Dokument: Ja amanetet e 4 intelektualëve elbasanas para pushkatimit

0

Zbulohet dokumenti që përmban  amanetet e fundit të  katër intelektualëve elbasanas  para pushkatimit. Dokumenti  i përket Gjykatës  Ushtarake të Elbasanit. Ai mban  datën 11 mars 1948 dhe i drejtohet  Gjykatës së Naltë Ushtarake Tiranë.  “Data e ekzekutimit të dënuarve me  vdekje: 1- Fadil Gurmani, 2-Zija Lunikut,  3- Xhaferr Mirakut dhe 4- Mahmut  Maçit ashtë 09.03.1948 ora 19  e mbramjes të cilët para ekzekutimit  u shprehën si vijon: Xhaferr Miraku  tha: Rroftë Pushteti! Shqipëninë le ta  gëzojnë shokët e vendosun, kjo është  e vërteta, amanet djalin ta edukoni  dhe ta bani njeri të vlefshëm! 2- Zija  Luniku tha: Rroftë Shqipëria! 3- Mahmut  Maçi tha: Rroftë nacionalizmi pa  parti! 4- Fadil Gurmani nuk foli asnjë  fjalë”, thuhet në dokument.  Fadil Gurmani lindi në një familje  qytetare shajakpunuesish në Elbasan.  I vogël mbeti jetim dhe patrioti i madh  Aqif Pashë Biçakçiu i krijoi mundësinë  financiare të shkollohej në Austri për  mësuesi. Një ndër pedagogët e tij ka  qenë edhe psikologu Adler.

Në pushimet  verore 1920 u kthye në Elbasan  dhe u përfshi në orkestrën frymore  “Afërdita”. Pas kthimit në Shqipëri u  emërua mësues pranë shkollës Ushtrimore  të shkollës Normale të Elbasanit  ku jepte metodikë. Në vitin  1935 emërohet kryemësues në Ushtrimore  dhe në 1936 emërohet inspektor  arsimi në prefekturën e Elbasanit.  Në maj 1939 kundërshtoi pushtimin  fashist, u pushua nga puna dhe u internua  në Itali. Në vitin 1942 lirohet  nga internimi dhe emërohet inspektor  arsimi në prefekturën e Durrësit. Në  vitin 1943 u bë pedagog i Institutit  Femëror dhe në vitin 1944 drejtor  i Arsimit të Mesëm në Ministrinë e  Arsimit.

Pas Luftës së Dytë Botërore  punoi si mësues në Elbasan. Arrestohet  në vitin 1947 dhe më 9 mars  1948 u pushkatua nën akuzën “Krime  kundër shtetit”. Pas vitit 1990 mori  titullin “Mësues i Popullit”.  Zija Luniku lindi në vitin 1908. Ishte i  biri i klerikut Hafëz Sulejman Luniku.  Përfundoi Normalen në vitin 1929. Më  pas vijoi studimet e larta për drejtësi  në Firence të Italisë. Në vitin 1935 përfundon  studimet dhe mbron temën: E  drejta zakonore e popullit shqiptar dhe  kanuni i Lekë Dukagjinit.  Njihte disa gjuhë të huaja. Kthehet në  atdhe dhe fillon punë si jurist në Berat  në vitet 1935-1938. Transferohet në  Vlorë në vitet 1938-39 dhe në Shkodër  në vitet 1940-43. Nga viti 1944-46 punon  si avokat në Elbasan dhe mbrojti  disa figura të shquara si Shefqet Daiun  në gjegjin e zhvilluar kundër tij. Në  dhjetor 1946 arrestohet nga regjimi  komunist dhe torturohet për rreth një  vit janar-dhjetor 1947. Ekzekutohet më  9 mars 1947 bashkë me Fadil Gurmanin,  Mahmut Maçin dhe Xhafë Mirakun.  Në këtë dokument citohet:

Republika Popullore e Shqipnis

Vdekje Fashizmit  Liri Popullit

Gjykata Ushtarake e Elbasanit

Nr. 798 i Aktit  Elbasan më 11.03.1948

Gjykatës së Naltë Ushtarake Tiranë

Përgjigje urdhrit nr. 294/1 datë 8 mars  1948:  Data e ekzekutimit të dënuarve me  vdekje:  1- Fadil Gurmani, 2-Zija Lunikut, 3-  Xhaferr Mirakut dhe 4- Mahmut Maçit  ashtë 09.03.1948 ora 19 e mbramjes të  cilët para ekzekutimit u shprehën si vijon:  Xhaferr Miraku tha: Rroftë Pushteti!  Shqipëninë le ta gëzojnë shokët e vendosun,  kjo është e vërteta, amanet djalin  ta edukoni dhe ta bani njeri të vlefshëm!  2- Zija Luniku tha: Rroftë Shqipëria!  3- Mahmut Maçi tha: Rroftë  nacionalizmi pa parti! 4- Fadil Gurmani  nuk foli asnjë fjalë./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here