DIALOGU, VETËVENDOSJE DHE KARRIGA E PALESTINËS NË OKB  

0

URAN KRASNIQI

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një projekt që po vazhdon. Qeveritarët e Kosovës dhe të Serbisë tashmë janë shndërruar vizitues të rregullt të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian. Aty diskutojnë tema, firmosin marrëveshje dhe në fund fotografohen. Kur të dalin nga Zyra shpallin fitore të opsioneve të zgjidhjeve që ata i kanë ofruar për problemin e shtruar para njerëzve që nuk e kanë përcjellur “ndeshjen”, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

Në Kosovë shumica e subjekteve politike të Kosovës kanë qenë pro dialogut me Serbinë me përjashtim të lëvizjes Vetëvendosje, e cila drejtohet nga Albin Kurti. Ky subjekt pretendon që negociatat me Serbinë janë në disfavor të Kosovës dhe në favor të Serbisë – e ndihmon Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së dhe e defunksionalizon  sistemin juridik të Kosovës –  dhe si të tilla ato nuk duhet lejuar që të ndodhin. Kurti bashkë me kolegët e tij në Kuvend dhe në rrugë kanë shprehur kundërshtimin e tyre për dialogun. Kanë thyer dhëmbë që ai të mos ndodhë, kanë duruar dajak…

Por sa ka qenë i  frytshëm për Kosovën kundërshtia e dialogut me Serbinë, në formën se si ky subjekt e ka bërë? Aspak. Dialogu pavarësisht Vetëvendosjes ka vazhduar rëndom dhe janë arritur disa Marrëveshje. Çka ka mundur të bëjë Vetëvendosje që t’i ndalë ato? Asgjë më shumë se sa t’i shpallë të dëmshme ato dhe të japë argumentet e saja për të këqijat e tyre për vendin.

Duke qenë situata kësisoji, Vetëvendosje e ka dëshmuar se sikur të ishte ajo fuqia më e madhe politike në Kosovë dialogu me Serbinë si i tillë nuk do të ndodhte. Ose do të ndodhte, por atij do të duhej që t’i praprinin një varg kushtesh që ajo i ka prezantuar, që lidhen me luftën dhe me viktimat e saj. Pra nuk ka qytetar që nuk e di sot se subjekti që drejtohet nga Kurti është kundër bisedimeve me Serbinë.  Edhe një fëmijë në ndonjërën nga klasët e shkollës fillore e di këtë gjë, ngase ka mundur ta dëgjojë nga dikush më i madh. Për pasojat negative të dialogut me Serbinë kurdo që ato do të nisin të shprehen në sistemin politik dhe jurdik të vendit nuk është përgjegjëse Vetëvendosje, por subjektet e tjera që e kanë pranuar dialogun, që kanë marrë pjesë në të e të cilat janë PDK, LDK, AAK, AKR, PD etj etj. Pyetja që shtrohet është: a e ka shterrur Vetëvendosje të gjitha format e ushtrimit të presionit të saj për negociatat me Serbinë? Më duket që jo. Është një mënyrë që Vetëvendosje nuk e ka provuar që ta ndikojë procesin bisedimor. Vetëvendosje nuk ka mëtuar  asnjëherë që, ani pse është kundër dialogut, ta ketë një përfaqësues të saj në ekipin dialogues të Kosovës, qoftë edhe siç e ka Palestina një karrigë në OKB.

E vërteta është se për përcaktimin e reprezentimit të Kosovës në këtë ballafaqim me Serbinë nuk është fajtore lëvizja Vetëvendosje. Është e ditur qasja e subjekteve politike në raport me dialogun në kuptim të përfaqësimit të Kosovës. Të marrin pjesë në një dialog vetëm ata që janë për të ndodhur ai dhe jo të tjerët që janë kundër për të ndodhur ai, është një përjashtim. Sepse nuk janë bisedimet e Brukselit merakto e janarit kur dy klube futbollistike merren vesh për transferimin e një lojtari, por bëhet fjalë për diskutimin e çështjeve të brendshme të Kosovës, të cilat reflektojnë jetën e qytetarëve që janë pro dialogut dhe kundër tij. Njësoj.  Ndaj ky kolorit i disponimit qytetar nuk e karakterizon skuadrën përfaqësuese të Kosovës në dialog.  Parë prej këtij këndi subjektet politike që dialogojnë me Serbinë nuk janë fajtore vëtëm për dëmet e procesit dialogues, por edhe pse nuk kanë qenë të hapura për të pranuar brenda formacionit dikë që ka mendim ndryshe. Dhe këtu kihet të bëhet me një diktaturë të instaluar nga subjektet politike pro dialogut.  Këto subjekte është dashur të tolerojnë ngjyrën tjetër, të tejkalojnë animozitetet, për shkak se bëhet fjalë për interes që nuk i përket një a disa subjekteve, por të përgjithshëm.

Mirëpo ani pse është fakt i ditur që gjithandej që subjektet politike të tjera nuk e pranojnë Vetëvendosjen në gjirin e delegacionit,  prapë se prapë ky subjekt është dashur që ta provojë që të bëhet pjesë e dialogut përmes të pasurit të një anëtari në delegacion pavarësisht rolit të tij . Dhe kështu ta plotësojë edhe më një mënyrë mozaikun e manifestimit të saj në raport me dialogun me Serbinë.  Në një situatë kur propozimet e tua nuk merren në konsideratë, kur e tëra që mund të bësh ti është të shpallësh të dëmshme ujditë që arrihen, është dashur që të ofrohesh që të reflektosh për gjetje të kanaleve të reja në mos për të mos e ndalur për ta minimizuar dëmin që pretendon se ndodhë. Kjo të bëhet për Kosovën, natyrisht.  Duke qenë pjesë e delegacionit të Kosovës një anëtar i këtij subjekti, do të ishte më afër ngjarjes, do të mund t’ua ofronte anëtarëve të subjekteve të tjera opisonin e tij për ujditë që ofrohen, do të mund t’i thoshte dikujt nga afër: “a je ti normal?!” si dhe në këtë mënyrë do të ushtronte influencën mbi procesin. Kësisoji edhe delegacioni i Kosovës do të mund të ishte më cilësor dhe më i kujdesshëm në marrëveshjet që arrihen, e për të cilat Vetëvendosje do të ruante interpretimin e vet autentik. Së këndejmi mbase edhe dëmi në terren, për të cilin ata flasin, do të mund të ishte më i vogël.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here