Ditari i Ajnishahe Halimit për tri ditët e sulmit në Prekaz më 1998 (2)

0

E premte, 6 mars 1998

Ngrihem e para. Dal në oborr dhe ngjitem deri në shtëpin tonë. Jam shumë e frikësuar, sepse mbretëron një qetësi varri. Asgjë nuk pipëtin. Nuk dëgjohet asnjë zë, asnjë krismë, nuk shihet asnjë njeri. Them me vete: A thua u mposht rezistenca e Jasharëve apo jo? Për këtë jam e shqetësuar. Por, papritmas, në orën 6:10 filloi gjëmimi i topave. Kjo, sa më trembi, aq më dha një fije shprese, sepse më bëri të kuptoj se qëndresa nuk është thyer dhe Kështjella heroike e Adem Jasharit nuk është marrë ende. Zbres te fqinjët, të cilët tanimë ishin zgjuar të gjithë. Në fakt zgjuar kishim ndenjur gjithë natën. Flasim shumë pak mes vete. Të gjithë e mendojmë të njëjtën gjë, por nuk e shpreh asnjëri…Vërej se sot të gjithë jemi të zbehtë. Sytë më shkuan tek Endriti i vogël, i cili po na shikonte të gjithëve me radhë. Sigurisht, nga reagimet tona donte ta krijonte idenë për seriozitetin e situatës…

Derisa gjemimet e topave nuk kanë të ndalë, mendja më rri tek ata fëmijë, gra e burra drejt të cilëve janë drejtuar ato gryka topash e armësh të tjera. I njoh të gjithë, prandaj e përjetoj ndryshe nga ata që nuk i njohin. Më ka rënë të shkoj shpesh në atë familje. Kam qenë edhe pas dy sulmeve të mëhershme, më 30.12.’91 dhe më 22. 1. ’98, të cilave, megjithatë u kishin mbijetuar. Por, ky sulm ndryshon nga ato të mëparmet, prandaj është e qartë se pasojat do të jenë katastrofike. Gjithë ata fëmijë, të bukur e të hareshëm, a do të mund t’i shpëtojnë këtij sulmi barbar?! Kur ne, që tash për tash nuk jemi objekt sulmi të drejtpërdrejtë, jemi kaq të frikësuar e të trishtuar, po ata, drejt të cilëve po hidhen gjithë këto xhyle topash e plumbash, si ndihen, çka bëjnë ?! Sa prej tyre janë gjallë në këto momnete. Se ka të gjallë jemi të sigurt, për faktin se atje po luftohet.

As sot telefoni s’ka të ndalë. Kërkojnë informacione. Ne s’mund t’u themi asgjë më shumë se sa po shohim e po dëgjojmë. Ato janë pak, sepse po shohim vetëm që jemi të rrethuar dhe po dëgjojmë krismën e armëve, të cilat dominohen nga topat. Në ndërkohë Emini më tha se pak më parë paska folur në telefon me Lulin (të birin e Adem Jasharit) dhe se ai qenka interesuar të dijë a mos kanë arritur të hyjnë brenda në shtëpi (serbët) dhe se ky i paska thënë se është i sigurt se nuk kanë hyrë, për shkak se atje po luftohet ende…

Kështu po kalon edhe kjo ditë shumë e ftohtë; ne të rrethuar në të gjitha anët, të terrorizuar nga krismat e shpërthimet dhe nga e panjohura që po na pret. Konfiguracioni i terrenit ku ndodhemi, një lugshtajë, nuk na lejon të shohim asgjë më shumë se disa tanke të vendosura përballë Jasharëve, të cilat po ‘punojnë’ me krejt kapacitetin…

Tezja ime, Xhyla, e cila jeton në Klinë të Poshtme, buzë asfaltit, në këto momente (ora 15) na njofton se sa mjete të motorizuara lufte, si tanke, autoblinda, kamionë, po vijnë nga Mitrovica drejt Skenderajt. Dmth po sjellin përforcime ende! E pyes nëse po shkon ndonjë, apo vetëm po vijnë. Përgjigjja është negative ! Edhe nga Mitrovica na ‘qetësojnë’ me të njëjtat informata dhe na tregojnë se një pjesë e popullatës nga Drenica ka arritur në Mitrovicë për t’u strehuar dhe të tjerë po vazhdojnë të vijnë. Unë, e habitur, i pyes se si paskan mundësi të dalin nga rrethimi? Nëpër male, më thonë. O Zot, kemi mbetur të ngujuar në këtë vorbë, pa ditur ç’po ndodh !
Jasharët po rezistojnë ende.Nga një kënd nën kulm të shtëpisë mund të shihet sesi nga Fabrika e Municionit ku janë të pozicionuara, po dalin shumë forca dhe po provojnë të ngjitën në atë arën në shpat, ku janë të pozicionuara tanket, por po kthehen me vrap, të shoqëruara nga autoblindat e tanket. Nuk po mund të ngjitën…
Në gjithë atë bisedë, ndonëse të paktë, që e bëjmë, asnjëherë nuk zëmë në gojë fatin tonë, por vetëm të Jasharëve, duke dëshiruar kështu, ndoshta, ta përjashtojmë vetën nga fati i tyre. Para mbrëmjes u duk një tym i madh, i cil po vinte nga lagjja Jashari. Kada tha: I kanë vra të gjithë dhe tash po i djegin bashkë me shtëpitë! Endriti, i cili po rrinte strukur, lëvizi nga vendi duke iu afruar të ëmës dhe buza iu drodh në vaj. Jo more, tha dikush, po e djegin ndonjë lëmë… Prashikimit të Kadës nuk i besoja për faktin se këmbimi i zjarrit nuk kishte pushuar ende. Të gjithë u ngjitëm në katin e sipërm për të parë se ku po del gjithë ai tym. E shohim se tymi po del nga shtëpitë e Hamit e Sadik Jasharit, të cilat ishin në fillim të lagjes, diku nja treqind metra larg shtëpive të Shaban Jasharit. Ora ka kaluar 16. Edhe pak e erret. Papritmas, nga dritarja pamë një kokë njeriu, e cila përftoi me shpejtësi. Ishte Zenë Jashari. Nuk patëm mundësi ta ndalim e ta pyesim gjë. Ky fakt na dha pak zemër dhe shpresë se, megjithatë, paska njerëz të gjallë atje. Por u ngrit edhe dyshimi se ai ndoshta nuk ka qenë në shtëpi. Ndryshe si ka pasur mundësi të dalë i gjallë?… Cigaret kanë filluar të na mbarojnë… Në drekë, veç sa jemi ulur dhe jemi ngritur, pa ngrënë gjë. Televizioni i Beogradit, asnjë lajm për sulmin. Ra zilja ! Të gjithë dolëm në korridor. Shaqir Jashari, fqinji i parë yni, nga ana tjetër e shtëpisë, i cili bashkë me të vëllanë, Ilmiun, kishin dalë nga lagja para sa vitesh dhe kishin ndërtuar shtëpitë këtu, në arat e veta. I zverdhur dyll, i lodhur… I themi të hyjë. Jo, tha, duhet të ikim të gjithë nga këtu, se atje i kanë vrarë të gjithë dhe, me që edhe ne jemi jasharë, ata patjetër do të vijnë edhe këtu, për ne…Ishte afërmendsh se kështu mund të ndodhë. Me ta na ndante vetëm rruga. Hymë brenda dhe filluam të debatojmë se si t’ia bëjmë. Të dalim, po ku të shkojmë? Mund të lëvizim jo më larg se njëqind metra, madje vetëm nëpër terr, se mëtej hasim në rrethimin policor.
Të rrimë, si të rrimë kur mendimi i Shaqës së mund të sulmohen për shkak se janë jasharë, po bëhej edhe mendim yni…Në ndërkohë Emini flet në telefon më dikë. E pyes kush është. Më thotë se thërret Ademi (Meta) dhe na propozon që ne të mos rrimë këtu ku jemi, se sidoqoftë jemi në sy. Po të aplikojnë ‘metodën e krehërit’, do të thotë të hyjnë e të zgjedhin dikë-dikë, ai ‘krehër’ do të na kapë edhe ne patjetër. Shqetësimi rritet… Të zotët e shtëpisë, Shabani e Kada janë të vendosur të mos dalin “për shkak të djemve të cilët janë në Gjermani e thërrasin. Do të bëhen merak nëse nuk përgjigjet askush në telefon”- thonë. Endriti qan. Të ikim prej këtu – thotë, duke menduar se mund të ikim nga rreziku. Ramadani mendon se edhe ai me gruan, Shemën, dhe të dy fëmijët duhet të qëndrojnë këtu. Shema filloi të qajë. Emini iu drejtua: Shemë, deri tash ishe e fortë, e tash ? “Ah bre, tha, fëmija…”

Eshtë errur. Krismat kanë pushuar. Unë e Emini, përshëndetemi, duke ua kërkuar ‘hallallin’ dhe dalim. U ngjitëm deri në shtëpi për të marrë pak tesha më të trasha. Hymë në shtëpi pa ndezur dritë as, madje, një fije shkrepëse. U nisëm për te Hakiu, një fqinj yni, i cili kishte shtëpinë nja njëqind metra prej këtu dhe ishte fare pranë rrugës ku ishte vendosur rrethimi (!).

Erdhëm te Hakiu. Na presin jashtëzakonisht mirë. Aty është edhe një familje tjetër, familja e Idrizit, e cila përbëhet prej pesë anëtarësh: Idrizi, Fatmirja dhe fëmijët: Adelina, Abelardi dhe Hyka, gjashtëvjeçe. Jemi bërë gjithsej gjashtëmbëdhjetë anëtarë. Sa hymë, pashë një situatë të ndryshme nga atje ku ishim: Këtu kishin arritur që fëmijët t’i lënë disi jashtë kësaj atmosfere paniku. Ata nuk po bisedojnë me ne për çfarë po ndodh rreth nesh. Ata po luajnë me lodra të ndryshme. Kjo është meritë e të rriturve dhe me qetëson shumë, sepse këtu ka tanimë shumë fëmijë. Vetëm të Hakiut ishin gjashtë. Fëmija më problematik është Hyka! Ajo, herë pas herë bërtet: “Unë jam UÇK !” E ëma, Fatmirja, ia mbyll gojën duke e mallkuar: ”T’u thaftë ajo guhë ! Po a e di që policinë e kemi te dera ?!” Përpiqemi të marrim vesh diçka nga radio e televizioni. Në lajmet e orës 19:30, televiozioni i Beogradit, në lajmin e parë thotë se “janë vrarë terrorsitët Adem e Hamzë Jashari dhe të tjerët”… Të gjithë heshtëm. Nuk dëshironim të besonim se një gjë e tillë ka ndodhur. Telefonues nga jashtë, thirrjet e të cilëve jepeshin ne Televizionin Shqiptar, thonë se kjo nuk është e vërtetë dhe është vetëm propagandë serbe…Sado që nuk dëshironim të besonim, shfaqja në ekran e Ademit të vrarë e bëri të qartë gjithçka. Emini, i cili Adem Jasharin e kishte takuar para katër-pesë ditësh, në rastin e masakrës në Likoshan e Qirezit, tha me një siguri gati të plotë se ky është pikërisht Ademi !

“Terroristë” !! Të vrasin në shtëpinë tënde, prej së cilës s’ke ku të shkosh dhe të fyejnë duke të quajtur edhe terrorist! Është më se e qartë kush është terrorist këtu, por kështu ndodh kur nga forca mundet drejtësia. Pale sa të merret vesh se sa janë vrarë e kush është vrarë. Me siguri do të ketë të vrarë edhe gra e fëmijë. Po këtyre çka do t’u thonë?!

Fatmirja po frikohet shumë. Në një moment ajo tha: “Nëse shpëtojmë edhe kësaj herë, kurrë më nuk do të jetoj në Skenderaj”.

VIJON

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here