Disa skuadra nga Evropa të interesuara për Arbnor Fejzullahun

0

Arbnor Fejzullahu prej kohësh ka qenë në “orbitën” e shumë skuadrave me emër në Evropë, por mbrojtësi i Partizanit ende nuk ka vendosur në lidhje me të ardhmen e tij, pavarësisht se Anderleht, Rijeka e disa skuadra të tjera janë interesuar për të.

Megjithatë, së fundmi ka dalë në skenë emri i një skuadre të Serisë A. Bëhet fjalë për Karpin, që sezonin e ardhshëm do të debutojë për herë të parë në Serinë A. Në listën e klubeve të interesuara nuk mungojnë as ato nga Bundenslinga dhe Super liga turke.

Siç shkruhet në faqen e gazetarit italian të “Sky”-t, që njëkohësisht është edhe agjent lojtarësh, Gianluca Di Marzio, i cili ndoqi nga afër derbin e dhjetorit të 2014-ës, emri i mbrojtësit nga Lugina e Preshevës është në listën e drejtuesve të skuadrës italiane, transmeton Titulli.com.

Di Marzio e ka vlerësuar pas asaj ndeshje mbrojtësin e Partizanit. Ai ka deklaruar se ky lojtar meriton të luajë në Serinë A.

22 vjeçari, që debutoi me Kombëtaren në miqësoren e qershorit me Francën, ka qenë një titullar për Partizanin gjatë sezonit të kaluar.

“Fejzullahu është një djalë dhe lojtar shumë i mirë e i talentuar. Kemi shumë kërkesa për atë, por me bindje ju them se ardhmja e tij do të jetë në një klub dinjitoz evropian. Nuk është momenti të japim emra tani. Në këtë rast do të shikohet interesi i Partizanit, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe teknik. Gjithsesi, edhe po iku, jemi të gatshëm për të plotësuar largimin e tij në mbrojtje, si dhe të Rrahmanit e Cuculit që kanë ikur më parë”, ka përfunduar presidenti i klubit Partizan, Gaz Demi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here