Deputetë të PE-së kërkojnë që Shqipërisë t’i ndërprehet procesi i anëtarësimit në BE

0

Deputetët e dy grupeve në Parlamentin Europian kërkojnë ndërprerjen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Francezët e Front National të Marine Le Pen dhe italianët e Lega Nord i kanë paraqitur kërkesat e tyre në formë amendamentesh. Lega Nord është e drejpërdrejtë në kërkesën e saj.

“Duke pasur parasysh dobësinë e vazhdueshme të gjyqësorit, korrupsionit në shkallë të lartë, prezencën e fortë të krimit të organizuar, mungesën e mbrojtjes së minoriteteve, diskriminimin kryesisht të grave, mungesën e transparencës në financimin e medias, duke konsideruar rritjen e papunësisë dhe çështjet që lidhen me kushtet e tregut të punës, si dhe nga ana tjetër, se Komisioni Evropian nuk ofron ndonjë anëtarësim të ri në Bashkimin Evropian gjatë pesë viteve të ardhshme, kërkojmë pezullimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërinë në Bashkimin Europian”, thuhet në amendamentet e italianëve.

Marine Le Pen dhe tre eurodeputetë të tjerë të Front National kërkojnë që Shqipëria të reformohet jashtë BE –së.

“Shqipërisë i është dhënë statusi i vendit kandidat. Megjithatë konsolidimi i reformave demokratike dhe reforma të mëtejshme janë krejtësisht të mundshme jashtë procesit të anëtarësimit”, – theksohet në amendamentin e francezëve.

Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian do ta shqyrtojë të hënën, më 13 prill draft –rezolutën për progresin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit, për vitin 2014. Një numër rekord prej 192 amendamentesh janë paraqitur për draft –rezolutën e

Knut Fleckenstein, raportuesit për Shqipërinë. Shumica e tyre trajtojnë pesë kriteret që Shqipëria duhet të përmbushë për hapjen e negociatave të anëtarësimit: luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, administratën publike, të drejtat e njeriut dhe gjyqësorin.

Bashkëpunimi politik zë një vend thelbësor. “Kujtojmë se koalicioni qeverisës duhet t’i krijojë opozitës mundësinë për të ushtruar të drejtën e saj të kontrollit demokratik”, – thuhet në një prej amendamenteve.

Dy grupimet që kanë paraqitur amendamentet për të pezulluar procesin e integrimit të Shqipërisë nuk kanë peshë përsa u përket votave në Parlamentin Europian. Por ndikimi i tyre sa vjen e shtohet.

Megjithatë, duke lënë mënjanë kërkesat ekstreme të tyre, eurodeputetët e dy grupimeve më të mëdha, Partisë Popullore Europianë dhe Socialistëve e Demokratëve kërkojnë rezultate konkrete veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here