Drejtori i PK-së bisedon me zyrtarë policor gjerman për anëtarësimin e  Kosovës në INTERPOL 

0

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka pritur sot në një takim një delegacion nga Gjermania, përkatësisht nga shteti North Rhine Westphalia, të udhëhequr nga Ralf Jäger, ministër i Brendshëm dhe Dieter Wehe, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së shtetit të North Rhine Westphalia.

Zyra për Informim e Policisë së Kosovës ka bërë me dije se temë e këtij takimi ishte bashkëpunimi policor ndërkombëtar, migrimi ilegal dhe luftimi i krimit të organizuar.

“Drejtori Maxhuni tha se Policia e Kosovës tashmë ka dëshmuar veten se është e përgatitur të jetë pjesë e të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë policorë, si: INTERPOL-i, EUROPOL-i etj. me qëllim parandalimin, luftimin e kriminalitetit si në vend, rajon dhe më gjerë dhe se kjo mbetet ndër objektivat kyçe të PK-së, ku njëherit u kërkua edhe përkrahja në këtë drejtim edhe nga z. Ralf Jäger, ministër i Brendshëm për North Rhine Westphalia”, ka bërë me dije Policia e Kosovës.

“Nga ana e tij z. Ralf Jäger, falënderoi Policinë e Kosovës, në këtë rast drejtorin Maxhuni për pritjen dhe njëkohësisht premtoi se në takimin, që do ta ketë me ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë do ta diskutojë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe EUROPOL”, është njoftuar më tej.

“Gjatë takimit, i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, të dy krerët e policive të të dy vendeve u zotuan për bashkëpunim të ndërsjellë në mes të dy policive si dhe avancimin e përbashkët në fushën e parandalimit dhe luftimit të krimit”, është përmbyllur njoftimi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here