Dita e Poezisë, Shkodra organizon Festivalin e Poezisë së Pabotuar 3

0

21 Marsi i vitit 1999, shënoi Ditën Botërore të Poezisë, shpallur nga UNESCO. Më parë ‘Dita Botërore e Poezisë’, ishte 15 tetori që kremtohej në të gjithë botën me aktivitete të larmishme letrare, pasi ai përkonte me ditëlindjen e poetit epik romak, Virgjil, por vendimi për datën 21 Mars u mor në kongresin e 30-të të zhvilluar në Paris nga UNESCO. Poezia u nderua me një ditë të veçantë edhe pse është pranë nesh në çdo formë. Në antikitet poemat kishin ndikim, duke mbledhur njerëz në ambiente të hapura që t’i recitonin vargjet dhe madje mësoheshin përmendësh dhe përcilleshin nga brezi në brez. UNESCO donte t’i qëndronte kësaj lidhjeje të bukur mes forcës së fjalës artistike dhe përçimit te lexuesi të emocionit që poezia mbart. Njerëzit që e duan poezinë, që e kanë pjesë të tyren e nderojnë sipas konceptit të UNESCO-s duke organizuar aktivitete kulturore. Ndoc Gjetja në një nga poezitë e tij kushtuar poetit thotë: Ai erdhi që të kryejë porosinë e madhe të shpirtit me alkiminë e fjalës të shkrijë gurët e Sizifit, ai është heshtja e rëndë që do të mbytet me fjalë, ai është lufta e dritës me të kundërtën e saj. Caktimi i një dite ndërkombëtare për poezinë bëhet edhe me qëllimin për t’i kthyer kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë, traditën gojore. ‘Zoti ka thesare nën fronin e tij dhe çelësat e këtyre thesareve ndodhen në gjuhën e poetëve’ – ka thënë profeti Muhamedi A.S. Në oborrin e bukur të muzeut të Shkodrës u organizua sot Festivali i Poezisë së Pabotuar 3. Poezi të ruajtura në sirtar, në letra apo dhe në rrjete sociale, u lexuan në sfondin e tingujve të pianos mbi bar, si fllad pranverorë në lulet e njoma. Pjesëmarrës që interpretuan në këtë eveniment ishin aktorë të njohur të skenës dhe ekranit, si: Merita Smaja, Agron Dizdari, Rita Gjeka etj. U shpalosen poezitë e poetëve të rinj, por jo vetëm. Poetë që po njohin dritën e suksesit, si: Alban Bala, Pjavër Kroni, Alban Kali, Elona Çuliqi, Astrit Dervishi, Eri Omari, Mirsad Basha etj., por edhe atyre që prej vitesh rrugëtojnë me poezinë. Ky aktivitet organizohet nga “EKO Mendje” në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Teatrin MIGJENI. Ky aktivitet përkoi në Ditën Botërore të poezisë dhe gjithnjë sipas konceptit të UNESCO-s organizimi dëshmonte mbështetjen e poetëve të rinj, t’i promovojë ato dhe të krijojë një imazh tërheqës për poetin.

Freskida Miloti

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here