Dëshmia rreth aksidentit: Mbi trupat e grave kaluan edhe makina të tjera

0

“Mbi trupat e tyre kaluan edhe makina të tjera. Nuk e di nëse gratë vdiqën nga përplasja që shkaktova unë”, është dëshmia rrëqethëse që 22-vjeçari Daniel Brahollari ka dhënë përpara Gjykatës së Durrësit ku edhe u njoh me masën e sigurisë ;arrest me burg”, pasi  përplasi për vdekje vjehrrë e nuse.  Aksidenti është shkaktuar në afërsi të rreth-rrotullimit të ish-Kënetës, ku viktima mbetën Bukurie dhe Sabrie Cufaj.

Studenti tha se nuk kishte qenë me shpejtësi kur ndodhi përplasja, por se dy gratë i kishin dalë papritur para në rrugë. Madje ai është justifikuar edhe për mungesën e sinjalistikës dhe ndriçimit në rrugë.  “Në rrugë nuk kishte drita, ndaj nuk i pashë dy gratë  kur po kalonin rrugën.  Isha me 40 km dhe isha mbrapa një mjeti tjetër. Në një moment, makina para hapi krahun duke kaluar djathtas. Mendova se më hapi krahun për ta parakaluar, ndërsa dy persona kaluan me shpejtësi. Në fakt, mjeti para meje kishte shmangur gratë që ishin futur për të kaluar në krahun tjetër të rrugës.

Nuk kisha fushëpamje, pasi përpara, siç thashë, kisha mjetin tjetër që më pengonte. Në momentin që i pashë në mes të rrugës nuk kisha kohë që të frenoja. I përplasa, nuk e di nëse ndërruan jetë si pasojë e kësaj përplasjeje apo nga ndonjë përplasje tjetër. Mbi trupat e tyre kaluan edhe makina të tjera. Në këtë pikë kam dyshime, isha unë shkaktari që ato ndërruan jetë apo ishin makina të tjera. Kërkoj të hetohet thellësisht kjo ngjarje”, tha Brahollari, i cili është student në Fakultetin e Drejtësisë me nota të shkëlqyera.

Avokati mbrojtës i tij kërkoi një masë shtrënguese më të lehtë për të me qëllim që të mos ndikonte te studimet e 22-vjeçarit. Pasi dëgjoi dëshminë dhe akuzat e Prokurorisë, gjyqtarja vendosi të lërë të riun në qeli me masë sigurie arrest me burg. Ngjarja ndodhi më 12 janar rreth orës 19:30, ku Daniel Brahollari ishte në drejtimin e një makine tip “BMW” me targa AA  35 BD.

16 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here