Dhimbja për vdekjen e foshnjës nga acari

0

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Veton Berisha tha se në një vend që pretendon BE-në nuk duhet të vdesin foshnjat.

Berisha që është edhe përfaqësues i komunitetit egjiptian të Kosovës, foli për KALLXO.com, pas vdekjes së foshnjës tremuajshe që dyshohet të ketë ndodhur nga i ftohti.

“Vërtet nuk po ndihemi mirë që në një shtet pretendent për BE, pretendent për liberalizim vizash, na vdesin foshnjat nga i ftohti. Vërtet i kemi paraqitur shqetësimet tona drejt këtij shteti dhe këtyre institucioneve në rastin e komunitetit egjiptian në Kosovë për shkak se është lënë në harresë nga ky sistem,” tha Berisha.

Familja e foshnjës së vdekur jeton në Lagjen “Ali Ibra” të Gjakovës në kushte shumë të rënda ekonomike dhe të banimit.

Ali Manxhuki, babai i djalit tremuajsh që vdiq dje, tha se reagimet e familjes dhe shkrimet për to, pas kësaj ngjarjeje nuk ishin drejtuar as kundër kryetares së Gjakovës, por as ndonjë deputeti, apo personaliteti tjetër.

“Veç me kqyr çfarë banese kam, ku po jetoj, qysh më shkoj djali prej të ftohtit,” shpjegoi Manxhuki ato që dolën nëpër medie.

Deputeti Veton Berisha e vizitoi familjen që humbi këtë foshnjë. Berisha tha se nuk e ka ditur që ajo jeton në këto kushte dhe duke shfaqur dhimbje tha se secili prej nesh ka mundur të ndihmojë.

“Është rast që na ka prekur të gjithëve. Mjafton të shikohet shpija dhe rrethanat si ka jetuar e jeton familja. Për ne është i mjaftueshëm fakti që ka vdekur fëmija dhe nuk mund ta kthejmë. Bashkëpërgjegjësia na takon të gjithëve,” tha Berisha.

Ali Manxhukit i ka mbetur merak që nuk veproi më herët për ta shpëtuar djalin e tij. “Për dy orë më ka shku djali”, thotë ai.

Deputeti Berisha thotë se ende nuk mund të gjykojë si ka ndodhur dhe pse kjo vdekje.

“Nuk mund të lëshohem në këto rrethana. Ne do t’i presim edhe rezultatet që do të dalin nga hetuesia,” tha Berisha.

Për vdekjen e foshnjës reagoi edhe Komuna e Gjakovës.

Duke shprehur keqardhje për këtë rast, komuna në një reagim tha se familja Manxhuki nuk ka kërkuar ndihmë për strehim dhe veshmbathje.

Nga familja Manxhuki në Komunën e Gjakovës nuk është parashtruar asnjë kërkesë për strehim, por as për ndihma në lëndë djegëse dhe veshmbathje. Gjatë periudhës së erërave të fuqishme që goditën Komunën e Gjakovës me 11 dhe 12 Janar, familjes Manxhuki i është dëmtuar çatia e shtëpisë, ku gjatë natës nuk e kanë vërejtur dhe si pasojë fëmija është lagur nga reshjet. Që nga ajo datë, nga familja Manxhuki nuk ka paraqitur askush kërkesë për ndihmë në Komunën e Gjakovës,” thuhet në reagimin e Komunës së Gjakovës.

Por kryefamiljari Ali Manxhuki tha për KALLXO.com se ka qenë në komunë për të kërkuar ndihmë, ndërsa i kanë thënë ta bëjë një kërkesë.

Sipas tij kur e ka bërë kërkesën në recepcionin e komunës i kanë thënë të rrijë në priteje të një telefonate.

Komuna e Gjakovës në reagim thotë se do ta strehojë këtë familje.

“Komuna e Gjakovës i shpreh ngushëllime familjes Manxhuki për këtë humbje të madhe, si dhe nga dita e nesërme Komisioni për Strehim në lagjen “Ali Ibra”, do vizitojë këtë familje dhe do kujdeset për sistemimin në një vend më të sigurt për ta,” sqarohet në reagimin e komunës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here