Dokumenta amerikane të deklasifikuara për Shqipërinë: Si u prish SHBA me Berishën

0
Shtëpia botuese Dudaj dhe autori amerikan Fred Abrahams hapin për publikun një sërë dokumentash të deklasifikuara të qeverisë së ShBA-s të cilat u morën dhe u përdorën nga Abrahams për librin e tij të ri Shqipëria e Re, që tregon për tranzicionin e Shqipërisë nga komunizmi në demokraci.
Këto dokumenta, më së shumti nga Departamenti i Shtetit por edhe nga CIA, i vihen në dispozicion publikut në Bibliotekën Kombëtare Shqiptare, qendrës për hapje dhe dialog në Tiranë, univesiteteve publike ne Shkodër dhe Elbasan. Një përzgjedhje mund të gjendet gjithashtu edhe online në www.modern-albania.com/documents.
“Këto dokumenta ishin tepër të rëndësishme për librin, për të hedhur dritë në këtë periudhë dramatike për Shqipërinë dhe zhvillimit të marrëdhënieve ShBA-Shqipëri,” tha Abrahams . “Por më e rëndësishme është që ato të jenë të hapura për të gjithë-nxënës, studentë, ligjvënës dhe gazetarë.”
Në përgjigje të qindra kërkesave bazuar në Aktin për Lirinë e Informimit (Freedom of Information Act requests,) qeveria amerikane i dorëzoi Abrahams-it 500 dokumenta të deklasifikuara, 239 prej të cilave përmbanin informacion që ai i përdori direkt ose indirekt në libër. Tridhjetë e tetë dokumenta janë cituar në tekst.
Dokumentat përfshijnë vitet 1981 deri në 2004. Ato zbulojnë sesi qeveria amerikane bënte të gjitha përpjekjet e mundshme të merrte informacione gjatë periudhës së komunizmit, si psh për vdekjen misterioze të kryeministrit Mehmet Shehut dhe për pasardhësit e mundshëm të Enver Hoxhës, dhe se si Uashingtoni analizonte ngjarjet teksa Shqipëria nisi të hapej në 1990.
Një sasi e caktuar dokumentash i adresohet periudhës 1990-91, duke përfshirë kontaktet e para të SHBA me opozitën-Partinë Demokratike, rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe vizitën historike të qershorit 1991 në Tiranë të Sekretarit të Shtetit James Baker, si edhe procesin e reformimit të ngadaltë brenda Partisë së Punës me emrin e ri Partia Socialiste.
Shumë nga dokumentat mbulojnë periudhën e qeverisjes së Sali Berishës si president nga 1992 deri në 1997, duke përfshirë orvatjet e tij për reforma dhe represionet e tij ndaj kritikuesve. Raportet e qeverisë amerikane në atë epokë reflektojnë një mbështetje të fortë pro-Partisë Demokratike në atë kohë.
Shumë nga këto dokumenta tregojnë për çarjen graduale mes Berishës dhe Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë edhe gjyqin e grekëve etnikë “Omonia 5,” presioni mbi gjyqësorin dhe zgjedhjet e manipuluara të 1996-ës, që çuan në shpërthimin masiv të skemave piramidale vitin pasues.
Dokumentat e 1996-97 përmbajnë edhe paralajmërimet e vonuara të zyrtarëve të Bankës Botërore dhe FMN-së mbi piramidat, arrestimet e bosave të piramidave, rrëmbimin e arsenaleve luftarake, dhe reagimin e SHBA-së lidhur me insinuatat për përfshirje në të ashtuquajturin “Planin Lotus.”
Disa dokumenta mbulojnë Kosovën, duke përfshirë pikëpamjet kontradiktore të Partisë Demokratike lidhur me konfliktin: Me dëshirën për të paraqitur kredencialet nacionaliste, partia e re në fillim foli për ndryshim kufijsh, e pastaj shpejt moderoi tonet për t’u futur në linjë me shqetësimet ndërkombëtare. Dokumenta të tjerë raportojnë për aktivitetin ushtarak dhe refugjatët në kufirin verior gjatë luftës së 1998-99.
Dokumentat gjithashtu tregojnë shqetësimin e SHBA-së për Partinë Socialiste në atë kohë, duke përfshirë korrupsionin, nepotizmin dhe përdorimin e problemeve të brendshme për të nxjerrë përfitime politike. Disa dokumenta tregojnë dhe për sjelljen e PS gjatë krizës së 1997 dhe gjyqin e kreut të atëhershëm Fatos Nano.
Libri Shqipëria e Re: Nga Diktatura në Demokraci në Europë (Modern Albania në Anglisht), i cili u promovua në Tiranë javën e shkuar, trajton rënien e komunizmit dhe tranzicionin e dhimbshëm të shtetit më të mbyllur dhe represiv në Europën Lindore
“Dokumentat hapin një dritare të re në politikën e Shqipërisë, siç u pa në Uashington, dhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike pas dekadash izolimi,” tha Abrahams.
Për të parë një përzgjedhje dokumentash, vizitoni http://www.modern-albania.com/documents.
Koleksioni prej 239 dokumentash iu dorëzua Universitetit të Tiranës, Universitetit Luigj Gurakuqi në Shkodër, Universiteti Aleksandër Xhuvani në Elbasan, Qendra për hapje e dialog në Tiranë dhe Biblioteka Kombëtare Shqiptare. Koleksioni i plotë prej 500 dokumentash do të jetë së shpejti në dispozicion në Arkivat e Shoqërisë së Hapur në Budapest.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here