetët e PDKsë, e jo opozita. Askush asnjëherë nuk llogariti në votat e opozitës për Specialen. Ishte pikërisht kjo logjikë që krijoi edhe koalicionin e madh LDK-PDK. Shkurt, të premten, opozita dhe Vetëvendosja vrapuan pa pikë nevoje që ta banalizojnë një rezultat të planifikuar më herët. Naiviteti i shtyri që ta marrin mbi vete një përgjegjësi që nuk ishte e tyre.

Nga ky këndvështrim, daljen e djeshme të z. Haradinaj e kuptoj tërësisht të panevojshme dhe të pakuptimtë. Ai do të duhej që ta lë pushtetin të arsyetohet para opinionit, e jo të ofrojë ide alternative që s’i interesojnë askujt.

Mirëpo, mendoj se këto qëndrime kompromisi të opozitës janë sinjal i frikës se ishte tepruar gjatë seancës së të premtes. Po për këtë teprim folëm pak më herët. Vërtet politika është një lojë, porse nuk është lojë fëmijësh. Aty nuk ka vend për cirkus, performanse apo pendime – përveç nëse nuk je tepër i madh dhe tepër i fuqishëm. Pres që kushtëzimet që i formuloi të dielën kryetari i AAK-së të interpretohen si ofendim politik nga ana e partnerëve ndërkombëtarë. Dje dukej sikur z. Haradinaj ia mbajti një leksion politik dhe juridik sistemit ndërkombëtar të drejtësisë. I tregoi arsyet dhe mënyrën se si do të duhej të themelohej një Gjykatë për krime të luftës – dhe, po ashtu, shpjegoi se cilat ishin gabimet e sistemit ndërkombëtar. Paksa ambicioze kjo.

Epo, mirë. Interesante është të vërehet se këtë e tha pas 12 viteve të kërkesave të po atij sistemi ndërkombëtar që Kosova t’i dënojë kryesit e krimeve gjatë periudhës së luftës dhe pasluftës. Po del se tash i paska ra ndërmend: tash, pasi që u ndez makineria ndërkombëtare gjyqësore dhe pasi u alokuan 300 milionë euro për themelimin e një tribunali që do të jetojë së paku dhjetë vjet. Vërtet, po e pres me padurim përgjigjen e partnerëve ndërkombëtarë në sugjerimet dhe kushtëzimet e opozitës kosovare. Deri atëherë, mbetem i bindur se ky koncesion i djeshëm i opozitës u shkaktua nga frika se këtë herë vërtet u teprua me performansin e refuzimit. Është më korrekte që ta kundërshtosh një kërkesë se sa ta korrigjosh autorin e saj – meqë kësisoj edhe e kundërshton, edhe e ofendon.

Mirë. A shihni rrugëdalje nga ky qorrsokak?

Po, mirëpo më duhet ta përsëris se nuk do të shpëtojmë pa u koritur dhe pa i thelluar armiqësitë mes vete dhe me botën. E, diç e tillë nuk është edhe ndonjë rrugëdalje e suksesshme. Gjatë seancës së të premtes bankrotoi e gjithë skena politike në vend – përfshirë edhe praninë ndërkombëtare. Opozita e ritheksoi imazhin e vet si kundërshtuese e plotë e bashkësisë ndërkombëtare. Përmes votimit kundër, deputetët e PDKsë e morën me vete në humnerë edhe LDKnë e cila atë ditë i vështronte e tmerruar pasojat e obsesionit të vet për pushtet i cili e shtyri në koalicion me PDKnë. Krejt në fund, ishin përfaqësuesit e Listës Srpska ata që shfrytëzuan rastin të llomotisin për arsye, paqe, drejtësi dhe dinjitet. Maestrale, apo jo?

Tutje, reagimet ndërkombëtare ishin të pritshme. Për herë të parë, ishte mbarë shteti i Kosovës ai i cili u akuzua dhe u ndëshkua në komentin e The New York Times dhe në qëndrimet e Human Rights Watch. Për botën, mosvotimi i Speciales nuk është vendim i ‘dy-tre deputetëve’ por qëndrim i popullit të Kosovës. Tash, me këtë duhet të jetojmë.

Mendoj se pyetja e thjeshtë dhe e rëndë nga fillimi i kësaj bisede vazhdon të mbetet pa përgjigje: ‘A ishte votimi i së premtës vendimi përfundimtar i Kosovës?’ Çfarë mendoni ju?.

Për vete, s’e di. Ndoshta më së miri është që këtë punë t’ua lëmë atyre që paguhen për të./Express/

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here