Dështimi praktik i “aristokratëve të teorisë”

0

URAN KRASNIQI

Filozofët në qeverisje shumëkush i pandeh të rrezikshëm. E mendojnë veten më të diturit dhe janë injorues në raport me të tjerët, që nuk janë të klubit të tyre profesional. Lëre që nuk duan të këshillohen me të tjerët, por as të dëgjojnë se çka po thonë. Sepse sipas tyre ata janë shtresa më e lartë e dijes dhe lloji tjetër i njerëzve janë numra kot, që kokën e bartin veç për ta ruajtur trupin nga bora a shiu gjatë kohës pa diell.

Nuk kam mundur ta njoh për së afërmi, për shkaqe objektive e subjektive, por i tillë ka qenë në skenën politike të Kosovës lideri i LDK-së dhe presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai në raport me ndërkombëtarët ka qenë kooperativ, por karrshi shqiptarëve të Kosovës ka qenë injorues i madh. Pasojat e tij akoma i gjejmë tek të rinjtë e këtij subjekti, ku e lodhin njeriun duke u thirrë në të bëmat e tij të mëdha, që në fakt janë shumë më të vogla.

Profil të ngjashëm ka ndërtuar edhe lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai gjatë verës që shkoi mori vendim personal për të hyrë në koalicion me Bllokun trepalësh LDK-AAK-Nisma për Kosovën. Pavarësisht shkathtësive të tij teorike, meqenëse njerëzit në Kosovë akoma hanë bukë, kjo gjë shkaktoi shumë pakënaqësi brenda subjektit të tij, por edhe te votuesit e subjektit që ai e drejton. Po në të njëjtën kohë, shumë anëtarë të Vetëvendosjes reagonin ashpër nëse u thuhej: “është gabim”. Ata kishte raste kur të mendonin si një njeri të shkretë të kësaj bote që është i shkëputur tërësisht nga mundësia e mendimit,  si pjesë të pushtetit që mundohet ta ruajë gjendjen ekzistuese, si dhe edhe ashpërsoheshin duke shmangur komunikimin. Pa u bërë aq se janë duke ja huqur shumë.

I tillë duket të jetë edhe vendimi për të organizuar protesta nën ndikimin e deklaratave të ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq dhe kombinatit “Trepça”.

Ndonëse organizimi ka shumë të meta: ministri thotë se i janë keqinterpretuar fjalët dhe kërkon falje, Qeveria akoma është në fazën e testit njëqind ditor, protestën e bëjnë njerëzit që donin të bashkëqeverisnin me të njëjtin politikanë, shumë politikanë që marrin pjesë në protestë janë të sistemit ku janë bërë kriminelë e zhvatës – ka thënë lideri që protesta duhet të bëhet dhe normal që ajo duhet të mbahet. Të tjerëve që nuk u pëlqen, ose janë njerëz që mund të krenohen vetëm me fizikusin e tyre ose të shitur tek pushteti.

70 përqind e premisës ku tentohet të ndërtohet protesta  është “dërrasë e kalbur” dhe vetëm në një 30 përqindësh, që e kapë bishtin e saj, qëndron pakëz arsye: “Trepça”. Gjatë javës së kaluar ne pamë reagime të Qeverisë së Serbisë përballë një përpjekje të institucioneve të Kosovës për ta bërë një Ligj të veçantë. Ka një frikë të arsyeshme që pasuria e Kosovës do të bëhet objekt dialogu në Bruksel dhe një presion për të mos ndodhur diçka e tillë mund të kuptohet.

Protesta që e karakterizojnë këto të meta, nisi mirë javën e kaluar. U mblodhën shumë qytetarë dhe organizatorët mbajtën normal fjalimet e tyre. Por ajo eskaloi në fund të saj. Shumë persona që nuk u sqarua në maksimum se kush ishin e trajtuan ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, sikur të ishte e Qeverisë së Serbisë, duke ia thyer xhamat si dhe dëmtuan edhe pronën private. Dhe që diçka e tillë është gabim, lëre që nuk e pranuan protestuesit, por edhe e arsyetonin një gjë të tillë me atë se “nuk është asgjë ky dëm në krahasim me atë që e kanë bërë këta politikanë”. Një arsyetim ky i paqëndërueshëm lexuar me sytë e mendjes, sepse veprimin e keq nuk duhet krahasuar me veprim të keq, por me një veprim të mirë. Kjo që dikush që nuk është në rrjedha të arrijë të bëjë dallimin midis këtyre kategorive si dhe të vlerësojë vetë se nga është pozicioni i drejtë për t’u përcaktuar. Dalja nga kontrolli e protestës së parë dështoi që njerëzit të ndihen mirë në këtë formë të ushtrimit të presionit në raport me Qeverinë, ideja e shumë protestuesve për t’u grumbulluar në numër sa më të madh dhe për të protestuar paqësisht pësoi debakël. Kjo u pa në protestën e dytë, që u mbajt të martën, ku lëre që numri i pjesëmarrësve ishte më i vogël, po del  burri i botës dhe i jep ultimatum Policisë për tërheqjen e rrethojave, thua ti se institucioneve të sigurisë u ka kaluar mandati për të përzgjedhur vendet ku duhet vendosur barrikada dhe se për ta bërë një gjë të tillë janë certifikuar qytetarë të papunë nga vise të ndryshme të Kosovës . Pas kësaj u pa nga të gjithë se çfarë ndodhi. Dhunë nga të dyja anët me bilanc të madh plagësh nga të dyja palët, si nga protestuesit ashtu edhe nga Policia.

Edhe pse protesta e së martës ishte e tillë çfare ishte, protestuesit duhet që të të vazhdojnë presionin e tyre që kërkesat të realizohen. Ministri të japë dorëheqje dhe grancitë ligjore të merren për moshedhjen në tavolinë të dialogut për kombinatin. Pas kësaj lëviza Vetëvendosje duhet të angazhohet në punën e saj në Kuvend dhe në terren. Populli i Kosovës, pjesa më e madhe e tij, u përton ndryshimeve radikale. Para revolucionit e do evolucionin. I tillë është formimi i tij dhe i cili nuk është që është shtresuar për një ditë, por për dekada. Millosheviqi vetëm bëri masakra se ne sot akoma do të ishim nën këmbën e Serbisë. Hajnitë e politikanëve tanë janë të pavërejtshme përderisa nuk ka ekzekutime të njerëzve nga pushteti. Nëse dikush është guximtar, shumë mirë, por që ta bëjë me doemos edhe tjetrin sikur vet, brenda një nate është mision i pamundshëm. Lëvizja Vetëvendosje duhet të angazhohet që njerëzve t’u tregojë me angazhim profesional, ku hyjnë debati, analizimi e krahasimi,  se çfarë në të vërtetë përfaqësojnë njerëzit e pushtetit. Dhe në këtë mënyrë ta shkurtojë jetën e tyre në pushtet. Ndryshe e keqja, për të cilën pajtohen shumë njerëz që të quhet kështu, po vazhdon që sa e sa vjet.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here