Deputetet ankohen te Veseli për “ekspozim të padenjë dhe fyes në media”

0

PRISHTINË, 13 SHKURT – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka patur sot një takim të veqantë me gratë deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas një informacioni të publikuar në faqen e kuvendit në internet, deputetet e kanë ngritur para kryeparlamentarit shqetësimin e tyre për disa, siç është thënë, “paraqitje mediale ku deputete të caktuara, në disa raste, janë vënë në qendër të ekspozimeve të padenja, fyese në aspektin gjinor dhe joprofesionale nga disa media të vendosura në pjesën e sipërme të sallës së Kuvendit”. Kryetari Veseli ka thënë se liria e mediave dhe transparenca e punës së institucioneve është e padiskutueshme, por “raportimet paragjykuese, në këtë rast me bazë gjinore, të cilat cenojnë personalitetin dhe dinjitetin e secilit, pra edhe të deputeteve dhe deputetëve janë të papranueshme”. “Kryetari Veseli vlerësoi se mediat e lira janë avangardë e shoqërisë së hapur dhe demokratike”, është theksuar në njoftim. “Kuvendi i Republikës së Kosovës e vlerëson lart rëndësinë e mediave në avancimin e standardeve demokratike në jetën tonë institucionale dhe sociale, por kërkon që raportimet për punën e deputetëve të fokusohen në angazhimet e tyre profesionale e politike, të jenë objektive, jashtë çdo paragjykimi gjinor, etnik apo të ndonjë natyre tjetër”, është përmbyllur njoftimi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here