Djajtë qeshin kur njerëzit qajnë

0

SALAJDIN SALIHU

Një vogëlushe me sy të përlotur, të përhumbur, me një lule të bardhë mbi flokët si prej ari. Një imazh që paraqet simbolikisht të bukurën kundrejt tmerrit; pafajësinë kundrejt kroesusve të dehur prej duhmës së një pushteti të ndërtuar prej pisllëqeve të shumta. Një imazh kuptimplotë që dëshmon se djajtë nuk janë vetëm pjesë e mitologjisë, por edhe të realitetit tonë.

Ata që premtuan ardhmëri të lumtur, sollën lot e trishtim për këtë fëmijë të bukur.

Teksa në heshtje e shikoja këtë imazh, im bir, i një moshe me vogëlushen e trishtuar, më tha: “Njerëzit qajnë, sepse djalli qesh”. Nuk di nëse e kishte lexuar diku apo ja sajoi mendja prej fëmije. Nuk ishte i interesuar të më jepte shpjegime.

Tmerri që ka parë kjo krijesë e vogël e madhështore është për shkakun e djajve që qeshin. Është për shkakun e dështimit të politikës që solli rrënimin total të sistemit të vlerave, e që mund të ilustrohet bukur me vargjet e një kënge: “S’ka ma besë e ndera shkoi, bora e balta u banë njësoj…”.

Janë vargje që ilustrojnë thelbin e mosbesimit të qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk dinë më kujt t’i besojnë, sepse janë mashtruar shumë herë. Jo rastësisht më mirë e presin liderin e opozitës se sa sekserët tanë partiakë, që të “kryejnë” shërbime te partitë maqedonase, duke të rrjepur paraprakisht.

Partitë në vend se të faktorizonin elementin shqiptar, e bënë më të vogël se sa është në të vërtetë. E trimëruan diktatorin e vogël, goditjet e të cilit do të vazhdonin edhe më, sikur mos të ndërhynte faktori ndërkombëtar. E përrallat me mbret, që do të na tregohen, se ishte ky apo ai që bëri namin, do t’i besojnë ata që duan mizën ta bëjnë luan…

***

Çdo ngjarje tronditëse vetëm se ka dëshmuar që nuk kemi politikë. Kemi analiza sipërfaqësore, sepse jemi të përjashtuar nga informacionet relevante. Ata që i kanë informacionet e kanë fuqinë. Ata që jetojnë në terr flasim si ua merr mendja edhe për ngjarje që nuk ndodhin as rastësisht, as aksidentalisht. E kjo ndodh sepse kemi politikanë me afat të skaduar, që vazhdojnë ta helmojnë skenën politike dhe jetën tonë prej qytetari të thjeshtë. Ata që duhej të nxirreshin jashtë përdorimit, janë bërë të shumëpërdorimshëm. Thjesht, kemi politikanë që na e torturojnë inteligjencën. Më të paaftë e më servil se kurdoherë, që u lartësuan në kulmet e pushtetit jo për fajin e popullit të ngratë, por për shkakun e heshtjes, frikës dhe qyqarllëkut të njerëzve që hiqen si të ditur, por heshtin për shkak të kockave të interesit.

***

Historitë e trishta mund të përsëriten, nëse nuk dekompozohet sistemi i egër.

Disa djaj po ikin, por kryedjalli ende qesh. Ata që i lëvizin levat e këtij sistemi mund të ikin e vijnë, por nëse nuk nxirret jashtë përdorimit ky sistem i egër, ai do të vazhdojë që të ushqehet me fatet tona dhe të fëmijëve sy trishtuar e me një lule mbi flokët si prej ari.

Ky sistem nuk mund të demontohet me këtë politikë.  Ambasadorët e gjashtëshes ndërkombëtare dhanë porosinë për “pozicion të fortë për të mirën e qytetarëve”. Nëse e lexojmë drejt do të thotë se BDI nuk ka pasur kurrfarë pozicioni. Po të dështuarit e djeshëm nuk mund të bëhen engjëjt e sotëm. Pa e demontuar sistemin e vjetruar brenda llojit, nuk mund të demontojnë sistemet tjera të ngjashme. Mund të funksionojnë vetëm duke qenë pjesë sistemesh që bota kaherë i ka nxjerrë jashtë përdorimit. Sisteme që shkaktojnë dhembje e lot.

Portalb.mk

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here