Ditari i Ajnishahe Halimit për tri ditët e sulmit në Prekaz më 1998

0

E enjte, 5 mars 1998

Sot u zgjova edhe më herët se herave të tjera, sepse kisha një parandjenjë se diçka do të ndodhë. Ka kohë që po vjen era barut…Prej 26 nëntorit, kur ndodhi përleshja e parë e drejtpërdrejtë ndërmjet forcave tona të UÇK-së dhe policisë serbe, në Llaushë, gati përnatë kemi fjetur veshur me rroba të ditës. Në orën gjashtë dola në ballkon. Kisha për ta pjekur bukën dhe planifikoja që pak më vonë të dal në zyre. Sa isha në ballkon, u hap edhe dera e fqinjit tonë, Shabanit, me të cilin jemi në një oborr. Doli Ramadani, i biri, dhe drejtoi shikimin drejt Llaushës. M’u drejtua : Çka ka të re? I rrudha krahët. Pse, ti di diçka ? – e pyeta. Po, tha. Djali i Miftarit (një fqinj pak më i largët) më thirri në telefon dhe më tha se jemi të rrethuar nga policia dhe ushtria e Serbisë dhe janë dëgjuar disa krisma pak më heret. Hyra dhe e thirra Eminin, i cili po flinte ende. Papritmas u dëgjuan krisma. Dolëm. Çka me pa ! Kodrina që ndan Skenderajn me Llaushën u mbush plot policë, të cilët po ngjiteshin në majen më të lartë të saj. Prapë krisma. Më vonë morëm vesh se ishte vrarë Miftar Rreci, i cili nga ana e kundërt e kodrinës kishte provuar të dalë, edhe ai, në maje të saj për të parë çfarë po ndodhte këndej nga Prekazi. Të gjithë fqinjët dolën nëpër oborre, dritare e ballkone për të parë çka po ndodhte. U zgjata pak për të parë rrugën kryesore. Pashë se në rrugë u ndalën shtatë autobusë nga të cilët po zbrisnin me nxitim policë serbë dhe po zinin pozicionet. O Zot ! Asnjë nuk do të shpëtojmë, mendova. Fillova të dridhem. Ethe… Bashkë me Eminin zbritëm të fqinjët. Shtëpia ku banonim ishte me shkallë në rrugë. As gardh, as portë të oborrit nuk kishte. Rreziku i bashkon njerëzit. Kështu kishin vepruar shumica e familjeve në lagje. Ishin grumbulluar nga disa familje në një shtëpi… Pamë tek po ngjiteshin arave karshi shtëpive të Shaban Jasharit disa tanke, të cilat i drejtuan grykat e topave drejt tyre. Prej këtu ku jemi, ky pozicion nuk është më larg se 500 metra, në vijë të drejtë. Tashmë u bë e qartë gjithçka. Shema, nusja e kësaj shtëpie, e cila Shaban Jasharin e ka dajë të babës, tha: O, shtëpinë e Adem Jasharit kanë për ta sulmuar dhe kësaj radhe asnjë nuk do të shpëtojë! I biri, Endriti i vogël, gjashtë vjeç, fillojë të qajë dhe të ankohet: “Po na këtu…Jemi ngat…”.

Në orë 6:45 filloi sulmi – drejt me top! O Zot, nuk ka të ndalë artileria e rëndë !

Të gjithë u mbyllëm brenda. Në një dhomë jemi tetë veta, gjashtë të rritur dhe dy fëmijë, Fidani e Endriti.

Gjëmim topash, krisma automatike, cingërrima telefoni dhe heshtja jonë karakterizonte këto orë të para të një tragjedie që kishte filluar të shfaqej. Meqë Jasharët i kishim afër, njerëzit telefononin për të marrë vesh se çka po ndodh. Ku të dinim ne që s’guxonim të dilnim as në derë?!

Bashkë me Kadën, të zonjën e shtëpisë, u ngjitëm në katin e sipërm. E ndezim nga një cigare. Topat vjellin zjarr. Përpiqem t’i numëroj granatat që hedhin: një, dy, tre… tetëdhjetë, derisa e kisha pirë vetëm një cigare ! Zbresim poshtë dhe i shohim të gjithë të heshtur. Frika e shqetësimi kishin ndikuar në intensifikimin e proceseve fiziologjike…Telefoni nuk pushon. Ndezim radion dhe përpiqemi të zëmë ndonjë radiostacion, për të marrë vesh diçka. Asnjë lajm më detaj përveç se po sulmohen Jasharët dhe e gjithë Drenica është e rrethuar. Këtë po e dinim edhe vetë…

Të tre burrat, Emini, Ramadani e Shabani rrinë ulur në divan. I kuptoj. Janë burra. Mendojnë… Shumë herë dal deri jashtë, por nuk shoh njeri nëpër oborre. Askund. Të gjithë janë mbyllur nëpër shtëpi. Edhepse bën ftoftë, oxhaqet nuk tymojnë. Drutë janë n’oborr, njerëzit brenda. Po dole mund të të marrë ndonjë plumb. Është një rrethim i plotë! Tërë ditën as hëngrëm as pimë, përvç cigare. Edhe këto po na mbarojnë. E veçanta e këtij grumbulli njerëzish të pashpresë, më e padisiplinuara, jam unë. Asnjë minutë nuk mund të qëndroj në një vend! Ngjitem lartë, zbres poshtë, dal deri në derë… Në momente situata acarohet edhe midis nesh. Mendime, gjykime, parashikime, paragjykime të ndryshme…Në një moment, Shabani, njeriu më i moshuar këtu, tha: Sa të kryejnë atje, vijnë te ne… Endriti hapi sytë. Gjysh, fol mirë ! – i tha.

Ora 15. E lëshojmë Radio Tiranën. Emision i drejtpërdrejtë për Kosovën. Provojnë të lidhen më dikë nga vendi i ngjarjes. E japin numrin e telefonit, ku mund të thirret. Befasi!: Nga Skenderaj,madje nga qendra e qytetit, lajmërohet Adem Meta, gazetar i Kohës Ditore. Rrëfen se çfarë po dëgjon. Në këto momente dëgjoheshin detonime të fuqishme. Këto informacione ishin për ata që ishin jashtë Skenderajt. Për ne nuk kishin ndonjë vlerë. Po i dëgjonim që të gjitha.

Po errësohet. Oshëtima e topave nuk ndërpritet. I them Endritit të vogël të shkojë e të luajë në kompjuter, por ai nuk lëviz nga vendi, ku rri strukur. Po e ndien rrezikun sa edhe ne. Mendoj: Çfarë zien në kokën e këtij fëmije ?

Kur ra terri, askush nga fqinjët nuk e ndezi dritën. As ne. Dikur e ndezëm një llambë të vogël në një qoshe dhe e mbuluam me një letër të trashë. Tashmë detonimet kanë pushuar, por nuk dimë gjë nëse forcat serbe janë larguar apo jo.

Ora 18. Nuk guxojmë ta ndezim televizorin, se shihet drita. Dikush troket në derë. Të gjithë brofim në këmë, si me sustë, duke menduar të njëjtën gjë, por asnjëri nuk e shprehu. E hapëm derën. Qe Halili, një komshi yni. Burrë në moshë, i tmerruar! U ul. “Asnjë nuk do të shpëtojmë” – tha. E shikoj me habi, por nuk i them gjë. Mundohem ta kuptoj. Burra janë, them me vete, u kushton zemra të ndihmojnë, por janë krejt duarthatë… Telefoni vazhdon të cingërrojë. Kërkojnë informacione, por nuk dimë çfarë t’u themi. I përsërisim për të kushedi satën herë të njëjtat fjalë. Në orën 22 dalim në korridor, jo për ta pëcjellë fqinjin, se ai kish shkuar, por për të parë se çfarë po ndodh. Në vendin ku ishin pozicionur tanket që herët në mëngjes, po dukeshin do drita… Shtrihemi kush si mundet, por asnjë pikë gjumi !

VIJON

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here