Disa fakultete të UP-së “Hasan Prishtina” i zgjodhën dekanët

0

Dekani i deritanishëm i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Bujar Dugolli, është votuar sot edhe për një mandat në krye të këtij fakulteti.

Në garën për dekan, Dugolli ka marrë votat e 23 anëtarëve të Këshillit Drejtues të fakultetit krahas 10 votave sa mori kundërkandidatja e tij, Hasnije Ilazi. Dugolli është profesor i historisë në këtë fakultet.

Profesori But Dedaj, ndërkaq është votuar në postin e dekanit të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme që kanë filluar në këtë institucion të arsimit të lartë.

Dedaj është votuar nga 23 anëtarë të Këshillit të Fakultetit kundrejt 17 votave sa ka marrë rivali i tij Rrustem Asllanaj.

Deri më tani, dekan i këtij fakulteti ka qenë Skënder Ahmeti.

Pas marrjes së këtij posti, Dedaj shpalosi programin e tij zgjedhor.

Profesori Enver Hamiti është zgjedhur edhe për një mandat tjetër  në postin e dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike pa kundërkandidat.

Në procesin e votimit të monitoruar nga KALLXO.com, Hamiti u zgjodh me shumicë votash nga anëtarët e stafit akademik dhe administrativ.

“Ka ekzistuar një traditë e një rendi të qëndrueshëm akademik dhe krejt çka kemi bërë është që ta vazhdojmë atë traditë dhe në mënyrë akademike t’i udhëheqim krejt proceset, përfshirë edhe këtë zgjedhor. Besoj se është ruajtur tradita dhe ka shkuar si më së miri”, tha Hamiti për KALLXO.com pas rizgjedhjes.

Sipas tij, mandati i dytë ka ardhur jo me një vullnet të plotë nga ana e tij.

Por tani që është zgjedhur ta drejtojë fakultetin ai u shpreh i gatshëm të vazhdojë.

Zgjedhjet për dekanë nëpër njësitë akademike të UP-së kanë filluar sot, ndërsa pritet të zgjasin deri të mërkurën.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here