Deputetja Blerta Deliu e shpallë shefin e ushtrisë serbe Dikoviq person “non-grata” për Kosovën

0

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu ua ka tërhequr vërejtjen Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe përgjithësisht institucioneve të Kosovës që të mos e lejojnë hyrjen eventuale të shefit aktual të Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviç. “Dikoviq nuk mund të hyjë në Kosovë para se të përgjigjet në prokurori për të kaluarën e tij kriminale, për shumë krime dhe maskra të kryera ndaj shqiptarëve”, ka shkruar ajo në Facebook. Deputetja Deliu duket aq e vendosur dhe e mllefosur në këtë aspekt derisa ka marrë guximin të ia tërheqë vërejtjen për këtë punë direkt ministrisë e cila drejtohet nga shefi i saj partiak, Hashim Thaçi. “Veq vrasjeve Dikoviq ka ndërmarr edhe masa në fshehjen e gjurmëve dhe trupave të viktimave, me ç’rast me 5 prill 1999 në Rezallë të Skënderajt ai me brigadën e tij kryen krim te dyfishtë. Familjarët e të pagjetuve në Rezallë ende nuk mund të jenë te qetë deri në kthimin e eshtrave të të rënëve dhe ndëshkimin e kriminelëve që kryen këtë akt makabër. Varrezat në Rezallë kanë mbetur bosh sepse forcat ushtarake policore e paramilitare serbe të udhëhequra nga Dikoviqi ua kanë humbur gjurmët të vrarëve”, ka tërhequr vërejtjen Deliu. “Prandaj, Ministria e Jashtme dhe institucionet e Kosovës kanë shumë arsye që të mos lejojnë që të hyjë më në territorin e Kosovës përgjegjësit për masakra dhe gjenocid. “Non-grata” nga Kosova, por edhe zbardhje të krimeve që Dikoviq dhe të tjerët kryen në Kosovë”, ka bërë thirrje ajo. Fondi për të Drejtën Humanitare nga Beogradi para pak ditësh ka ngritur akuza publike kundër Dikoviqit. Sipas fondit që udhëhiqet nga Natasha Kandiq, ai është përgjegjës për krime në fshatrat Rezallë dhe Çikatovë e Vjetër, të rajonit të Drenicës në Kosovën qendrore, si dhe për fshehjen e trupave në një varrezë masive në rajonin e Rashkës në Serbinë jugperëndimore. Fondi ka thënë se ka dokumente që tregojnë qartë se në vrasjen e civilëve shqiptarë në Rrezallë dhe Çikatovë më 1999, kanë marrë pjesë ushtarët e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë serbe, komandant i së cilës asokohe ishte shefi aktual Shtatmadhorisë së ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë me këtë rast se pohimet e fondit janë një “shembull i mirë i betejës së guximshme që serbët brenda këtij fondi po e zhvillojnë për të zbardhur krimet në Kosovë. Por, kjo flet se njerëzit që kryen krime makabre në Kosovë ende mund të jenë në vendet më të rëndësishme në pushtetin serb”. Ai pret që edhe Qeveria e Serbisë, “do të punojë në zbardhjen e krimeve, të udhëhequra nga shefi i saj i armatës dhe tjerët ndaj popullit të Kosovës, si një prej kushteve bazë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Qeveritarët serb duhet të tregojnë përgjegjësi ndaj krimeve dhe dëmeve që shteti i tyre i ka bërë në Kosovë dhe të reflektojnë për përgjegjësinë e tyre”, është thënë në reagimin e kryeministrit Mustafa. Udhëheqësit më të lartë politik të shtetit të Serbisë ndërkaq kanë reaguar ndryshe ndaj pohimeve të Fondit për të Drejtën Humanitare. Presidenti serb, Tomislav Nikoliç, madje e ka pritur pas këtyre akuzave gjeneralin Dikoviç, jo për ta ndëshkuar por e ka quajtur “njeri të ndershëm”, ndërsa pohimet e fondit I ka vlerësuar si “sulme që kanë për qëllim, njollosjen dhe destabilizimin e ushtrisë serbe”. Edhe kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç i kanë vlerësuar pohimet e fondit si përpjekje për dobësimin e ushtrisë serbe dhe dëmtim të imazhit të Serbisë. Fondi për të Drejtën Humanitare ka pohuar se në periudhën ndërmjet 5 dhe 17 prillit të vitit 1999 në fshatrat Rezallë, Çikatovë e Vjetër, Zabel i Ultë dhe Glanasellë, janë vrarë të paktën 73 civilë shqiptarë, pjesa më e madhe në Çikatovë e Vjetër dhe Rrezallë. Në varrezën masive ne fshatin Rudnicë të komunës së Rashkës në Serbi, gjatë gërmimeve të vitit 2014, janë gjetur dhe identifikuar trupat e 52 viktimave nga 14 deri në 87 vjeç.

dikoviqi

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here