Deputetët e pakicave joserbe kërkojnë rishqyrtimin e Marrëveshjes për drejtësinë në Bruksel

0

Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim të cilin e kryesoi Agim Qeku, nënkryetar i Komisionit, ka mbajtur një mbledhje në të cilën pikë kryesore i rendit të ditës ishte Raportimi i ministrit për strukturën e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në sistemin e drejtësisë në bazë të dialogut Prishtinë – Beograd.
Në mbledhjen e lartpërmendur përveç anëtarëve të Komisionit të theksuar, merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë të kryesuar nga zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë Lirak Qelaj, si dhe përfaqësuesit e OSBE-së, ambasadës së Zvicrës në Prishtinë, si dhe përfaqësuesit e Këshillit këshillëdhënës për komunitete në Zyrën e Kryetarit të Republikës së Kosovës.
Duke folur për këtë çështje zëvendësministri i Drejtësisë Qelaj, përveç të tjerash ka theksuar që Marrëveshja për drejtësinë parasheh implementimin e plotë të legjislacionit të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e sistemit unik të drejtësisë në tërë territorin e Republikës të Kosovës, duke përfshirë edhe pjesën veriore.
Themelimi i kësaj Gjykate dhe i Zyrës së Prokurorisë themelore në regjionin e Mitrovicës, që përfshinë 7 komuna, është në përputhje të plotë me Ligjin e gjykatave. Sistemi unik i drejtësisë dhe zbatimi i ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës siguron që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pjesëtarët e cilit do komunitet, kanë të drejtë për të pasur qasje në sistemin e drejtësisë kudo që ata jetojnë dhe veprojnë në Kosovë, ka theksuar Qelaj.
Në vazhdim të fjalës së tij, Qelaj ka theksuar se hapat e parë konkret për implementimin e dialogut të sipërpërmendur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është që për integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serb ka rezultuar me shpalljen e konkursit për dyzet e tetë gjyqtarë dhe 15 prokurorë, me 25 mars 2015, dhe i njëjti do të jetë i hapur deri më 25 maj 2015. Përndryshe ky hap do të përshpejtojë procesin e integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serb në sistemin juridik të Republikës së Kosovës.
Në përfundim të fjalës së tij zëvendësministri Lirak Qelaj, përveç të tjerash ka theksuar që institucionet e Republikës së Kosovës bëjnë përpjekje të vazhdueshme, në mënyrë që struktura e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shprehë karakterin multi-etnik të Kosovës. Kështu që Këshilli gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës përherë kanë ndërmarrë masa konkrete për plotësimin e vendeve të punës, qoftë për gjyqtarë dhe prokurorë, gjithashtu edhe për personelin ndihmës nga radhët e komuniteteve pakicë, në të gjitha nivelet e gjyqësorit dhe të prokurorisë.
Në vazhdim të mbledhjes Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, anëtari i komisionit të lartpërmendur, Veton Berisha, ka theksuar që Marrëveshja për strukturën e gjyqtarëve dhe të prokurorëve për sistemin e drejtësisë në bazë të dialogut Prishtinë – Beograd është shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, po ashtu edhe shkelje e një mori ligjeve bazike të Republikës së Kosovës. Pasi që me këtë Marrëveshje vetëm pjesëtarët e komunitetit shqiptarë dhe serbë kanë të drejtën për të konkurruar për gjyqtarë dhe prokurorë në Veriun e Kosovës, ndërsa komunitet tjera kombëtare e para se gjithash komuniteti Egjiptas të cilit ai i përket nuk e kanë këtë të drejtë. Kështu që duhet të shqyrtohet edhe një herë përmbajtja e kësaj Marrëveshjeje dhe t’iu mundësohet edhe komuniteteve tjera të cilat jetojnë dhe veprojnë në Kosovë të kenë të drejtë për të konkurruar dhe për tu zgjedhur sipas cilësisë në këto pozita, kështu që të caktohen në pozitat e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në veriun e Kosovës.
Anëtari i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, Qerim Bajrami, gjithashtu ka theksuar që Marrëveshja e lartpërmendur është jo kushtetuese dhe se sipas kësaj Marrëveshjeje asnjë pjesëtarë i komunitetit Boshnjak (dhe ndonjë pjesëtarë i komunitetit joshqiptarë dhe jo serbë) nuk do të mund të konkurrojë për pozitën e gjyqtarit apo të prokurorit. Meqenëse sipas Marrëveshjes në Prokurori duhet të jenë nëntë gjyqtarë shqiptarë dhe po aq serbë. Ndërsa në gjyqësor do të duhej të zgjidhen pesë (5) gjyqtarë serbë dhe katër (4) gjyqtarë shqiptar. Kështu që sipas kësaj nuk ka vende për komunitete tjera të cilat jetojnë dhe punojnë në Kosovë.
Në fund të mbledhjes të lartpërmendur të Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, zëvendësministri i Ministrisë së drejtësisë Lirak Qelaj, ka theksuar se kjo Marrëveshje është nënshkruar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në mënyrë që pjesëtarët e komunitetit Serbë të cilët jetojnë dhe punojnë në veri të Kosovës të integrohen në rrjedhat shoqërore e veçmas në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here