Ditari i Ajnishahe Halimit për tri ditët e sulmit në Prekaz më 1998 (3)

0

E shtunë, 7 mars 1988

Edhe kjo ditë gëdhiu e pothuajse u err si dy ditët e mëparme: Me detonime, krisama armësh automatike… deri pasditje, kur ato u ndërprenë. Pushoi gjithçka. Ky ishte një ogur i keq. Qendresa ishte mposhtur. Me që rrethimi po vazhdon ne nuk jemi në gjendje të dimë asgjë për epilogun e kësaj lufte triditëshe. Në bisedat e kursyera mes nesh ka vetëm hamendësime, parashikime dhe, sigurisht, frikë. Po presim…

***

Deri këtu është mabajtur ditar. Ngjarjet e mëvonshme, deri në varrimin përfundimtar të Jasharëve do të paraqiten shkurtimisht sipas kujtesës, e cila falë prezencës së vazhdueshme në të gjithërrjedhën, do të mbetën të freskëta gjithë jetën.

Të dielën, më 8 mars, rrethimi vazhdoi të mbetet i pahequr, por diçka tanimë ishte e qartë: Jasharët ishin mposhtur, sepse luftime nuk kishte më. Nga pasditja filluan të qarkullojnë disa informacione, përmes telefonash, se të gjitha kufomat i kanë sjellë para Stacionit të Policisë…

Të hënën, unë e Emini, me që ishim të angazhuar në jetën “plitike” e aktivitete të tjera shoqërore, u nisëm të dilnim në qytet. Në rrugë u takuam me dy fqinjtë tanë, jasharë, Shaqirin e Ilmiun. Këta kishin informacione se janë vrarë shumë nga lagjja Jashari, ndër të cilët edhe i vëllai i tyre, Sherifi. Rruga, e zbrazët siç ishte, dukej tmerrësisht e gjerë dhe e shkretë. Në krye të saj pamë disa policë. Ne po ecnim drejt tyre. Kur u afruam nja pesëdhjetë hapa nga ta, njëri prej tyre ngriti armën dhe na e drejtoi. Ne u ndalëm dhe po pritnim cili prej nesh po rrëxohet, apo po biem të katër nga një rafal. Kjo nuk zgjati më shumë se disa sekonda, që na u dukën pafundësisht të gjatë. Polici uli armën dhe ne vazhduam drejt tyre. Na ndalën, na kontrolluan dhe na pyetën se ku po shkonim. U thamë se na kanë ftuar t’i identifikojmë kufomat…U mblodhën ‘subjektet politike e jopolitike’ siç i quanim organizimet në atë kohë. U formua një këshill varrimi, i cili i mori kufomat në dorëzim. Ato u vendosën në një depo të materialit ndërtimor. Ishin pesëdhjetedy kufoma. Ndër to vetëm nga familja e ngushtë e Shaban Jasharit, njëzet, me në krye Shaban, Hamzë e Adem Jasharin. Atë natë kufomat u rauajtën nga disa vullnetarë.

Të nesërmën, më 9 mars, që nga mëngjesi, mijëra njerëz parakaluan para kufomave, duke përjetuar dhimbje e tmerr të paprovuar në atë përmasë deri atë ditë. Kishte edhe shumë reporterë e veprimtarë për të drejtat e njeriut. Pamjet tronditëse u shfaqën para botës…

Midis kufomash kishte shumë fëmijë e gra. Disa të karbonizuara plotësisht a pjesërisht, të tjera të gjymtuara nga predhat e kalibrave të ndryshëm. Kufoma e Ademit kishte vetëm dy vrima plumbi, njërin në brinjë e tjetrën afër fytit. Gjoksi i Hamzës kishte një zgavër të madhe, të shkaktuar sigurisht prej një predhe të madhe… Disa fëmijë, dukej sikur flinin. Po, ata po flinin – përjetësiht.
Tërë dita kaloi duke u përpjekur që të bëhej identifikimi i tyre, me që disa nga dëmtimet, disa të tjera për shkak se nuk ishin të afërmit e tyre aty, nuk mund të njiheshin.

Të nesërmen, më 10 mars, vazhdoi e njëjta procedurë, derisa na u dha ultimatum nga policia serbe që ose të varroseshin, ose do t’i varrosnin ata vetë. Kur mbërrini ky ultimatum, pranë kufomave kishte mbetur një numër fare i vogël njerëzish, gjithsej 10-12 veta. Ndër ta unë, e vetmja femër. Pa na pritur që të vepronim, policë të shumtë, të armatosur e të shoqëruar me autoblinda, na rrethuan. Me vete kishn marrë edhe disa civilë serbë, me gjasë të burgosur dhe dy kamiona. Unë, prof. Zekeria Cana dhe Mulla Hajdini, plak (i vrarë më vonë) nuk po punonim, ndërsa të tjerët i përgatisnin kufomat, i vendosnin në arkivole, brenda të cilave, bashkë me kufomen e futnin edhe një letër me emrin e të vrarit, nëse ky ishte i identifikuar. Kamionat i dërgonin në varreza. Filloi të erret. Me kamionin e fundit, i morën edhe disa nga veta nga ne, ndoshta për siguri të vetën…
Kur u kthyen, këta që kishin shkuar me kamionat, treguan se kufomat nuk janë varrosur si duhet, madje radha e dytë dhe e tretë e varreve (varret ishin në tri radhë) kanë mbetur të pambuluara fare. Atë natë fjetëm në banesën e një miku në Skenderaj. Me ne ishin, prof. Cana, Fetah Bekolli nga Suhareka, i cili kishte kryer ndaj kufomave shërbimet e hoxhës (kryesisht prerjen e pelhures për ‘çefin’) dhe Cen Desku. Këta kishin mbetur te kufomat bashkë me ne të Skenderajt në atë grupin e fundit.

Më 11 mars u tubuam që të vendosnim çfarë të bënim. Prof Cana nuk na u nda për asnjë çast. Vendosëm të shkonim në polici e t’u tregonim se ne do ta kryejmë varrimin si duhet. Një delegacion 4-5 vetash shkuam dhe ua treguam qëllimin. Ata na lejuan, me një kusht: Që vetëm të rregullohen varret dhe të mos u nërrohen vendet të varrosurve. Ne pranuam. Një numër i kufizuar, rreth 50-60 njerëz, duke kaluar mes për mes forcash të shumta serbe shkuam te varreza.

Emini gjeti, pranë një gardhi, një copë kartoni të formatuit afërsisht A3 dhe bëri skicën e varrezës ku shënonte kush ku po varroset. E ceka këtë detaj për faktin se, vite pas lufte, ky karton është zhdukur në mënyrë misterioze…

Bacën Shaban e vumë në krye të varrezës, pastaj Hamzën dhe Ademin. Të tjerët u lanë ashtu si kishin qenë, por të gjithë u varrosën sipas traditës muslimane dhe varret u rregulluan si duhet. Ndëkohë e sollën kufomën e Nënës Salë, të cilën e kishin gjetur atë ditë.

Pak më tutje, thanë se e kishin gjetur edhe një polic të vrarë…

Me një minutë heshtje dhe një fjalë rasti, thënë nga prof. Cana, u ndamë duke lënë prapa pesëdhje e tri varre. Ndërkohë që nga familja e gjerë Jashari mungonin edhe disa veta, të cilët nuk janëgjetur ende as sot…

FUND

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here